Nga Çapajev Gjokutaj
Thonë se në qytetet tona ka më shumë lojra fati se sa furra buke, tha Qaniu. Kaq u desh që të hamendësonim shkaqet.
Një palë thoshte se rendja pas lojrave të fatit vjen si pasojë e një iluzioni. Çerek shekulli më parë ishim të gjithë njësoj. Sot disa nga të njohurit tanë janë bërë goxha të pasur. I ndihu fati, themi dhe nisemi e rinisemi ta kërkojmë edhe ne. Jo në punë e sipërmarrje, por në bingo e baste.
Nuk është iluzion, është depresion, thoshte një palë tjetër. Na djeg shumë që një komshi apo një i njohur u bë i pasur. Na dhëmb t’i bëjmë gjyqin vetes e t’i themi:’I paaftë ke qenë e i paaftë mbete, humbameno e qullac!’ Ndaj kërkojmë të humbasim mendjen. Ndër mjetet më efikase janë bastet e bingot.
Vetë ideja e fatit është instrument qetësues e shkarkues, shtoi Qaniu. ‘Kështu qe e shkruar’, thotë i ziu njeri dhe i shpëton gjyqit të vetvetes, që është gjyq cfilitës. Më i hidhur edhe se gjyqi i gruas, kur të akuzon se s’je i zoti.
Psikologjia nuk e shpjegon gjithë të vërtetën, tha Ilmiu. Vrasja e kohës në lojërat e fatit vjen edhe nga kultura jonë levantine. Gjysh stërgjyshi gjithë ditën muhabete e shpoti tek berberi a tek samarxhiu. S’para e kemi wordpress patur qejf punën, pa le më kursimin, akumulimin e sipermarrje. Limonti levantine.
Llafosni si e jëma e Zeqos majë thanës, ndërhyri Lilua. Vërtetë ka shumë dyqane me lojra fati. Po sa venë në to? Ç’përfaqësojnë? Po sikur të jetë e vërtetë që shumica e lojrave të fatit s’është hapur nga që ka shumë myshterinj, po se do pastruar parja e pistë, parja e krimit, prostitucionit, drogës? Bëjnë e lajnë pare ca qerratenj e maskarenj dhe ne i sulemi shqiptarit. Mban ky popull, mban!
Yooo kazil, qeshi kamarjerja që po mblidhte filxhanët dhe ndërkohë e kishte hequr përparësen, nxitonte të ikte.
( Nga cikli ‘Kafe për llafe’ )