Ai nuk njohu vetëm dashuri të mëdha, por dhe humbje të mëdha. Pjesa më e madhe e femrave që dashuruan Pikason, patën një fund tragjik. Mari Terezë Uollter vari veten, Zhaklinë Roke u zhduk, Olga Shoshlova dhe Dora Mar u çmendën.
“Vetëm unë jam akoma gjallë dhe shëndet plotë”, do të shprehej vite më parë Françoise Gilot, kritike arti e njohur për lidhjen e saj të dashurisë me Pikason. Në kujtimet e saj, Gilot tregon më tepër për gjeniun, duke thënë se atë e çmendte ideja që një prej grave të tij mund të jetonte më gjatë. “E dini ç’më ka thënë njëherë? “Ti nuk do të jetosh më gjatë se unë”, tregon ajo. Ajo mendon se nëse ai do të ishte ende gjallë, do ti thoshte se ti jeton sepse s’të kam bërë të vuash.
Për të ekzistonin vetëm dy lloje grash: perëndesha dhe nepërka. “Kur isha shtatzënë me vajzën, Pablo shkoi në Varshavë për të marrë pjesë në një konferencë për paqen. Ai do të qëndronte atje vetëm disa ditë dhe më premtoi se do të më shkruante.
Jo që nuk ndodhi kështu, por në vend që të më shkruante mua, i çonte telegrame shoferit të tij. Pablo qëndroi në Varshavë katër javë. Kur u kthye në shtëpi, me një buzëqeshje në fytyrë, më pyeti nëse isha e lumtur që u kthye, ndërsa unë e mora me shkelma. Të paktën në atë çast isha perëndeshë. Prej atij momenti, kur ishte larg, më shkruante çdo ditë”, kujton Gilot.
Për të, ai ishte një burrë taleban. “Ose më saktë spanjollët janë të prirur për sadizëm në forma ekstreme dhe te Pablo kjo ishte një pjesë e rëndësishme e personalitetit të tij. Një herë, duke bërë shaka, i thashë se isha djalli. Ai më hodhi një vështrim të ligë dhe pastaj m’u përgjigj: “Ti je një engjëll i dalë nga zjarri im, kështu që je e nënshtruara ime dhe unë do të damkos”. Më afroi cigaren në qafë, por kjo nuk e kënaqi, sepse nuk m’u drodh as qerpiku. Pastaj në fund tha: “Jo, mund të kem dëshirë të të shoh sërish në të ardhmen”, thotë ajo.
Ajo kujtonte takimin e tyre të parë me Henri Matis, sesi veshi një këmishë me ngjyrë jargavani dhe një palë pantallona jeshile. “E dija se do t’i pëlqenin ngjyrat e zgjedhura, sepse ia dija shijet. Matis kishte një sens të jashtëzakonshëm humori dhe u soll sikur nuk dinte gjë për lidhjen time me Pablon. Ai i tha të dashurit tim se donte të pikturonte portretin tim, me trup blu dhe flokë të gjelbër.
Kur u kthyem në shtëpi, Pablo filloi të ulërinte: “Si guxon? Këtë mund ta bëj unë”. Ne kishim tre vjet që bashkëjetonim, por nuk më kishte bërë asnjë portret”, thotë Gilot. Por si ishin raportet mes Matisse dhe Pikassos? “Ata ishin miq. Matis ishte dy vjet më i madh dhe luante rolin e babait. Pablon nuk e bezdiste diçka e tillë, ndaj e pranonte. Një herë duke bërë shaka, Matis tha se ishin si dy polet e Tokës. Ai vinte nga veriu i Francës, ndërsa Pablo nga jugu i Spanjës. Dhe Pablo iu përgjigj: “Dakord, unë jam poli i jugut, sepse është më i ftohtë. Shkëmbenin pak fjalë, më tepër i hidhnin vështrime njëri-tjetrit. E konsideronin veten sovranë. Ishin gjenitë më të mëdhenj të kohës.
Ne flasim gjithmonë për një art në një republikë ku të gjithë janë të barabartë. Nuk është kështu, disa janë më të barabartë se të tjerët”, thotë ajo. Në vitin 1953 ajo do të largohej nga ai, për të bërë jetën e saj e vetme.
Ata ishin njohur në vitin 1943, por edhe pse historia e tyre kishte një fillim dhe një fund, ishte pasioni më i madh i jetës së saj. “Nuk kam përjetuar më një pasion të tillë. Lidhja jonë është shkruar tek unë me letra zjarri”, tregon ajo. Gilot e kishte ndjerë që në fillim që gjerat nuk do të kishin një fund të lumtur.
“Deri në momentin që nuk jetonim bashkë, lidhja jonë shkonte vaj, por Pablo donte që unë të shkoja tek ai dhe pas tre vjetësh gjithçka mori fund. Të jetoje me të do të thoshte të humbisje komplet bukurinë, gjë që është e padurueshme me një person aq autoritar.
E dija se historia ishte e destinuar të dështonte, por ishte një dështim që duhej jetuar. Me Pablo Pikason jeta nuk ishte kurrë e mërzitshme.
Në mëngjes, ose më saktë para orës dy të drekës, Pablo ishte shumë depresiv. Thoshte se jeta e tij ishte e padurueshme, që nuk i interesonte më asgjë. Në darkë ndryshonte totalisht, ishte në qiellin e shtatë.
Nuk kam takuar kurrë më një njeri të tillë në jetën time”, kujton ajo. Gilot është e vetmja grua që la Pikason. Por a është penduar? “Jo, sepse situata ishte bërë vërtet e papërballueshme. Kisha pritur mjaftueshëm, edhe për shkak të fëmijëve.
Pablo dëshironte një fëmijë tjetër për të më mbajtur kastile të lidhur pas vetes, por unë nuk mundesha më. Në mungesë të një dëshire të parealizuar, bëri një skulpturë të një gruaje shtatzënë.
Nuk më pëlqeu shumë dhe kur ia ktheva mbrapsht, i preu këmbët”. Ai do ta kërcënonte duke i thënë se asnjë grua nuk mund të lejë një burrë si ai. “Ndërsa unë iu përgjigja duke i thënë: prit dhe do të shohësh.
Ishte një provokim dhe mendonte se pushteti i tij mbi mua ishte i pamposhtshëm. Në një farë pike, sadizmi i tij mendor ishte më i keq se mizoria fizike: kjo ishte arsyeja që mbaroi edhe dashuria ime për të.
Nuk kam dashur kurrë njeri tjetër kështu, por nuk doja as të isha skllave. Nëse do të kisha qëndruar me të, fëmijët e mi do të ishin rritur në një mjedis negativ”, kujton Gilot. (Burimi: Pikante.al)