“Bejkë e Bardhë” e “Vajzë e Valëve”

Kënga Labe…

Muzeu Historik Kombëtar, Bashkia Himarë dhe Ansambli “Bejkë e Bardhë” organizuan koncertin “Bejka e Bardhë” dhe “Vajza e Valëve”.

“Faik Konica, në gazetën e vet Albania, kur do të shkruante për vizitën e Xhorxh Bajronit në Shqipëri në 1809, do të përmendte dhe faktin e mbledhjes së dy këngëve polifonike të transkiptuara dhe me vargjet e tyre. “Lord Bajroni në një ndër udhëtimet e tij në Shqipëri, mblodhi disa këngë shqipe. Jo vetëm i mblodhi, por dinte edhe t’i këndojë. Në jetë të tij mësojmë se, duke qenë një herë me disa miq në të shëtitur në një anije mbi Rhin të Gjermanisë, u tha miqve: “Daleni, t’ju këndoj një këngë shqipe”.

Ky mund të ketë qenë një nga kontaktet e para të këngës labe me botën perëndimore në një tekst të shkruar dhe përpos marshit të njohur Tamburxhi, tamburxhi në Shtegtimet e Child Haroldit përbëjnë dëshmi të rëndësishme të përfaqësimit të kulturës shqiptare në botë. Ato duken se i kanë paraprirë regjistrimit të parë të këngës labe himariote nga Neço Muko, 90 vjet më parë me këngën emblematike tashmë Vajzë e valëve shkruan Dorian Koçi.

A nuk ka pashaportë më të fortë dhe më të bukur identiteti sesa këto këngë polifonike që dëshmojnë sa lashtësinë po aq dhe etnicitetin e këtyre viseve. Kënga labe e këtyre viseve jugperëndimore të shqiptarisë na vjen e freskët dhe gjithë ritëm duke bashkuar bashkë dhe vargmalet e maleve të Vetëtimave që i përngjajnë valëve të detit dhe detit Jon të Himarës gjithë valë shënon Dorian Koçi. Duket se malsia dhe bregdeti shtrihen bashkë të harmonizuara në isot gjithë plazëm e jetë të këtyre viseve të mrekullueshme. Aty në ballkonin e Himarës, në fshatin Pilur , ku duket se jeta e poemave epike pastorale nuk ka rreshtur ende, na vijnë vargjet e mrekullueshme të Lefter Çipës, këtij bardi të pashterur të këtyre anëve, princi të lirikës labe, “Tundu bejkë e bardhë tundu”.

Plot 45 e vjet më parë këngët e asamblit të Pilurit do të ripërtërinin magmën poetike qindravjeçare të këngës labe duke krijuar konstelacione vargjesh e melodish që do mbeten përherë në memorien kolektive të shqiptarëve.

Në çdo ngjarje të rëndësishme të kombit, kënga labe do të jetë e pranishme duke regjistruar me timbrin e saj të veçantë njerëz, data e personazhe historikë.

Imzotër bardë të lirikë të këngës labe, të vdekur e të gjallë që na vini sot në këtë sallë mes tekstesh të vjetra e të reja e na rrëfeni gazet e vajet, trimëritë e dhembshuritë iu falemi dhe ju falenderojmë sepse përmes këngës labe, kësaj mrekulllie të vlerësuar nga UNESCO, na keni vulosur me shqiptari pashaportën tonë të identitetit kulturor e kombëtar”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *