Para dy ditësh më ra në dorë një libër me ese të shkurtra edhe pse unë nuk i parapëlqej esetë e shkurtra, por libri më befasoi pasi kultura e autores ishte e tillë saqë fenomenin shoqëror e kapte fluturimthi duke dhënë disa referenca mjaft fine që arrinin të zbërthenin gjithçka. Ky libër i quajtur “Fluturim” (që ndoshta mund të nënkuptojë dhe fluturimin e saj të pare e të guximshëm në këto qiej të eseistikës) është shkruar nga Kleita Vaso, të cilën nuk e njoh dhe fotografinë e së cilës e shoh në kopertinën e pasme të librit. Ka kryer një master për letërsi të krahasuar në Universitetin e Georgia-s dhe aktualisht ndjek studimet për doktoraturë në letërsi, art e kulturë në Poloni, çka padyshim në të ardhmen do ti shtojë diçka peizazhit të kritikës shqiptare. Megjithatë, bota shqiptare, të cilën ajo e përjeton shpesh, meqë vjen në Tiranën e fëmijërisë ku i gjen të gjitha ekstremet (dhe ku rri zgjuar kujtesa dhe dashuria e saj), i ka dhënë një lëndë tejet të pasur, duke i shkaktuar jo vetëm kënaqësi artistike por dhe e ka nxitur të shkruajë këto ese që rrokin një problematikë të shumëllojshme ku shpesh ke dëshirë të filozofosh, pasi jeta dhe filozofia pikëtakohen çuditërisht shumë shpesh. Titujt e eseve janë disa hokatare: “Aksidente dhe heroina”, “Humbja e flatrave dhe evoluimi nga fluturimi në ecje”, “Ndërtimi dhe shkatërrimi i Penelopës”, “Dashuri luanësh dhe lepujsh”, “Bota lind nga një fjalë”, “Përrallat që i tregojmë vetes”, ”Gazmore por jo tepër”, apo “Më kap po munde: Apollo dhe Dafne”… Duket qartë që është një vëzhguese e hollë e cila jo vetëm i sodit fenomenet shqiptare, shumë prej të cilave të panjohura deri më sot, por dhe i përjeton personalisht, ku gjithnjë është e pranishme. Ajo mediton për miqësinë, dashurinë, lumturinë, për jetën dhe vdekjen, e distancuar nga predikimet dhe ku shpesh ka diçka sokratike në ato çka shkruan: pra një filozofi në rrugë, në familje, në udhëtim, në vërshimin njerëzor, gjithnjë me një lloj humori që gjithçka e bën tërheqës dhe jo vetëm, pasi ajo vë dhe veten në pikëpyetje, se nuk kishte menduar drejt për një fenomen apo ndjesi, pra duke e vënë dhe vetveten përballë kritikës. I bëjnë përshtypje detaje të vogla të shoqërisë shqiptare por që kanë vlerën e asosiacioneve të mëdha, njëlloj si të shtrihesh në një lëndinë dhe të shohësh për një kohë disi të gjatë një fije bari, të pikasësh vesën në të, të kundrosh përkundjen e saj të lehtë, duke ndjerë njëkohësisht se ç’është në të vërtetë natyra… Vallë a përqëndrohemi shpesh që ta vështrojmë në një mënyrë të tillë natyrën njerëzore, vetë njeriun, tjetrin, të ngjashmin tonë, të ndjejmë shqetësimin e brendshëm të tij thjesht wordpress në një vështrim, në një prekje?… Gjithçka që ajo përshkruan është pra një përjetim në kuptimin e ndjesisë dhe se si kjo ndjenjë, brenda saj zgjon ide krahasimore që e pasurojnë atë që do të shprehë duke iu referuar librave që ka lexuar, filmave që ka parë, autorëve, piktorëve, skulptorëve, njerëzve të spektaklit, etj., pra përvojës njerëzore. E mbi të gjitha, duke lexuar, kupton se kultura e përftuar dikton një mënyrë tjetër të shkruari dhe ku denoncimi i një shoqëri që pranon plogështinë, mediokritetin dhe shfrytëzimin është tepër therrës.
E dashuruar pas Rilkes apo Thomas Man, e veçanërisht autorëve amerikanë ku dhe është shkolluar, ajo shpesh i referohet antikitetit, të cilën duket se e njeh mirë me gjithë mitet trallisëse të mugëtirës së kohrave, të cilat edhe pas 2000-3000 vjetësh kanë një modernitet të llahtarshëm: ato i kemi midis nesh dhe në këtë fillim shekulli: janë fytyrat e Andromakës, Medesë, Dafne-së, Hermesit, Orfeut… janë “Metamorfozat” e Ovidit që na shfaqen në skenën e jetës në kompleksitetin jetësor.
Duke shkruar për “zjarrin e shenjtë, ajo thotë se “zjarri i shenjtë”, pra ai i ambicjes, i ecjes përpara, i përkryerjes së diçkaje në këtë botë efemere, i referohet “flakës që ekziston brenda nesh kur lindim, por që gradualisht shuhet nga kërkesat dhe kufizimet e rrethanave të jetës sonë”. Mesazhi i saj është se këtë zjarr për të ecur përpara, për të ndërtuar, krijuar, s’duhet ta lëmë të shuhet, çka na përkujton dhe fjalët e Julienit në romanin e Stendhal-it “E kuqja dhe e zeza”. E pra, ajo adhuron të shkruajë, dhe ajo nuk do ta lërë këtë ambicje, nuk do ta lërë të shuhet këtë flakë që është brenda saj. Dhe ja pse librin ajo e mbyll duke iu referuar vargjeve të poetit të njohur Dylan Thomas “Tërbohu, tërbohu kundër shuarjes së dritës”… Këto vargje, thotë Vaso “do të më buçasin në kokë dhe ndihmojnë siç më ka ndihmuar gjithmonë bukuria dhe fuqia e fjalëve”.
Ja një pinjolle e Verbit që shkon me kurajo drejt dritës, nga e cila do të presim vepra të reja për një botë që duhet zgjuar…
L. Rama