Shakespeare and Company, vendi mitik i shkrimtarëve anglosaksonë

Ne Shakespeare and Company – duke i treguar Kaleshit dhe Zeqos vendin mitik te shkrimtareve anglosaksonë të drejtuar në fillim të shekullit nga Sylvia Beach në Quartier Latin (në filllim në Rue de l’Odeon), e cila guxoi e para të botojë Joice (Ulysse -1922); librari ku vinin dhe qanin hallet Hemingway dhe mblidheshin Fitzgerald ans company, etj. Nje shtëpizë-librari që tashmë ka hyrë në histori! (ne fund foto e Sylvia Beach dhe Joice)
—————-
(nje paragraf nga nje shkrimi im për Shakeaspeare and Company)
——————
“… Fillimet e jetës parisiane për Heminguein padyshim ishin të vështira. Gazetarit të ri i duhej të përballonte jetën e tij dhe të gruas së tij të bukur, të paguante qeranë, të rrisnin fëmijën e tyre Bumby dhe të shijonte jetën parisiane, me të dashurat e tij, si zonja Pffifer, etj. Dhe ndodhte që hera-herës ai ta linte pa ngrënë ndonjë vaft që të mund të pinte një rhum të Martinique-s apo nje «Saint-James», e në veçanti verërat e mira franceze dhe sigurisht, ato me çmim të lirë. Shijen e urisë ai e kujtonte në librin e tij mbi kujtimet parisiane, kur i pangrënë, një pasdite, shkoi në librarinë e mikeshës së tij të re Sylvia Beach në «Shakespare & Company». «Je tepër i dobët, – më thoshte Sylvia. – A ushqeheni mirë? – Sigurisht! – Çfarë hëngrët për drekë? … Por ndërkohë dhimbjet e kishin pushtuar stomakun tim dhe unë i thashë: – Sapo hëngra në shtëpi para se të vija këtu. – Në orën tre? – Ah, nuk e dija që ishte kaq vonë…”
Sapo ishte larguar nga kjo amerikane e ëmbël që gjithashtu jetonte me të dashurën e saj parisiane dhe merrej me botimin e « Uliksit » të James Joyce, ai kishte kaluar nga «bistro» Lipp dhe ishte futur menjëherë duke e mallkuar atë jetë spartane që po bënte. Menjëherë kishte porositur një pjatë me patate të skuqura dhe një krikëll birre një litërshe. Hemi, siç e thërrisnin miqtë, kujtonte gjithnjë dhe kohën kur i uritur shkonte në muzeun e Palais de Luxembourg, buzë kopshteve të mrekullueshme, që aq shumë i adhuronte Verlaine, i cili kishte banuar një kohë buzë atij gjelbërimi të mrekullueshëm, të përshkruara aq bukur nga Victor Hugo tek Të mjerët. Hemi e pëlqente shumë pikturën dhe jo më kot kishte lidhur miqësi në fillim me Picasso-n e pastaj me Miro e miqtë e tyre. Paul Cezanne-in e pëlqente shumë. Dhe kështu, i uritur, ai vështronte tablotë e mjeshtrit të madh në ekspozitën e hapur në Palais de Luxembourg, ku siç shkruan ai “po ta kishe barkun bosh, të gjitha tablotë dukeshin më të qarta dhe më të bukura se zakonisht. Kështu e kuptova më mirë Cezanne-in sesi ai arrinte të pikturonte peizazhet. Pyesja veten nëse dhe ai kishte patur uri apo jo kur pikturonte. Por pastaj mendoja se ndoshta ai harronte të hante… »
L.R.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *