Këto ditë mendoj për erën në flokët e tu
dhe për vitet në këtë botë që paraprinë ardhjen tende
dhe për përjetësinë ku para teje kam për t’shkuar;
dhe mendoj për plumbat që nuk më vranë në betejë
por vranë miqtë e mi –
me të mirë se unë ata ishin, sepse
nuk jetojnë më;
dhe mendoj për ty nudo para furrnajës së verës
e përkulur mbi një libër që të lexosh më mirë
në dritën e ditës që po shuhet.
Po, kem’ jetuar më shumë se një jetë.
Dhe tani duhet ta peshojmë çdo gjë në peshoren e ëndrrave
drobitëse dhe t’paqtojmë
kujtimet e pamëshirshme
me atë çka njëherë qe e sotme.
Shënim i Lazër Stanit: Përkthimi i një poezie është një punë tepër e vështirë, më e vështira ndoshta, ndërsa përkthimi i një poezie nga një gjuhë e dytë, është i pamundur. Amichai-n në shqip, e kemi lexuar të përkthyer nga autorë të ndryshem, kryesisht nga anglishtja, pasi asnjë prej përkthyesve, nuk e ka ditur hebraishten. Në anglisht Amichai-n e kanë përkthyer Chana Bloch dhe Stephen Mitchel, dhe poezitë e tij ngjajnë përfekte në këtë gjuhë falë përkthimit profesional. Gjithashtu e kanë përkthyer dhe autore të tjerë, me pak të njohur. Amichai është përkthyer dhe në gjuhë të tjera, përgjithësisht nga emra të njohur. Të paktën në gjuhët që unë zotëroj deri diku, në anglisht, rusisht, italisht, përkthimet janë nga emrat të njohur poetësh dhe përkthyesish, megjithatë, kur e lexon të njëjtën poezi në gjuhë të ndryshme bindesh se përkthimi nga një gjuhë e dytë është i pamundur. Diferencat e përkthimeve në gjuhë të ndryshme, pavarësisht se i referohen të njëjtit tekst në original, janë të ndjeshme.
Megjithatë unë e përktheva këtë poezi, të lexuar në të tria gjuhët, edhe pse e di se përkthimi nga një gjuhë e dytë, sado cilësor të ketë qenë përkthyesi, është një punë e pamundur dhe një ndëshkim për poezinë, humbje e saj.
L. S.
Ne foto: Të burgosur çifutë duke i rënë Lirës