Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro e ftuar mbrëmjen e së martës në emisionin “Top Show” të gazetarit Alban Dudushi, sqaroi se një pikat që ndryshojnë në ligjin për Kulturën dhe Artin janë në aspektin financiar, me argumentin për të zgjedhur cilësinë para aspektit ekonomik. Por për regjisorin e Altin Basha heqja e “Qendrës së Artit” është e dyshimtë.
Ministrja Kumbaro sqaroi se një pikat që ndryshojnë në ligjin për Kulturën dhe Artin janë në aspektin financiar, me argumentin për të zgjedhur cilësinë para aspektit ekonomik.
“Nismë e Ministrisë së Kulturës për disa amendime të ligjit, amendime që synojnë 2-3 elementë që do t’i cilësoja decentralizues. Neni 26, që ka të bëjë me financimin, ishte edhe pika kryesore për këtë nismë. Ky nen e përjashton Ministrinë e Kulturës nga tenderat, por të shkojë drejtpërsëdrejti tek produkti. Tenderimi shikohet në aspektin ekonomik dhe jo gjithmonë përzgjidhet cilësia më e mirë. Të gjitha institucionet e tjera, si Bashkitë çlirohen nga procedura e tenderimit”, shprehet Kumbaro.
Pyetjes se cilat janë pikat që e kanë shqetësuar komitetin e artistëve, një pikat që kërkoi të dinte regjisori Altin Basha ishte heqja e “Qendrës së Artit”, duke theksuar se argumenti i dhënë nga ministrja Kumbaro ka qenë se kishte abuzime fondesh. Por fakti, sipas tij, se nuk është parë asnjë denoncim për abuzim fondesh nga kjo qendër, shihet si një përpjekje e ministres për ta marrë vetë në dorë këtë vendimmarrje.
Altin Basha, ka pasur reagime të forta për ndryshimin e ligjit. Kërkuam të dimë përse u hoq “Qendra e Artit”.
“Në parim ligji i 2010-s u ndërtua për ta decentralizuar, për t’i dhënë sa më shumë mundësi artistëve. Në atë kohë u gjet një zgjidhje si “Qendra e Artit”, kjo qendër drejtohej nga një person që vendosej nga Ministria e Kulturës. Në 2014-n, pa na dhënë asnjë shpjegim e hoqi, i vetmi sqarim ishte se kishte abuzim me fondet. Si një kundër instrument u vendos një kolegjium të drejtuar nga zonja ministre. Nga ai moment nis një konflikt i heshtur, se përse Ministrja mori kontrollin vertikal të vendimmarrjes. Ne nuk kemi parë asnjë person të denoncuar për abuzim, kjo është parë nga ne si një përpjekje e ministres për ta marrë vetë në dorë këtë vendimmarrje”, u shpreh regjisori Altin Basha.
Duke mbrojtur vendimin e marrë 4 vite më parë, ministrja e Kulturës u shpreh se heqja e “Qendrës së Artit” ka ardhur për shkak se ishte një dublim i një drejtori tjetër brenda institucionit që ajo drejton.
“Në 2013-ën, kjo qendër e miratuar në 2010-ën, u krijua. “Qendra e Artit” nuk e kishte në thelb krijimin e agjencive, por menaxhimin e fondeve të Ministrisë së Kulturës për projektet, por edhe gjetjen e financave nga burime të tjera. Por ajo çfarë gjetëm ishte një dublim i Drejtorisë së Kulturës nga kjo qendër. Drejtoria e Artit dhe Kulturës menaxhonte gjysmën e buxhetit, gjysmën tjetër e menaxhonte “Qendra e Artit”. Abuzimet nga kjo qendër ishin të asaj forme sa gjetëm miliona borxhe të akumuluara nga Ministria e Kulturës”, u shpreh ministrja e Kulturës.
E pyetur se përse nuk u zgjodh një model për t’u dhënë mundësi artistëve vetëmenaxhimin e këtyre fondeve, Kumbaro u përgjigj: “Sepse duke ruajtur strukturën tradicionale, gjykuam që të marrim modelet europiane. Fondet ndahen në të gjitha fushat që mbulojnë Ministria e Kulturës, përfshirë këtu edhe fondin prej 30 milionë lekë që shkonte për “Qendrën e Artit””./Top Channel