Nga Ndue Ukaj
Gjithnjë më ka mahnitë figura e Václav Havelit. Shkrimtar i ditur e burrështetas i zoti. Njeri që vendin e vet, Çekinë, e bëri shtet normal, pas rrëmujës dhe tmerreve komuniste. Ai, jo vetëm se e shkëputi Çekinë me paqe dhe pa tensione nga makthi i komunizmit, por e lidhi fuqishëm me trungun e vlerave të përbashkëta të Europës së bashkuar. E familjarizoi dhe e humanizoi. Po ashtu, ai punoi me ngulmë që Europa të behej atdheu i vlerave të përbashkëta. Një mision ky i fisëm i Havelit, që e bëri atë një nga europianët më të mëdhenj të shekullit që lamë pas.
Ai, i urtë, i njerëzishëm, me dell e besim te fjala dhe pushteti i saj, luftonte për një kauzë të përbashkët. Sepse, vetëm kështu mund të jetësoheshin vlerat e përbashkëta të Europës së bashkuar.
Mirëpo, shumë pyesin pse ishte ai i veçantë, dhe çfarë e bënte atë të jashtëzakonshëm. Jiří Pehe, këshilltari i parë politik i ish-presidentit Václav Havel, përgjigjet kështu: “Shumë mund të pyesin se çfarë e bënte Havel-in të jashtëzakonshëm. Përgjigjja është e thjeshtë: njerëzia. Ai ishte i njerëzishëm, njeri me parime. Ai nuk luftoi kundër komunizmit për shkak të një agjende të fshehtë personale, por vetëm sepse ishte, sipas atij, një sistem i padrejtë dhe imoral.”
Në tekstin j inaugurues si president i Çekisë, ai flet rrjedhshëm, pa retorikë, por me sinqeritet:
“Jetojmë në një mjedis të ndotur moralisht. E ndotëm moralin duke thënë diçka të ndryshme nga ajo që mendonim. Mësuam të mos i besonim asgjëje, të shpërfillnim njëri-tjetrin, të kujdeseshim vetëm për veten tonë. Koncepte të tilla si dashuria, miqësia, dhembshuria, përulësia apo falja e humbën thellësinë dhe dimensionin e tyre, dhe për shumë prej nesh ato përfaqësonin vetëm veçanti psikologjike, apo i ngjanin përshëndetjeve që e kishin humbur rrugën që nga kohët e lashta, paksa qesharake në epokën e kompjuterëve dhe anijeve hapësinore…”
Thënë shkurt e shqip: të vërtetën e thonë vetëm ata që besojnë në të. Dhe, të tillët mundë të udhëheqin kauza të mëdha në secilën fushë të jetës.