Një dramë e re lufte e titulluar “Mëshirë për djallin”, bazuar në kujtimet e Paul Marchand, një gazetar francez që raportoi nga Sarajeva e rrethuar, fillon xhirimet muajin që vjen.
Nga Mladen Lakic
Xhirimet e filmit “Mëshirë për djallin”, bazuar në librin e gazetarit francez Paul Marchand ku ai përshkruan eksperiencat e tij gjatë kohës së luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë, do të fillojnë në shkurt të këtij viti.
“Marchand po raportonte nga Sarajeva e rrethuar gjatë viteve 1992-1993 dhe botoi një libër me të njëjtin titull si filmi që do të fillojë të xhirohet,” tha për BIRN Amra Baksiç Camo, producente e filmit në kompaninë e filmit dhe televizionit boshnjak Pro.ba.
Raportime nga fillimi i viteve 1990 e përshkruajnë Marchand – i cili ka kreu vetëvrasje në vitin 2009 në moshën 47 vjeçare – si një rebel që pinte puro dhe preferonte kapele kashte sesa helmetë mbrojtëse.
“Mos qëlloni! Harxhoni kot plumbat. Unë jam i pavdekshëm”, thuhej në mesazhin paralajmërues që ai vendoi në makinën e tij, shkroi New York Times në vitin 1992.
“Marchand po rrezikonte jetën e tij, duke ngarë makinën, duke u përpjekur t’i shmangej sulmit të snajeperëve në Sarajevë, ndërkohë që luhej kënga e famshme “Mëshirë për djallin”, tha Baksiç Camo, duke shpjeguar se si libri i Marchand dhe filmi morën këtë titull.
Rrethimi 1,425 ditor i Sarajevës nga 5 prilli 1992 deri më 29 shkurt 1996 ishte më i gjati i një kryeqyteti në historinë e kohëve të fundit.
Filmi është një bashkëprodhim franko-kanadezo-belg me pjesëmarrjen e Bosnjes dhe Hercegovinës dhe do të xhirohet në Sarajevë.
“Do të xhirojmë në të gjithë Sarajevën në vende të ndryshme, por autentike, edhe pse Sarajeva tani është ndryshe nga ajo që ishte gjatë kohës së luftës,” tha Baksiç Camo.
Niels Schneider, i cili fitoi një çmim Cesar në Francë si aktori më premtues në vitin 2016 për rolin e tij në “Dark Inclusion”, do të luajë rolin e Marchand.
Zyrtarët e Sarajevës do t’i mbështesin xhirimet duke siguruar qasje pa pagesë, por pamja përgjithshme për industrinë e filmit në Bosnjë dhe Hercegovinë nuk është e shndritshme, tha Baksiç Camo.
Në vitin 2017 në Bosnjë ne nuk kishim ndonjë film me metrazh të gjatë,” shpjegoi ajo.
Disa vende në Ballkan, siç është Mali i Zi, tërheqin ekipe ndërkombëtare filmi duke ofruar rimbursim taksash, por Bosnja jo.
Buxheti i kulturës i Bosnjës është i vogël, kështu që shumica e producentëve kinematografik në vend fokusohen në projekte me mbështetje të huaj dhe grante nga organizata ndërkombëtare.
Megjithatë, Baksiç Camo është e bindur se Bosnja ka shumë për të ofruar në aspektin kinematografik.
“Ne mund të ofrojmë vende autentike në të gjithë vendin,” tha ajo.(birn)