Filmi me superheronj “Black Panther”, “Pantera e zezë” e regjisorit Ryan Coogler, bazuar në librin me ilustrime Marvel, ka ne qendër mbretin e një vendi të përparuar teknologjikisht në Afrikë. Aftësitë e tij të mahnitshme në luftë përforcohen edhe më shumë nga fuqitë e tij prej superheroi dhe një kostum i veçantë. Filmi që kushtoi 200 milionë dollarë për t’u realizuar, është pritur me interes të madh në të gjithë botën për efektet speciale, aktorët dhe veçanërisht homazhin ndaj kulturës afrikane.
Ngjarjet janë të vendosura në Wakanda, një vend i vogël imagjinar afrikan, që fsheh një sekret të madh. I ndërtuar mbi Vibranium, metali më i fortë në botë, Wakanda ka teknologjinë dhe fuqinë që asnjë vend tjetër nuk e ka parë ndonjëherë.
“Ajo që ndodh tani përcakton se çfarë i ndodh pjesës tjetër të botës”.
Pasi i vdes babai në një sulm terrorist, T’Challah, që interpretohet nga Chadwick Boseman, fiton superfuqitë e Panterës së Zezë dhe bëhet mbreti i ri. Regjisori Coogler ka krijuar një superhero bashkëkohor afrikan.
“Cilat janë cilësitë e Panterës së Zezë? Ai ka përgjegjësitë politike, kostumin magjik, putrat, forcën. Ai është afrikan dhe kjo e bën atë të veçantë.”
Filmi paraqet rreziqet dhe përfitimet e një isolacionizmi politik të një vendi të përparuar. A duhet ta ndajë Wakanda fuqinë dhe teknologjinë e saj me pjesën tjetër të botës? Apo t’i fshehë dhe t’i mbrojë burimet e saj nga të huajt?
“Është përgjegjësia ime që të sigurohem që Wakanda të mos bjerë në duart e një personi si ju”, thotë në film T’Challah, Pantera e Zezë.
Linja e rrëfimit dhe heroi me ngjyrë kanë magjepsur audiencat në gjithë botën, thotë Lupita Nyong’o që interpreton Nakian, një agjente e Wakandas me të cilën ka rënë në dashuri T’Challah.
“Bëhet fjalë për një univers që e shpalos me krenari të qenurit afrikan. Dhe është frymëzuese që ne jetojmë në një vend afrikan me mbretër, mbretëresha dhe luftëtarë. Një vend që e aspirojmë që e rigjallëron shpirtin njerëzor”, thotë aktorja Nyongo.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, producenti i “Panterës së Zezë”, Nate Moore dhe disenjatorja dhe kandidatja për Oscar, Ruth Carter tha se të gjithë krijuesit dhe aktorët e filmit donin që të realizonin një film që nxirrte në pah një kulturë krenare të bukur dhe të zgjuar afrikane.
“Është bërë e zakonshme që në kinema, historitë për Afrikën janë për varfërinë, për plaçkitjen e pasurive të saj. Por këtu, ky është vendi më i përparuar teknologjikisht në botë. Është një model i mrekullueshëm për fëmijët”.
Kostumet shumëngjyrëshe të Carterit, pasyqrojnë traditën amerikane dhe i bëjnë personazhet madhështore, veçanërisht gratë.
“Bëhet fjalë për luftëtarë të vërtetë, gjeneralë që kanë armë. Duhet të veshin mburoja, por ne i krijuam ato në mënyrë të tillë që të duken të bukura. Prandaj, ngjyrat feksin dhe mburojat duken si stoli të çmuara. Ato lidhen në trup në një mënyrë që i bën homazh historisë së personazheve”.
Moore thotë se aktorët dhe krijuesit e filmit u kujdesën për çdo detaj.
“Ne bëmë çdo përpjekje, kishim konsulentë kulturorë dhe shumë nga aktorët tanë janë nga Afrika. Madje edhe konsulentja për dialektin, Beth MacGuire, dhe i gjithë kasti donte që të tingëllonte nga Afrika. Megjithatë mendoj se afrikano-amnerikanët mund ta identifikojnë veten me filmin. Shpresoj që të gjejnë frymëzim, duke mësuar se ku i kanë rrënjët afrikano-amerikanët”.
Në shkollën e mesme “T.C.Williams” me një trupë të larmishme nxënësish pranë Uashingtonit, të rinjtë janë entuziastë për filmin.
“Jam shumë entuziaste. Më duket se i përçon mesazhin fëmijëve dhe shoqërisë në përgjithësi se askush nuk lind racist. Dhe me këtë film, sikur u mësohet që të mos jenë të tillë”, thotë Jeincy Paniagua.
“Unë mendoj se është shumë e rëndësishme jo vetëm për vajza të reja në përgjithësi, por për vajza të reja me ngjyrë, individë me ngjyrë që të shohin se si janë të përfaqësuara në media dhe mendoj se u jep një ndjesi force”.
“Por edhe të tregojmë se cilët jemë si popull. Jemi superheronj sipas modelit tonë, dhe kjo është provuar tek marshimet, protestat që ne nuk jemi thjesht pakicë por pjesë e shumicës”.
Falë mesazhit për krenarinë afrikane, apo atij për fuqizimin e gruas, ky film që ishte pritur me padurim, pritet të ketë një sukses të jashtëzaknshëm në kinema, në universin e filmave me superheronj.(VOA)