Vikena Kamenica: Carmeni im i dytë dhe kufijtë e padukshëm mes artistësh

Nga Fatmira Nikolli 

10 vite më parë ajo e luajti për herë të parë Carmenin e saj. 10 vite më pas, ajo është sërish me të njëjtin rol, tanimë, të parë ndryshe.

 

Në kulmin e pjekurisë dhe karrierës së saj artistike, në intervistën për “Gazeta Shqiptare”, Vikena Kamenica nuk ndalet vetëm te karakteri i personazhit të saj, por edhe te elemente të tjera.

Teksa rrëfen se me konceptet regjisoriale normalisht me vitet e përvojës nuk e ka më problem të përshtatet, Kamenica thotë se “mezi i pret bashkëpunimet e reja, sepse artisti do gjëra të reja nga vetja, që të mos jenë monotone e as të përsëritura”. Por, nga ana tjetër, nuk mohon as problemet.

“Te themi se tani nuk ka më problematika? Absolutisht jo. Ne po e zhvillojmë ‘Carmen’ në Pallatin e Kongreseve që nuk është aspak teatër, mund të them se është pikërisht si ajo arena e hapur e Toreadorit, ku ne të gjithë do mblidhemi për të dhënë më të mirën. Është sfidë e fortë jo vetëm për ne artistët që bëjmë përballjen direkte me publikun, por për të gjithë stafin për të nxjerrë më të mirën dhe për të vijuar artin, që artistët të mos rrinë nëpër stola për të pritur skenën”,-thotë mezosopranoja për “GSH”.

Ndërsa na ndajnë pak ditë nga premiera e “CARMEN” me regji të Gëzim Myshketës, një shfaqje që ka bashkuar një ekip artistësh të njohur, vendas dhe të huaj, shqiptarë që nuk ikën e shqiptarë që rikthehen si Myshketa e Toromani, premiera e parë të sezonit operistik shqiptar – 2018 pritet të pësojë ndryshime pasi Tinka Kurti, që ishte menduar të kishte një pjesë të vogël në skenë, në rolin e një nëne, prej ditës së djeshme është shtruar në spital për shkak të problemeve pulmonare.

Ndërkaq, intervista me Kamenicën, botohet siç qe planifikuar më herët, e retushuar disi nga “GSH”, edhe për shkak të sëmundjes së Tinkës (që mbase mund të mos arrijë të rikthehet në skenë) të cilës i urojmë shërim të shpejtë. Opera “Carmen” pritet të ngjitet në skenën e Pallatit të Kongreseve më 30,31 janar dhe 1,2,3 shkurt, ora 19:00.

-Vikena je sërish Carmen në TKOB pothuaj 10 vite pas “Carmenit” të Patricia Panton Floresin. Sa ndryshe vjen këtë herë?

Normalisht ndryshimi është i madh, në radhë të parë, për 10 vite jetë, 10 vite maturim, për 10 vite përvojë, karrierë, e role të mëdha. Carmen ka qenë nga debutimet e para të roleve të mëdha për mua. Ishte koha kur fillon vërtetë krijon imunitet e krijon forcën tënde dhe normalisht ishte një nga rolet që më ka mësuar shumë. Hyn te veprat e vështira e të sfidat për mezosoprano, hyn te krenaria për një mezosoprano, sepse të realizosh një rol karakteri si Carmen, do të thotë shumë. Është mbi teknikën vokale, është mbi lojën aktoriale.

Ka marrëdhënie me disa partnerë në skenë, jo vetëm me Don Jose, por edhe me të tjerë, të një forme të veçantë, sepse dimensioni i Carmenit është gjithëpërfshirës. Normalisht, të kërkon punë dhe ka kërkuar shumë punë, edhe në këto 10 vite pa u prekur vepra, pa arritur të këndohet tamam siç duhet, prapë je në studimin e mentalitetit të saj, të lojës së saj, të mendimit të saj, të të kuptuarit e të thelluarit. Ndaj pa diskutim them se Carmen këtë vit vjen ndryshe.

– Si bijë artistësh, je rritur duke qenë krejt familjare me muzikën klasike. Në kohë provash, si tani, ç’këshilla të tyret, mban mend e ke parasysh?
Padiskutim di shumë mirë regjimin e një artisti e regjimin e një këngëtari. Përveç shkollimit janë edhe vitet e para të punës që merr shumë këshilla nga prindërit kur janë të profesionit tënd.
Regjimi është i pari që nëna ime e ka me shumë merak, sidomos që të mos ftohem, të ushqehem mirë që të kem forcë për të kënduar, sepse normalisht duhet të kesh edhe fuqi. Për të pasur rezistencë për një vepër të madhe, të gjatë, të fortë e me shumë kontraste, si kjo, padiskutim regjimi të ndihmon t’ia dalësh. Qetësia psikologjike që duhet të kesh është doemos shumë e rëndësishme.

Emocioni, përgjegjësia dhe vetë raporti me skenën. Ne artistët kemi një raport të dhimbshëm, sepse punojmë 2-3 muaj për dy tri orë dhe në ato dy a tri orë në skenë, duhet të jesh mirë me shëndet, të jesh mirë me fuqinë, dhe duhet të jesh në humor të mirë e jo gjithmonë janë këto kushte optimale për të realizuar e për të nxjerrë atë përqindje që ti do nga e gjithë puna jote sepse emocionet bëjnë të veten. Arti është i vështirë në Shqipëri sepse gjysmën e këtyre kushteve e ke të pamundur ti kesh, për atë që të rrethon, për atë që ne jemi, për shumë gjëra bashkë, që janë bazike e jetësore për të gjithë, por tek artisti i amplifikohen edhe më tepër.

– Tanimë me regjinë e Myshketës dhe përkrah një artisti kilen si xxx, Carmeni yt merr tjetër karakter. A është e vështirë përshtatja me konceptet e ndryshme regjisoriale?
Në radhë të parë, ti ndërton personazhin tënd dhe e rrënjos më saktë, sipas formës tënde të të studiuarit. Duke qenë se këto janë vepra monumentale e vepra klasike, ai personazh është njëfarësoj i rrënjosur tek ti. Në rastin tim, që unë vij në një rivënie, duke qenë se unë debutin e kësaj vepre e kam bërë, kam një lloj psikanalize të personazhit. Megjithatë, bashkëpunimet janë ato që ty të stimulojnë, dhe të nxjerrin detaje të tjera. Pse jo gjëra shumë të reja që mbase edhe ti vetë nuk i ke ditur nga vetja jote. Në rastin e Gëzim Myshketës, padiskutim, edhe për moshën e re që ai ka, vjen me një mentalitet shumë të freskët e shumë bashkëkohor.

Njëherësh është edhe tenori GianKarlo Bonsalve, tenori që vjen me pasionin latin e që ne ballkanasve na afrohet më së miri. Kështu, ti i shton personazhit tënd, atij që ke ndërtuar, gjërat të reja, të bukura dhe detaje që janë mbase ato që bëjnë diferencën për më tepër në një vepër të madhe siç është kjo e Carmenit.

Me konceptet regjisoriale normalisht me vitet e përvojës tashmë nuk e kam më problem të përshtatem, përkundrazi. Mezi i pres i bashkëpunimet e reja, sepse artisti do gjëra të reja nga vetja, që të mos jenë monotone e as të përsëritura. Kështu që mund të them se i pres me kënaqësi se ky është një nga stimujt kryesorë që ne artistët kemi në raste bashkëpunimesh me stafe të ndryshme, me regjinë e Gëzim Myshketës, me një dirigjent si Ricard Casero. Ai është spanjoll dhe ka një afërsi me muzikën, pasi ngjarja ndodh në Sevilje dhe ai përpiqet të na japë karakterin e krahinës e zonës.


– Kjo është shfaqje ku bëhen bashkë artistë të Operës, shqiptarë të ikur që rikthehen. Në kësi rastesh vlen të pyetet mbi kontrastin mes atyre që rivijnë në institucion dhe atyre që nuk ikën kurrë. Si është ky kontrast?
Me thënë të drejtën kjo është një pyetje për të cilën unë personalisht do kisha shumë për të thënë para 20 viteve, sepse vështirësia për të lëvizur nga Shqipëria, vështirësia për të marrë informacionin, vështirësia për t’u rritur e zhvilluar ka qenë shumë e madhe. Në 2018-ën tashmë me zgjedhjet që njerëzit bëjnë të rrinë apo të ikin, kontrasti vjen e zvogëlohet, sepse referencat merren më kollaj. Jetojmë në vite ku çdo gjë është e dixhitalizuar, çdo gjë referencë që do të kesh, e ke vetëm një klikim në internet, vetëm një klikim në Youtube, mjaft të futesh në google, merr vesh çdo gjë, për çdo artist, që e bën karrierën si brenda ashtu edhe jashtë.

Nëse do të kesh një zhvillim më tepër, kjo varet vetëm nga ti, nëse do ta kesh e nëse je në kërkim. Kufijtë janë pothuajse të padukshëm. Në këtë rast, nuk mund të flas për kontraste, as për kontraste të forta sepse profesionistë tashmë gjenden gjithandej, varet nga sistemi dhe çfarë kërkon. Më duhet ta them se në Shqipëri ka artistë shumë të mirë, ka pasur gjithnjë edhe pse kanë jetuar në sistem jo shumë komod për të zhvilluar artin dhe për t’u vlerësuar ata. Duke filluar që nga kushtet e punës. Mos të harrojmë se vetëm tani jemi futur në rikonstruksion, por kushtet tona të punës, janë diskutuar pa fund, dhe nga vetë mediat e nga ju. Kanë qenë në vëmendje të medias për shkak të problematikave që ka pasur. Te themi se tani nuk ka më problematika? Absolutisht jo. Ne po e zhvillojmë “Carmen” në Pallatin e Kongreseve që nuk është aspak teatër, mund të them se është pikërisht si ajo arena e hapur e Toreadorit, ku ne të gjithë do mblidhemi për të dhënë më të mirën.

Është sfidë e fortë jo vetëm për ne artistët që bëjmë përballjen direkte me publikun, por për të gjithë stafin për të nxjerrë më të mirën dhe për të vijuar artin, që artistët të mos rrinë nëpër stola për të pritur skenën. Vështirësitë janë, por jo gjithmonë problematikat vijnë nga artistët, janë edhe kushtet që të kushtëzojnë për të nxjerrë vlerat në rastin e artistëve që kanë bërë sakrifica jo të pakta, por të shumta për t’u zhvilluar jashtë të Shqipërinë. Jemi të lumtur për arritjet e kolegëve tanë që janë jashtë Shqipërie. Është shumë bukur kur bëhemi bashkë e performojmë bashkë.
Është bukur të rivijë Anbeta Toromani apo të vijë koreografi Geroghe Iancu, një nga emrat më të rëndësishëm të artit e skenave. Është kënaqësi e madhe kur bëhet një staf i mirë.

– Kam lexuar për 200 kostume, për të ftuar, imazh, estetikë, skenografi. Si vjen Carmeni sot?
Janë vërtetë 200 kostume. Jam e kënaqur për një fakt këto vite, ka vepra që po prodhohen për të qëndruar në teatër, siç ishte rasti i “I Capuletti e Montechi”, apo “Traviata”, apo “Carmen” tashmë, por edhe vepra të tjera pa diskutim që janë pjesë e repertorit e që gjenden në gardërobën e TKOB.

Është shumë e rëndësishme, dhe jam e lumtur për këtë krijimtari kaq të madhe. Hyj te njerëzit që i vlerësoj dhe falënderoj ata që merren me detaje që të japin dorën për të realizuar sa më mirë karakterin tënd. Kostumi për shembull, është shumë i rëndësishëm për mua, sepse të fut direkt në karakter, të jep lirshmëri skenike. Ardi Asllani është në radhë të parë miku im, më pas një artist që e vlerësoj dhe i kam besuar gjithmonë performancën time skenike. Më ka bërë të ndihem shumë mirë te ‘Romeo e Zhuljeta’, më ka bërë të ndihem Romeo- si heroi romantik e djali çapkën te Romeo, ashtu edhe te “Carmen” është e njëjta situatë. Është i njëjti vlerësim sepse më ka bërë të ndihem mirë, në skicat e tij, në provat me kostumet pothuaj të përfunduara. Më jep lirshmëri skenike, sa herë që bëjmë provën më thotë, mendo që do këndosh me këtë veshje, të lutem, më thuaj si mund të të ndihmoj. Kjo është shumë e rëndësishme për çdo artist e jo vetëm për mua.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *