“Të vdekurit heshtin- të gjallët çmenden”- Ilirian Zhupa

 

Ka ditë takoj me të vdekurit, më ftojnë gazmorë e bujarë,
U bie nga pas aq sa mundem, po këllqe s’kam t’i ndjek shpejt,
Ca duar më shtyjnë të eci, të tjerat me ethe më mbajnë,
Më shtyjnë në vdekje, më mbajnë në jetë.

Qeshë gati të ikja! U binda. Në lojën e ethëshme unë humba.
Dhe filli që pezull më mbante u tëholl dhe pak u këput.
Bekuar dita e vdekjes! Mallkuar dita që linda!
Të gjallët qenkan sherretë, të vdekurit qenkan të urtë.

Vdekjes fytyrën ia pashë, nuk ish aq e keqe sa themi.
Rrinte me duar mbi gjunjë, e pikëlluar dhe priste e heshtur.
Ndërsa jeta më ndukte, më dhembte, më therrte, më shponte si gjembi,
S’më jepte as kohë për të fjetur.

Të gjallë e të vdekur përballë. Unë midis në vetmi.
Im nip më thotë të harroj, im bir më thotë të duroj.
Të gjallët janë njerëzit e mi, të vdekurit janë njerëzit e mi,
Me kë të shkoj?

Të vdekurit heshtin përballë…
Të gjallët çmenden përballë…

Po rri edhe pak, sa të qetësoj të gjallët!

Nga libri “Të gjallë dhe të vdekur”, 2015

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *