Edicioni i parë i EkspoArtTirana po mbahet në Muzuen Historik Kombëtar. Mes 19 artistëve që sjellin “Realizëm ndryshe” është edhe Meri File e cila njihet për natyrën e veçantë të veprave të saja dhe nudot e pafund. Në muze, ajo vjen me një provokim të veçantë: një grua nudo, me ferexhe, dhe armë në dorë. Ndërsa gjoksi i saj është i zbuluar ashtu si edhe pjesët intime, gruaja e Meri Files, ka të mbuluar vetëm fytyrën, prej së cilës jashtë janë vetëm sytë. “Katarsis” titullohet vepra që ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve. Në një intervistë për “Shekullin” ajo ka thënë se “Katarsis” është gjendja shpirtërore, emocionale e çdo femre, e cila brenda vetes e di se ka mundësi që të bëjë dhe më shumë, por duke njohur situatën në Shqipëri mundohet që të mbyllet, duke vendosur një mur përpara. Unë murin e kam kthyer në ferexhe. Pasi e shikon tablonë mund të mendosh se godet fenë, por nuk është kjo. Nuk është absolutisht trajtim fetar. Unë kam kthyer një lloj konfuziteti të njeriut në art, sepse dua të godas atë katarsis, që ndodhet brenda çdo femre. Këtë gjendje të femrës unë e mbroj me art. Prandaj mund të them se katarsis është gjendja shpirtërore e femrës, e cila mundohet që të nxjerrë epshin e saj, më të thellë dhe më të arrirë. Por që nuk mundet dot, sepse ne jetojmë në një Shqipëri ku ka një mentalitet jo të mirë. Prandaj ajo mundohet që të qëndrojë brenda një perdeje, që unë e kam quajtur ferexhe”.