Pse në jurinë e MKRS të Kosovës këtë vit, nuk pati asnjë shkrimtar për fëmijë?

Nga Islam Balaj

Ky është viti i tretë që kur MKRS e R. së Kosovës, e ndan çmimin:  “Vehbi Kikaj”, për librin më të mirë për fëmijë e të rinj. Kjo është për t’u përshëndetur, sepse një gjë e tillë nuk qe praktikuar edhe më parë. Mirëpo këtë vit, ndryshe nga dy vitet e tjera, në Jurinë e caktuar nga MKRS, për çudi, nuk pati asnjë shkrimtar apo kritik letrar që merret me letërsi për fëmijë e të rinj. Për ç’arsye ndodhi kjo, unë nuk e di. Por një mospërfillje e tillë e krijuesve të letërsisë për fëmijë e të rinj nga ana e MKRS, bën që ata të ndihen të ofenduar e të anashkaluar, për vetë faktin se ndiehen jo të barabartë me shkrimtarët e tjerë që shkruajnë për të rritur. Sepse kush tjetër më mirë se ata e njohin letërsinë për fëmijë e të rinj?!

Kjo gjithsesi nuk i bën nder letërsisë, letërsisë për fëmijë e të rinj në veçanti, por as vetë MKRS si institucion shtetëror. Në vend që letërsia për fëmijë e të rinj, të zërë vendin e merituar edhe në raste të tilla, e madje dhe të favorizohej, si pjesa ndoshta më e rëndësishme e letërsisë shqipe. Sepse fundja, siç shkruan Octavio Paz: “Arti (letërsia) është pjesëmarrje, (në çdo aktivitet) nëse shteti kërkon vërtet të favorizojë krijimin e lirë letrar dhe artistik. Pra, shteti duhet drejtuar vetë shkrimtarëve “. Kuptohet, gjithmonë në mënyrë të barabartë, duke mos bërë ndarje të tilla, siç ndodhi këtë herë. E pse kjo ndodhi? Për këtë, duhet kërkuar sqarim nga vetë MKRS.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *