Projekti gjigand që hap sezonin e ri operistik të TKOB. Një shfaqje e cila ndërthur ekselencën shqiptare në botë, me emrat e mëdhenj të muzikës operistike shqiptare.
Baritoni Gëzim Myshketa është regjisor i operas “Carmen” në TKOB, ndërsa i është bashkuar kastit realizues edhe koreografi me famë ndërkombëtare, Gheorghe Iancu. Ai u perfeksionua duke punuar me mjeshtrit Semionov të Teatrit “Bolshoi” në Moskë, Omrihin të Teatrit “Marijinski” në San Peterburg dhe me rumunin Gabriel Popesku, me të cilin bashkëpunoi për një kohë të gjatë.
Pjesë e ekipit është tanimë edhe një nga dirigjentët që ka qenë më herët para publikut shqiptar. Me një karrierë ndërkombëtare, Ricardo Casero rikthehet në skenën e TKOB si dirigjent i Operas “Carmen”.
Gjatë provave të regjisë, TKOB ka postiuar herë pas here imazhe të regjisorit Gëzim Myshketa dhe mezzo-sopranos Vikena Kamenica që mban peshën e rolit të Carmen, tenorin Armaldo Kllogjeri që vjen me rolin e Don Jose, Shpresa Bekën që do të ketë rolin e Mercedes dhe Dorina Selimajn në rolin e Frasquita. Ndërkaq, stilisti Ardi Asllani ka dizenjuar rreth 200 kostume për kastin e shfaqjes.
“Si asnjëherë në një produksion lirik tërësisht të prodhuar nga TKOB nuk janë angazhuar kaq shumë mund, ide dhe punë. Mbi të gjitha nuk është krijuar një buqetë e tillë artistësh të ftuar si aktorja e madhe Tinka Kurti, tenori kilen Giancarlo Monsalve, balerina soliste Anbeta Toromani dhe balerini solist Alessandro Macario, dirigjenti Spanjoll maestro Ricardo Casero dhe koreografi me famë botërore Gheorghe Iancu të cilët i shtohen artistëve të mrekullueshëm të TKOB, Kamenica, Golemi, Kllogjeri, Likaj, Hoxha, Beljeri”, shkruan Myshekta në një postim në facebook.
Ai përpiqet të nxisë kureshtje kur thotë: si do të përfundojë fati i Carmen kësaj radhe? Çfarë hijesh ka e shkuara e Don Jose? Çdo të ndodh në dhe me lokalin e Lillas Pastia?
Premiera dt• 30 Janar ora 19°° dhe 31/Janar dhe 1.2.3 Shkurt 2018 Ora 19°°