Nuk durohet më gjithë ky patetizëm pas çdo krimi!

Duhen gjëra të vërteta, të prekshme, që nisin herët, shumë herët. Nuk duhen më ngjirrje e qurravitje se kush qan më shumë e kush vajton më bukur. Përndryshe veç patetizmit, gjithçka do kemi do jenë veç viktima dhe agresorë dhe një sërë vajtorësh të pajtuar në raste të tilla!

Nga Jonida Hitoveizi 

Nuk ështe e re të themi se si shqiptarë kryesisht jemi një popull gjaknxehtë e impulsiv. Madje s’do ishte e tepërt nëse do pranojmë që thellë-thellë jemi si kafshëza të egra, të cilat mjafton t’i provokosh sadopak që të hidhen në sulm. Ndonjëherë edhe pa provokuar fare. Në fakt më shumë sesa gjaknxehtë ne jemi mbi të gjitha një popull e shoqëri fataliste, që më shumë se gëzimi na përpin e na josh tragjizmi, trishtimi, errësira, vdekja, humbja e vetvetes dhe më tej akoma gjithë universit…Asgjëja.

Në këtë vend çdo gjë që ndodh na shokon të gjithëve përnjëherë dhe reagimet që sheh e lexon vërdallë janë shpesh aq impulsive, sa çdo gjë pas kësaj tingëllon patetike; një shfryrje e çastit, një reagim i pamenduar, i pa analizuar që në fakt qëllimin e ka veç te xhirimi në web sa kohë “gjëja është e nxehtë”.

Një çast ku të kap padurimi se dhe ti ke thënë një gjë me vlerë për shoqërinë dhe kjo mundësohet fare lehtë, falë sponosorizimit që i bëjnë mediat sociale përhapjes së çdo gjëje në internet pa filtra fare.

Por në fakt nuk është thënë e aq më pak, nuk është bërë asgjë!

Jam përpjekur t’i lë emocionet e momentit të kalojnë në së paku dy ngjarje të rënda kur viktimat kanë qenë femra ; e para kur u vra gjyqëtarja nga Shkodra dhe ngjarja tragjike e së dielës, ku mbeti e vrarë 21 vjeçarja.

Sigurisht edhe për shkak të mënyrës sesi lajme të tilla transmetohen, sidomos kur viktima është femër e sidomos kur ka një histori ose divorci ose “dashurie” opinioni publik bombardohet me informacione shpesh të panevojshme. Detaje makabre, si e kapi plumbi, sa vrima iu gjetën, çfarë dëmi i ka shkaktuar, çfarë kishte ngrënë, çfarë kishte shkruar, si u gjet etj, të cilat do të trondisnin çdo qënie prej mishi e gjaku, krijojnë një shpërthim zemërimi e indinjate kudo në rrjet. Aq sa thua se kjo shoqëri është vërtetë aq e lartësuar dhe e ndriçuar sa këto fenomene vërtetë i trondisin thelbësisht ekzistencën dhe paqen.

Në fakt në të dyja rastet, në përqindjen dërrmuese të shkrimeve, që tashmë bëhen nga kushdo, mbizotëron viktimizimi prej faktit të të qenit grua. Fakti që viktimat kanë qenë gra nuk do të thotë se kjo shoqëri qenka ideale për burrat, e ferr për gratë, thua se jetojnë në planete të ndryshëm që nuk puqen kurrëkund me njëri-tjetrin dhe jo individë që ndajnë të njëjtën lagje, të njëjtin, qytet, të njëjtën shtëpi, të njëjtin krevat. Viktimizimi, shprehja e pafuqisë se veç diku tjetër ka një planet ideal për gratë shqiptare, por jo këtu, parja e vetëm njërës prej anëve të hënës, në fakt nuk ndihmon fare problemin social; e aq më pak të ndihmojë ndonjë grua. Maksimumi që përçohet tek një femër është frika, pafuqia.

Përveç faktit, që dhuna në këtë shoqëri nuk vjen veç prej burrave. Ajo ushqehet e ngutet, do guxoja të thoja më shumë nga vet gratë. Se janë gratë ato që ushtrojnë më shumë presion tek femra, bija, motra, kolegia, njëra-tjetra, sesa tek një mashkull. Janë gratë ato që kanë “merak” edukimin e bijave, por jo të bijëve të tyre.

Prandaj për të shpëtuar një grua tjetër, për të emancipuar sot burrin e së nesërmes, për të edukuar brezin tjetër, duhen së pari të qarkullojmë dhe promovojmë në shoqëri e media Gra me Zë dhe integritet dhe Burra me Moral, ku fjala e tyre nuk bie në honet e errëta të maskarallëqeve që kanë bërë.

Duhen programe sociale. Duhen modele. Duhet një Zë. Mund të duhet edhe një grusht si i Migjenit; disa shuplakë për prindërit që i lënë fëmijët gjithë ditën të shohin lloj-lloj budallallëqesh në internet pa asnjë mbikqyrje, një shuplakë për nënat që duan veç vajza perfekte, por jo djem të mbarë, e kështu me radhë.

Duhen gjëra të vërteta, të prekshme, që nisin herët, shumë herët. Nuk duhen më ngjirrje e qurravitje se kush qan më shumë e kush vajton më bukur. Përndryshe veç patetizmit, gjithçka do kemi do jenë veç viktima dhe agresorë dhe një sërë vajtorësh të pajtuar në raste të tilla!

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *