Në kuadër të projektit “Zhvillimi i Integruar dhe i Qëndrueshëm i Rajonit Bregdetar Jugor”, zbatuar nga GIZ në Shqipëri, u zhvillua sot një workshop mbi “Udhëzuesin për Rehabilitimin e Fshatrave të Himarës”, pjesë e së cilit ishin specialistë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, ekspertë, përfaqësues nga institucione qendrore, rajonale e vendore si dhe institucione të arsimit të lartë.
Qëllimi i këtij workshop-i ishte jo vetëm prezantimi i punës së deritanishme nga ana e ekspertëve ndërkombëtare dhe vendas, por edhe diskutimi mbi problematikat dhe rekomandimet e ndryshme rreth këtij udhëzuesi.
Fshatrat në fokus të Udhëzuesit janë: Palasë, Dhërmi, Ilias, Vuno, Himarë Fshat, Pilur, Kudhës, Qeparo Fshat, Borsh, Piqeras, Sasaj, Lukovë dhe Nivicë.
Udhëzuesi synon të shpjegojë kontekstin dhe karakterin e këtyre fshatrave, si dhe të ofrojë këshilla dhe udhëzime për banorët dhe të gjithë ata që janë të përfshirë në zhvillimin, rinovimin dhe rijetëzimin e strukturave/godinave dhe hapësirave të fshatrave.