Poezia e një mjeku

Nga Prof.dr. Tefë Topalli

Kush e njeh mjekun e ri të klinikës së neurokirurgjisë të spitalit universitar të Tiranës (sot me emrin “Nënë Tereza”), doktor Emil Asdurianin (dhe ata janë shumë, ndonëse aty ai shërbeu vetëm 12 vjet), do të na qortojë për titullin e këtij shkrimi, duke thënë se dr.Emili kishte poezi, së pari, në profesionin e tij dhe, mbi të gjitha, kishte poezi fjalën plot admirim, kortezi dhe respekt jo vetëm me pacientë, por me të gjithë ata që këshilloheshin me të, me ata që e falënderonin, dhe e kujtojnë sot e gjithë jetën për dijet e shfaqura, për guximin e veprimeve të tij operative mbi baza shkencore. Shkruesi i këtyre radhëve e njeh mirë mjekun e ri të viteve ’90, kur përshkonte me aq dinamizëm korridoret e dhomat e të sëmurëve, kur u fliste hapur atyre dhe me ta gjente gjuhën e duhur për problemet e diagnostikimit, zhvillimit të mëtejshëm e konkret të sëmundjes, deri në anamnesën e plotë të saj. I ka takuar autorit të këtij shkrimi të trajtohet atëherë dhe pas 20 vjetësh në të njëjtin spital që sot mban emrin e një humanisteje me famë botërore dhe mund të ravijëzojë çfarë ka ndodhur me shëndetësinë dhe heronjtë e saj, vëllezërit a bijtë e Hipokratit….por këtu po shprehim dy fjalë për poetikën e një mjeku, që e kemi adhuruar familjarisht jo veç ne si prindër, por edhe djali ynë i rritur sot, atëherë në duart e tija, vetëm 5 vjeç…..

Është doktor Emili bir i prejardhur i Armenisë martire, që vuajti gjenocidin e pashembullt shfarosës të fillim shekullit XX, nga turqit, një barbari e kohëve moderne, që nuk ka kaluar pa u demaskuar as nga Gjergj Fishta tek poema “Tatari i Diplomacisë” (1911) të përmbledhjes “Anzat e Parnasit”, ku shkruan:

 

Është autori i këtyre vargjeve, njëri prej françeskanëve të shquar për dije e kulturë e atdhetarizëm, për të cilët shkruan mjeku-poet se në rininë e tij të ndrydhur brenda një muri të betontë të një diktature, që u mundua të asgjësonte plotësisht lirinë e individit, gjente dhe përpinte me ëndje çdo libër në gjuhë të huaj, mbetur bibliotekave nga një kohë e largët prej fretërve françeskanë.[2] Kishte ngjarë me brezin e doktorit të ri (edhe me tjerë para tij) ajo që thoshte P.Neruda se “sa herë që vritet liria, vdesin poetët”; tek ne ato vite të gjata kishte vdekur njeriu në tërësinë e tij, ishte dehumanizuar.

 

Të habit jo veç vargu i qëlluar i këtij mjeku-poet, por edhe proza aq e qartë dhe e ndërtuar bukur në parathëniet e dy përmbledhjeve poetike. Ato janë ese të mrekullueshme malli për Atdhe dhe ankthi për botën e re ku ka shkelur prej vitesh tashmë. Janë vargje bashkëbisedimi me veten, si shprehet autori, janë relikte të një jete, që kapërcyen oqeanin, që kur shihen a preken, të shkaktojnë dhimbje e lot, diku edhe lot lamtumire…..

Po, shkruan mjeku i ri në përmbledhjen e parë “Lulet e egra”, ky është një libër me poezi dashurie shkruar në mërgim, pas një dhjetëvjeçari mbijetese dhe përshtatjeje me një gjuhë të re, të veshur me tjetër petk, me mijëra ngjyra e me doke të tjera, me të cilën duhet të gëzohesha e të vajtoja, me frikën se nuk mund të dëgjohesha më, e për pasojë nuk mund të mbijetoja më.”

Përgjatë leximit të të poezive të E.Asdurianit bindesh se autori i ri e ka një gen arti të trashëguar dhe të mëkuar nga e ëma, ai ka në vete detin e paanë të krijimit, detin e fëmijërisë dhe të rinisë dhe është futur në të fshehtat e fjalës, në magjinë e saj; se fjala është si vala e detit, që tërheq e shtyn, godet e mbron, rrëzon dhe ngre, lëmon e ashpërson, të zbardh me shkumë, por edhe të mbulon me kaltërsinë e pafund….; prandaj dhe ka aq shumë motive deti në vargjet e doktorit, sepse kujtimet i zgjojnë xhixhivalët e dëshirën e pafund për të mos braktisur detin, nën përgjimin e syve të babait, ata sy armenë, që mbartnin dhembjen a dashurinë e gjithë botës sime. Poezia, për poetin larg kujtimeve, nuk është vetëm mall, po është shpesh një bisedim i heshtur me veten, për sa e sa të fshehta që si valët – fletët e një libri i mbajmë të mbyllura thellë në brendësi të mendjes…Emil Asduriani ka njohur e ka hyrë në përmbajtje të mjaft shkollave poetike moderne, atje në Tokën e Re, që ka zgjedhur të jetojë dhe është i lirë të modelojë gjuhën e vargun sipas tyre, të dalë nga skemat e kanonet letrare, t’i thurë vjershat me rendin e valëve, ku mund të ndërrojë regjistrin e fjalëve si të dojë krijuesi dhe lexuesi, pa titujt që kufizojnë thelbin, deri edhe tek struktura e polindromit:

Kur, pas leximeve të shumta në shqip e në disa gjuhë të huaja, ai është bindur se libri me poezi ka një tipar tjetër, më të zhdërvjelltë, më të butë, [ku] mund të hysh vjedhurazi nga një dritare edhe pse dera është e hapur,

E.Asduriani nis e derdh dhuntitë e veta për artin

poetik nëpërmjet figuracionit apo hermetizmit, sepse ky art atij i ka ardhur si rreze drite: përmes së cilës autori dhe mjeshtëria e vargut kanë gjetur njëri-tjetrin:

Mbizotërojnë tek tuba e parë poetike “Lulet e egra” poezitë e dashurisë, të përshkuara të gjitha nga “shigjetë e Kupidit”, ku gjejmë modele vargënimi me ëmbëlsinë e rimemave shumë të qëlluara, edhe pse autori nuk vjen në krijimtari si rob i metrikës dhe i klauzolave me rimë, si në pasazhet e dy poezive në vijim, të cilat ngërthejnë një organizim sipas mënyrës që e karakterizon sintaksën së vargjeve, ku bie në sy simetria:

 

 

Mjeku ynë poet është i bindur se dashuria vjen nëpërmjet pushtetit të fjalës dhe magjisë së syve (shikimit) që janë si det, që flasin mbase më thellë se fjala, që shkëlqejnë e ndizen flakë, që djegin e shkrumbojnë e pastaj lumturojnë e depërtojnë deri në shpirtin njerëzor, për ta ngritur atë aq lart:

“Ajo e nxehur s’është, e frikë s’ka më,

plot nga kjo botë ka parë e prapë s’i dha gjë,

ndaj të flet me ata sy, të vetmit që xixëllojnë aty,

gjithçka përreth humbet pa vlerë e pa zë,

lum i krisuri

që e ka prekur, e ka ndier mbytur në atë det atje.

 

Edhe në pjesën tjetër të poezive pa metër e rimë, ka midis vargjeve rimema të goditura, në sintagma poetike të afërta apo të largëta, të cilat vijnë e mbajnë peshën e ritmit dhe timbrit të poezive (me gjithë dendurinë e rimave foljore), sidomos atyre që kanë temë dashurinë, dhe ku alternohen rimat foljore me klasa të tjera fjalësh, si:…t’i ndjej paksa/…që dritë s’pa; besomë, asgjë/…nuk e nxë; s’e mbush dot/…që nga sytë nxjerr lot;  jarani yt plak/..e kam në gjak; s’e thonë vërtet/… se jam poet; i akullt paksa/… më shumë yje ka; ti tek unë/…e thua “shuuuumë”; t’i dorëzoj të tëra/…e njoma si era; lart e ngre/…si shiu mbi dhe; e të madhit det/…zemra ime mbet, etj. Siç ka edhe strofa “të kopsitura” me skema rime klasike:

Falmë, se dita do kthehet përsëri,                       e unë do iki e prapë tek ti do vij,

e ty do të marrë, por edhe mua,      (f. 81)          të rri e të fle mbi qepallat e tua.

 

Sigurisht që në pasazhe të ndryshme, në labirintet e ndjenjave, kur individë të qetë e të shtruar vijnë e kapërthehen në botën e hoveve  njerëzore, bashkimet në sintagma edhe thyejnë ligjet e valencës semantike, siç gjemë tek “Heshtja jote” (f. 38) në përshkrimet virtuale: …besomë me sy hapur e mbyllur,/ ato çaste, orë e pak ditë/ kur s’isha më unë,/kur ti s’ishe më ti,/kur ti ishte frymë-era/ e unë veç i zjarrti lumë. Si këto, edhe figurat biblike, të rralla për t’u thurur e konceptuar: Si Adami u zgjova,/me shije-mollën e trupit tënd…(f. 93). Ose: …sa herë si era fjalitë m’i prish…(f. 94), pa përmendur skenat e nxehta “këmbët tona…si kulpra putheshin pa pushim…(f. 98); Jepma ti ballin e lartë, që t’i flas,/edhe pse me retë flet;/Jepmi ata sy që detit i vodhën thellësinë,/se atje dua të zhytem e të humbas.(f. 99) etj.

Në vëllimin II “Deti, valët dhe fjalët[7]poeti zë e del në botën e lirë të vjershërimit, pa masë e rimë, pa skema theksimi, kështu që “pushteti i fjalës” vjen e rritet duke lënë gjurmët e tyre në ngjyrimet e ideve, sepse përsëri autori shfaqet i pangopur në dashuri”. Janë 65 poezi, alternuar me tituj e pa tituj, por një cikël i lidhur në tematikë dhe i mbushur me botën e pafund të ndjenjave të bukura që e drejtojnë dhe sundojnë njeriun, që nisin me fjalën “det” e me Poseidonin-mbret të tij, ku ravijëzohet si vala e valës me valën dhe mbyllen me verën, stinën që afron aq shumë njeriun me detin. Dhe dalin varg pas vargu: Karonti plak, Çirçeja e magjisë, Hermesi i zjarrtë, që përcjellin ndjenjat e pazakonta që kapërthejnë shpirtrat, prandaj dhe autorit i është dashur të operojë me togje dyshe të tilla, si: thonj e kthetra, trishtim e gjak, rënkim e mbytje, gaz e çmenduri, kafshim e tkurrje etj. Vërejmë gjatë leximit se në sekuenca të ndryshme të poezisë, peshën stilistike dhe forcën shprehëse ta mbajnë kompozita të tilla, si: trupbëshëm, vështrimngrirë, mendjehumbur, sypërdhe, petalveshur, rrudhëbutat, këmbëhollat, mendjekthjellët, pedëlehtë, fundtrupi, kryembajtës, krahëlëshuar, verëmjaltë, llërëpërveshur, hurmëmbël, ngjyrëdielli, gjoksbardhë, kurorëdritë, gjibutë, shkumprarues, etj., një pjesë e të cilave mund të shihen si neologjizma.

Veç kësaj, poetika e kësaj përmbledhjeje të Asdurianit, mbështetet sidomos tek sintagmat e poetizuara në bashkimet dyshe e treshe të fjalëve, që jo vetëm kanë forcë arti në vetvete, por ngrenë breroren e vargut, fjalisë dhe vjershës në tërësi. Janë të tilla që edhe shijohen artistikisht, tërheqin shpirtërisht dhe të futin në kuadrin e ideve që synon të shprehë poeti: përvëlim i puthjes, fëshfërimë dhimbje, jam rrebeshi, stuhia jam, si flladi kusar, kala e kujtimeve, lot valësh, ndjesi egërsie, ndëshkim i mallkuar, puth detin në çdo valë, barkë e braktisur, puthje kripe, kafshuar butësisht, vështrimin përpij, puthje fryme, zbukuruar me dritë, gjurmë në rërë të fëmijërisë, thika shtizë e vështrimit tënd, dlirësi virgjërie, kripë lumturie, fëshfërimë e këmishës, puhi e frymës tënde, breg kujtimi, kulpërohen rreth meje, t’i kulpërosh rreth meje, lodhur nga dihatja, zbrazësi e kobshme, jerm kënaqësie, grindje çamarroke, re të përhumbura, shtrat i zbardhur nga hëna, shfryn me shkumë (deti), vullkan dëshirash, buzëqeshje sa qielli, i humbur në humbëtirë, i verbër në errësirë, i shurdhër në heshtje, etj.

Nuk është “rebelim” poetik i autorit paraqitja e strukturave aq të lira gjuhësore-poetike, deri edhe në pikësim, por në mënyrë të veçantë, shfaqja e asaj që quhet vjersha-frazë a poezia-periudhë, përndryshe, gjithë organizimi i sintaksës në tërësi me një, dy apo deri në 3 – 4 fraza. Është një gjetje gjuhësore, ku mbizotërojnë jo foljet po klasa të tjera fjalësh; emra, mbiemra, ndajfolje, përemra, përgjatë vargjeve njëfjalëshe e me pak leksema që mbajnë ritmin e theksat e poezisë….Aty-këtu, autori vjen dhe e thyen këtë “devijim” nga shkolla e ngurtë poetike e traditës dhe, duke shtruar ndjenjat e njeriut midis valëve, puqjen me natyrën, arrin të kthejë në ëmbëlsinë e rimës, si mund të pohojmë me modelet në vijim, ku shfaqja e rimemave “ujit” gjithë pasazhin:

 

 

Lidhur me shfaqjen e kësaj poetike, si në dy përmbledhjet e E.Asdurianit, krijimet e tij mund të shihen jo vetëm nga pikëshikimi letrar dhe artistik, nga figuracioni e teksti, nga leksiku dhe frazeologjia, kompozicioni dhe klasat e fjalëve, semantika dhe shprehësia. Një gjë vjen e sigurt për lexuesin dhe çdo hulumtues: vjershërimi i autorit  ka poezi, ka gjuhë dhe tregues bashkëkohorë të ndërtimit të vargut; në vështrimin sintaksor, themi se ai ka dhuntinë letrare të arrijë shprehësinë e figurshme, të përcjellë ndenja të thella të shpirtit njerëzor. Pa dyshim se poezia dhe letërsia në tërësi, qoftë edhe proza si paratekst i dy vëllimeve të autorit, i kanë vlejtur dhe i zënë atij deri diku, vendin e mallit të pashuar për Atdheun e largët, që ia sjellin më pranë, si dashuri të përjetshme.

 

Tiranë, 25 janar 2018

[1] Dr. Emil Asdurian lindi në Tiranë, më 1958. U shkollua në këtë qytet dhe u diplomua me rezultate të shkëlqyera në UT; punoi për 12 vjet me radhë në klinikën e neurokirurgjisë dhe u njoh aq shpejt për përgatitjen shkencore, ndërhyrjet e guximshme në sallën operative dhe, mbi të gjitha, për komunikimin me pacientë dhe në rrethet shoqërore. Ka kryer specializime jashtë shtetit: në Francë dhe SHBA, ku dhe emigroi  në vitin 1995. Atje vazhdon të jetojë edhe sot, duke punuar si pedagog (profesor mjekësie) në disa kolegje. E ka dashur poezinë si receptues i saj gjithë jetën, është marrë me përthime të pjesshme nga shumë autorë në zë të letërsisë botërore, falë gjuhëve të huaja që njeh e ka botuar krijimtari prej tyre: nga Charles Boudelaire, Arthur Rimbaud, Paul Eluard, Jacque Prevert, Charles Bukowski, Margaret Atwood, Pablo Neruda, Angel Gonzales, Cesar Vallejo, Pedro Salinas, etj. Por edhe vetë ka provuar të shkruajë poezi e ka botuar në këta dy vitet e fundit, dy vëllime poetike: ”Lulet e egra” dhe “ Deti, valët dhe fjalët” (Botimet Toena, 2015,2016).

[2] Asdurian, Emil. Lulet e egra, Botimet Toena, Tiranë, 2015, f. 7, 8.

[3] Po ai, po ay, f. 10.

[4] polindrom-i, strukturë sintaksore, ku fjalë a fjali mund të lexohen me të njëjtin kuptim nga e

djathta në të majtën dhe anasjelltas, p.sh.: shesh, nën, shish, shosh, mam, sus, Soros, etj.

[5] Po ai, po aty, f. 11-12.

  1. Asdurian, Emil. Lulet e egra, Botimet Toena, Tiranë, 2015, f. 13.

[6] Asdurian, Emil. Lulet e egra,  (Sytë e tu), Botimet Toena, Tiranë, 2015, f. 96.

[7] Asdurian, Emil. Deti, valët dhe fjalët,  Botimet Toena, Tiranë, 2016.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *