Kadare nominohet për çmimin e BERZH, njihuni me kandidatët e tjerë

 

Çmimi BERZH i Letërsisë me vlerën €20,000, akorduar nga Këshilli Britanik dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), ka shpallur listën e shkurtër me tituj nga Turqia, Kroacia, Rusia, Shqipëria dhe Libani.
Nisur në vitin 2017, ky çmim do t’i jepet veprës më të mirë letrare të vitit që është përkthyer në anglisht, është botuar në Angli dhe në origjinal është shkruar në një nga gjuhët e 37 shteteve ku BERZH operon.
Gjashtë titujt e përfshirë në listën e shkurtër janë E gjithë bota është një skenë nga Boris Akunin (përkthyer nga Andrew Bromfield nga rusishtja, Weidenfeld & Nicolson), Belladonna nga Daša Drndic (përkthyer nga Celia Hawkesworth nga kroatishtja, Maclehose/Quercus), Kamarja e turpit nga Ismail Kadare (përkthyer nga John Hodgson nga shqipja, Penguin), Flokëkuqja nga Orhan Pamuk (përkthyer nga Ekin Oklap nga turqishtja, Faber & Faber), Stamboll Stamboll nga Burhan Sönmez (përkthyer nga Umit Hussein nga turqishtja, Telegram Books) dhe Maryam: Mbajtësja e historive nga Alawiya Sobh (përkthyer nga Nirvana Tanoukhi nga arabishtja, Seagull Books).
Kryetarja e jurisë është spikerja dhe gazetarja Rosie Goldsmith, shoqëruar në panel nga historiani Peter Frankopan, i cili punon në Kolegjin Worcester të Oxford, poeti Gabriel Gbadamosi dhe Lucy Hannah, producente dhe shkrimtare, si dhe themeluesja e programit të Shkrimtarëve të Commonwealth.
Goldsmith tha: “Mund ta parashikoj se ky çmim ka për të qenë jetëgjatë. Është ndryshe dhe i rëndësishëm. Kemi vepra që nga Armenia e deri te Shqipëria, vendet Baltike, Ballkani dhe më tej. Ky çmim më ka zgjeruar mendjen dhe domethënien e romanit. Kemi lexuar një roman feminist nga Turqia, një histori dashurie nga Beiruti, një libër me kujtime nga Maroku, një komedi të zezë nga Shqipëria dhe një satirë argëtuese nga Rusia. Këto janë vetëm disa nga hyrjet, nga shkrimtarë të njohur e deri tek ata që meritojnë të njihen: standardi i rrëfimit dhe i përkthimit është i shkëlqyer dhe fituesit do t’ju lënë me gojë hapur”.
Zëvendës sekretari i përgjithshëm i BERZH, Colm Lincoln, tha: “Ne shpresojmë se Çmimi BERZH i Letërsisë, jo vetëm do të nxjerrë në pah përkthimet më të mira të letërsisë artistike nga rajoni ynë, por gjithashtu do të inkurajojë botuesit në botën anglisht-folëse t’u japin më shumë rëndësi historive të shkëlqyera të rrëfyera në arabisht, turqisht, gjuhët sllave dhe gjuhë të tjera të rajonit tonë të stërmadh. Në anglisht lexohen shumë pak përkthime”.
Çmimi i parë prej €20,000 do të ndahet barazi midis autorit fitues dhe përkthyesit. Vendi i dytë dhe i tretë së bashku me përkthyesit, do të marrin një çmim prej €1,000 secili. Tre librat finalistë do të shpallen në fillim të marsit 2018.
Fituesi do të shpallet në Londër në një ceremoni në zyrat qendrore të BERZH, në adresën One Exchange Square, datë 10 prill 2018, një natë përpara Panairit të Librit të Londrës. Gjithashtu, në Panairin e Librit të Londrës do të mbahet një organizim, i cili këtë vit do të paraqesë libra nga vendet Baltike, një nga rajonet ku BERZH operon.

https://www.thebookseller.com/news/20k-ebrd-literature-prize-reveals-inaugural-shortlist-723786

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *