Nga Entela Hoxha
Mund të ketë më shumë se 5. E para është për fjalën. Unë kam dëshirë ta dëgjoj Arbanën. Është shumë e vërtetë, i dëgjon personazhet kur flasin, flet thjeshtë dhe e di se çfarë bën. I keni parasysh ato drejtueset që vetëm lexojnë çfarë do të thonë? Arbana, NUK është një prej tyre.
E dyta, për historitë që trajton. Janë njerëz të vërtetë, histori të vërteta dhe janë njerëzit që jetojnë larg nesh e që vijnë para nesh për të na sjellë historitë e Shqipërisë së harruar që ne nuk duam ta shohim. Ata nuk dinë të shtiren, ose jo si ne e sa ne.
E treta, për Robert Ndrenikën e Rikard Ljarjen. Ata të dy i shoh rrallë. Madje nuk i shoh fare, veçse në filmat e RTSH. E dy njerëz që nuk dalin kurrë në media kanë vendosur të dalin për një kauzë e për një mesazh. Kam nevojë t’i dëgjoj.
E katërta për një grua me thinja që kërkon të takojë të birin pas 7 vitesh. Janë gjyshet tona, e nënat tona që teksa rendim me vrap pas punëve, i harrojmë.
E pesta, se ka 2 histori dashurie të pabesueshme, njëra që të frymëzon dhe të mëson të duash pa kushte, e tjetra sepse të mëson të duash deri në ditën e fundit, të mëson se jeta vazhdon të jetë e bukur edhe kur ecën me ndihmën e shkopit.
Ndaj unë sonte në orën 20:50 do shoh Dua të të bëj të lumtur.