Si u ndërtua Aushvici në një fshat polak dhe formula: Duke lartuar flakën, që digjet në përjetësi

Çdo 27 janar kremtohet  Dita e Kujtimit. Sivjet i bie 73-vjetori i çlirimit të kampit nazist të shfarosjes në Aushvic, i cili shënoi  masakrën e regjimit hitlerian kundër hebrenjve. Nisma të shumta zhvillohen në të gjithë botën, për të mos harruar atë që ndodhi, në mënyrë që të mos përsëritet më kurrë.

Kujtojmë se Aushvic u ndërtua në vitin 1940 në një fshat të vogël të Polonisë që sot është pjesë e qytetit të Bremës. Themelohet me urdhrin e Hainrih Himlerit dhe komandohet nga Rudolf Hos. Që më 14 qershorin e atij viti, dërgohen në barakat e tij 728 të burgosur polakë. Më pas fillon ardhja masive e të burgosurve nga e gjithë Evropa. Nga viti 1924 deri në vitin 1944, makina naziste e vdekjes e shumëfishoi këtë kamp përqendrimi në 40 filiale, afër fonderive, minierave dhe fabrikave ku shfrytëzoheshin të burgosurit.

Numri i saktë i personave të vrarë në Aushvic nuk është llogaritur kurrë me siguri, por vlerësime të besueshme flasin për mbi 1 milion e gjysmë viktima. Në dokumentet e kampit u regjistruan vetëm 400 mijë të burgosur, 96% e të cilëve humbën jetën.

Memoriali i Yad Vashem  në Izraeli është monumenti përkujtimor i Holokaustit, pra, shfarosjes masive të hebrenjve nga nazistët. Yad Vashem do të thotë: ‘Një përkujtim e një emër”. Vendimin për ndërtimin e tij e mori Parlamenti Izraelit (Knesset) në vitin 1953. Ndërtesa ka Sallën përkujtimore, Muzeun historik, Galerinë e artit, Sallën e emrave, Arkivin, Luginën e bashkësive të humbura, Qendrën edukative dhe Kopshtin e famshëm të të Drejtëve ndërmjet kombeve, për nder të njerëzve nga të gjitha kombet e fetë, që vunë në rrezik jetën e tyre për të shpëtuar hebrenjtë nga shfarosja.

Memoriali ngrihet pranë Malit Herzl, në Majën e Har Hazikaron (Mali i Kujtimit). Brenda është ‘Hall of Remembrance”, një strukturë në formë çadre, që përkujton vrasjen e 6 milionë hebrenjve, shpesh bashkësi të tëra hebraike të zhdukura. Këtu, para një flake, që nuk shuhet kurrë, janë shkruar emrat e njëzet e dy kampeve të përqendrimit dhe ruhen disa nga urnat me hirin e viktimave të furrave krematore. Ndërsa në Arkivin Qendror të Holokaustit e të Heroizmit, ruhen 50 milionë dokumente mbi shfarosjen në masë të hebrenjve. Papa Shën Gjon Pali II e vizitoi këtë vend më 23 mars të vitit 2000, pas tij edhe Papa i nderit Benedikti XVI si dhe Papa Françesku.

Po ju njohim me tekstin e identifikimit të viktimave që gjendet në Aushvic:
“Duke lartuar flakën, që digjet në përjetësi,
në këtë Memorial, para hirit të shenjtë
të vëllezërve tanë, një me ta, e ndjejmë veten
një me kujtimin e tyre;
me 6 milionë bij prej popullit tonë
që pësuan martirizimin e vdiqën
nga dora e nazistëve dhe e bashkëpunëtorëve të tyre,
së bashku me grupe të vogla e të mëdha hebraike,
të shkatërruara me synimin e ultë për të shlyer
emrin dhe kulturën e Izraelit në botë.
Me druajtje të shenjtë kujtojmë forcën e shpirtit
të vëllezërve tanë, madhështinë, guximin
e luftëtarëve që ndër geto ndezën
flakën e kryengritjes, duke shpëtuar nderin
e dinjitetin e popullit hebre; kujtojmë luftën
krenare e sublime të Kombit tonë për të shpëtuar
trashëgiminë e etërve e fytyrën njerëzore të bijve.
Kujtojmë, së fundi, ‘ të Drejtit e Kombeve’
që vunë në rrezik jetën e tyre
për të shpëtuar atë të hebrenjve”.

(RadioVatikani)


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *