Namaste, Fort i nderuar, i panjohuri im, Alek!
Më lejoni që përmes kësaj karte, dërguar nga një vend ku jetojnë dembela fisnikë, që gjithë ditën shullëhen kafeneve e thartohen me thashetheme, t’ju shpreh me sinqeritet brengën time për hatanë që ju ka gjetur.
Mora vesh nga disa njerës me të cilët jesh ulur të bëja nja dy muhabete të sërës sime, se duhet të iknin shpejt në shtëpi sot se nuk donin të humbisnin funeralin që jepej me rastin e ikjes së gruas tuaj nga kjo botë.
Në moment mbeta si dru, i shushatur, pasi nuk kisha dëgjuar kurrë për ju e gruan tuaj ma do mendja fisnike, të them të drejtën. Pashë njerëzit që po braktisnin kafenetë për të kapur orën e gjëmës tuaj. Mbeç i ngrirë në vend.
Unë nuk e dija se mileti ish lajmëruar qysh në të gdhirë për këtë ngjarje kaq të trishtuar të jetës suaj.
Ç’të të them Alek i shtrenjtë!
Ju nuk e kini idenë sesi u prit ky lajm nga zulutë. Me pankarta të mëdha ku çfaqej imazhi i gruas tuaj të bukur, me lajme pikëlluese në gazeta, me lot e zi.
Miku im i largët e i panjohur, vdekja e gruas suaj na ka hequr shijen e jetës. Ne kot kemi rrojtur, po tani do rrojmë edhe më kot.
E kuptoni se ç’do të thotë për ne vdekja e së bukurës Sadna. Po ky popull sytë i ka nga ju, nga lumturia e nga brenga juaj.
Ndaj fort i shtrenjtë, bëhu i fortë e qëndro si lis më këmbë.
Bëhu i fortë për ne zulutë. Me zëmër këta njerëz sot janë në Indinë e larkët, me shpirt tek shpirti i përndritur i Sadnës.
Alek, ne Ju, kemi.
Ju kini qenë gëzimi ynë, se që ta dish ti këtu hapësirën më të madhe e zë një burrë i gjatë që flet tërë ditën për një ëndërr të larkët që zulutë nuk e kapin kurrë. Pale shokët e tij, të gjithë miqë të afërt të Salembozës. Të tjerat nuk ua shpjegoj dot se ma do mëndja as ju s’ua kini fort genë prej hallit tuaj.
Por nëse ua lehtëson sadopak atë therje në gjoks kjo mandatë, dua t’ju thom që populli ynë rrallë ka njohur dhimbje aq të mathe sa të qajë me ligje të vdekurit. Kjo ka ndodhur vetëm për personalitete të çquar që do u ketë ardhur jehona der aty tek ju, si Enver Hoxha, i patremburi komisar Katani, Ezeli e tani e juaja Sadna.
Në ëmër të atdhetarëve të mi po marr përsipër mbi shpatulla t’ju falem nderit, për veprën e gruas suaj.
Ju qoftë i lehtë ky moment. Do të të ndjek në të papriturat e tjera që jeta ka rezervuar për ju deri në fund.
Hiri i Sadnës qoftë diell për Zululandin!
I juaji, i drejti dhe i pacensuruari me zi në zëmër, Dr.Gjilpëra