Shaban Murati
Mbarova së lexuari romanin “Të ftuar në Rrethin e Dhjetë” të shkrimtares Flutura Açka, dhe kam mbetur i befasuar nga forca dhe pjekuria artistike dhe filozofike e trajtesës dhe e formësimit të kësaj vepre të denjë të letrave shqipe.
Problemet ekzistenciale koherente të njeriut, të ndjenjave, të moralit, të shpirti dhe të shoqërisë njerëzore ngërthehen mjeshtërisht në një sinkronizim artistik të veçantë.
Si një roman i madh i letrave shqipe, “Të ftuar në Rrethin e Dhjetë” ngërthen disa enigma të përhershme të letërsisë dhe të jetës, të cilat kanë nevojën e një kontributi të secilës kohë njerëzore dhe historike për t’u kuptuar gjithmonë e më shumë.
Romani juaj e sjell këtë kontribut nëpërmjet dritëhijeve të reja dhe të vjetra të shpirtit njerëzor si një galaktikë, që ka nevojë gjithmonë për të eksploruar yje të rij.
Triptiku, që i jep emocionin e veçantë romanit:
Të trondit loja e unit dhe e ekzistencës, që përshkon romanin. Sa origjinalë e të veçantë, aq dhe përgjithësuese fatet e personazheve, që ndërthuren si trupëzime apo shenja dalluese të ideve, të shpirtrave, të konflikteve, të dilemave dhe të të panjohurave të mëdha.
Ka një origjinalitet të rrallë zhbirimi psikologjik, ekzistencial, human dhe shpirtëror në raportet me Jan Van Andel, që janë ndër faqet më të mrekullueshme të letërsisë shqipe të këtij shekulli.
Të trondit loja e dashurisë si një krijim poetik i një udhëtimi nëpër kohë të pakohë, e cila nuk mund të mbarojë kurrë dhe pikërisht për këtë shquhet letërsia e madhe që ta çojë lexuesin në hapësira dhe pamje ndjenjash, që nuk i rrok dot.
Dashuritë e mëdha, që nuk kanë kufij dhe adresë kohe apo vendi apo njeriu unik, te Gjeneza apo Genti apo Van Andel apo Majla, janë po aq sublime sa kopjet klasike të dashurive të mëdha me fillim dhe me fund. Romani e sheh dashurinë si diçka të madhe, që i përket shpirtit njerëzor dhe jo një emri të veçantë dhe kjo e bën edhe më tokësore, edhe më pranë njeriut të sotëm.
Të trondit loja e shoqërisë dhe e historisë, që rrok metamorfozën e enigmës ende të padeshifruar të rënies së komunizmit në Europën Lindore, përfshirë edhe Shqipërinë. Mendoj se kjo linjë e romanit përbën një kontribut të shquar në ndriçimin artistik të dinamikës dhe të katrahurës dhe të ndryshimeve reale, ireale, të vërteta dhe të rreme, që ndodhën në vendin tonë. Zbërthimi artistik i fenomenit “Shqipëri”, ku siç kam shkruar diku: “edhe monarkia, edhe komunizmi, edhe demokracia ishin karikaturë”, është një detyrë e pakryer e letërsisë shqiptare në letërsinë europiane.
Romani “Të ftuar në Rrethin e Dhjetë” i Flutura Açkës plotëson një nevojë njohjeje kulturore dhe shpirtërore për publikun e gjerë jo vetëm të vendeve ish-komuniste, por më gjerë në shkallë europiane. Nuk mendoj se ka ndonjë vepër tjetër letrare të periudhës 25-vjeçare postkomuniste në letrat shqipe, që të pasqyrojë me kaq art dhe me kaq vështrim analitik dhe sintetizues të vërtetat e hidhura dhe format e një përmbysjeje, që qe më shumë si inerci, se sa shtytje njerëzore.
Është një kapitull historik shqiptar, por që jep një filmim artistik origjinal të ballafaqimit historik midis regjimit komunist mbytës dhe aspiratës për demokraci. Kemi ndërthurjen e fateve njerëzore me fatet e shoqërisë, por edhe forcën e individualitetin e fateve njerëzore të fuqishme, që ngrihen mbi iluzionet dhe zhgënjimet, që historia u rezervon popujve në zhvillim e sipër. Kjo forcë shpirtërore e bën romanin të ketë koloritin e pandashëm të shpresës dhe të shpirtit optimist njerëzor.
Mendoj se romani “Të ftuar në Rrethin e Dhjetë” do të duhej të përkthehej në gjuhë të huaj, sepse niveli i lartë artistik, tema tejet interesante, dhe forca psikologjike e filozofike, e bëjnë një vepër të denjë për lexuesin europian, që të mësojë edhe të kuptojë pjesën gjeografike dhe historike më të pakuptueshme të Europës në 30 vitet e fundit, pjesën Lindore të saj.
Si veçori e një vepre të madhe kemi në roman shkrirjen sa elegante, aq profesionale midis narracionit dhe filozofimit, gjë që është aq e vështirë dhe që është shpesh herë i paarritshëm edhe për shkrimtarë me stazh më të gjatë letrar.
Forca artistike, pasuria e mjeteve shprehëse dhe kultura e thellë i japin mendimit estetik dhe shijimit estetik një ndikim iluminues të fortë mbi lexuesin, duke e nxitur atë të prodhojë mendim dhe të futet thellë në detin e zhbirimit psikologjik shpirtëror dhe mendimor të autores.
Duke qenë përshkrim origjinal artistik për jetën e sotme shqiptare, romani “Të ftuar në Rrethin e Dhjetë” tejkalon kufijtë e identitetit të vet lokal dhe shndërrohet në një vepër me horizonte të gjëra letrare, që i flet edhe lexuesit shqiptar, edhe lexuesit europian, edhe qytetarit botëror, ambicie artistike që mund ta realizojë vetëm një fuqi e veçantë artistike.
Rrëfim
Firence, qershor 2016.
Tre miq të vjetër qysh nga fëmijëria, të cilët e kanë lënë Shqipërinë në rrethana dhe në kohë të ndryshme pas kapërcyellit të 1990-tës, vendosin të festojnë së bashku 50-vjetorin e lindjes. Por në jetëshkrimin e tyre prej shqiptarësh tashmë në emigrim, përzihen gjurmët e së shkuarës nën diktaturë, rrugëtimet e veje-vijës së shpeshtë në vitet e lirisë mes dy atdheve të tyre dhe shenjat e përpjekjes për ta mbrojtur thelbin e tyre mes identitetit etnik të lindur dhe atij europian të fituar. A janë ata të përgatitur ta fshijnë të shkuarën shqiptare, e cila befas ende ua dikton dhe ua helmon ndonjëherë jetën? A do të munden ata të mbeten miq edhe pas shqyrtimit që ky takim i pafajshëm do t’u kërkojë, shqyrtim që shpesh nuk lidhet me ata vetë, por që kryqëzohet dhe ndikon në jetët e tyre? Kjo rrëfenjë që shtrihet në gjysmëshekullin e fundit shqiptar dhe që merret me shtegtimin e viteve të fundit të mijëra shqiptarëve nëpër botë, është një sagë mirëfilli shqiptare e luajtur në Europën e sotme. Ky rrëfim është një kushtim për dashurinë njerëzore, për dashurinë si sublimim që nuk e zhbën koha dhe një triumf për atdhedashurinë, të tretura në gjakun shqiptar nga substanca më e bekuar e kësaj bote: Liria.
Ü “Flutura Açka është një nga zërat shqiptarë sqimatarë.”
Dacia Maraini, Itali
Ü “Flutura Açka është si Marguerite Durasi – mbiemocionale.”
Amelija Liçeva, Bullgari
Ü “Açka, është një transkriptuese e fortë e emocioneve.”
Ennio Grassi, Itali
Ü “Stili i Açkës, me përfytyrime dhe skena të gjalla, ka ndonjëherë elementë të sagave të vjetra.”
Arjan Peters, Holandë