Për femrën si pronë e pamohueshme e mashkullit

Nga Entela Hoxha 

Jam femër. Kam lindur e tillë. Pa e zgjedhur unë.

Kam qarë kur kam lindur dhe qaj prej asaj kohe, shpesh thjesht sepse jam femër.

Në fillim isha pronë e babait.

Asgjë nuk bëhej pa bekimin e tij, ose kundër vullnetit të tij.

Jam kërcënuar se nëse do bëja ndryshe, në fillim do më vriste mua, pastaj nënën time.

Jam femër e qaj.

Nuk kam udhëtuar vetëm, nuk kam dalë vetëm dhe nëse e kam bërë e kam bërë me frikë. Kjo është një botë meshkujsh.

Është një botë ku femra është aksesor i tij- në fillim si nënë, më pas si motër, dikur si grua e shpesh si dashnore.

Vetëm aksesor. Nëse ndodh të mos jem dakord, nëse ndodh të mos dua të jem motër, nënë, grua e dashnore sipas vullnetit të cilitdo mashkull që qëllon të jetë me mua; atëherë jam e përdalë.

Jam kurvë. Jam rritur duke më thënë fraza ku diku gjendej fjala kurvë: mos u bëj kurvë, kështu bëjnë vetëm kurvat, vetëm kurvat nuk martohen, vetëm kurvat dalin ashtu.

Nëse dua të ndahem nga i dashuri dhe ai nuk do- unë jam kurvë; por edhe nëse ai më lë- unë jam kurvë; edhe kur unë njoh dikë tjetër jam kurvë.

Nëse nëna është dakord me vendimet e mia, atëherë jam kurvë e bijë kurve.

Nëse më përdhunojnë dhe dal ta them të ngre zërin e të kërkoj drejtësi jam kurvë e paturp. Nëse nuk e ngre zërin-jam kurvë e fshehtë.

Si do të jetë unë jam kurvë, vetëm se kam qëlluar femër. Nëse më vrasin do thonë që faji ishte i imi. Si do të jetë, fajin do e kem pasur unë.

Nëse vras veten se nuk duroj dot më, e kam bërë me siguri se isha kurvë. Nëse dikush vret veten për mua- faji është i imi- i kurvës.

Ndaj jam pronë, e gjallë a e vdekur, si trup e shpirt. Ndaj më komandojnë, më dhunojnë, më vrasin e më pas më baltosin. Vetëm se jam pronë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *