Nga Janis Ricos
Ku fluturoi i dashuri im? Ku shkoi? Ku më la ?
Kafazi ka mbetur pa zog, burim pa ujë.
Pse s’ndenje në shtëpinë tënde të bardhë, i dashur,
do të kishe qenë zotëria im, harabeli im i vogël,
do të të jepja në pëllëmbë kokërr më kokërr jetën time,
do të kisha jetuar në hijen tënde, lisi im i fuqishëm,
Nuk u ndale të merrje thesarin e asnjë vajze;
ke vrapuar gjithmonë përpara, kalorës i shkëlqyer.
Lumturia jote ishte të jepje, lavdinë tënde
Të ngrije nga toka të shtypurit e të vuajturit.
I ëmbli im, i ke dhuruar botës gjithë pasurinë tënde
Gjithëçka ke dhuruar, duke më lënë mua pa ngrohtësi.
S’e di nëse duhet të përkulem, të thyej zemrën time
apo të qëndroj drejt për të shprehur lavdinë tënde.
Ndonjëherë shpetaloj si një tufë lulesh hiret tua,
herë tjetër lidh së bashku dëneset në një ofshamë
Përktheu Faslli Haliti