AJO QUHEJ : “LIRIA QË NDRIÇON BOTËN”
Sot quhet thjesht “Shtatorja (Statuja) e Lirisë”. Aurel Plasari kujton se u realizua më 1874 nga skulptori francez Auguste Bartholdi në zbatim të vendimit të Republikës së re franceze për t’u bërë popujve të Shteteve të Bashkuara një dhuratë simbolike për Pavarësinë amerikane.
Plasari shton se frymëzimin për të skulptori e kishte marrë gati gjysmë shekulli më parë, qysh kur ishte 14 vjeç.
Gjatë kryengritjes së vitit 1848 një grup kryengritësish, të shkurajuar, ngronin të sulmonin një barrikadë. “Atëherë u shfaq një vajzë e re, gati e moshës së skulptorit të ardhshëm, e cila rroku një pishtar në dorë dhe, pa çarë kryet për plumbat, u vërsul mbi barrikadën duke tërhequr ashtu mbas vetes edhe kryengritësit. Kjo ishte pamja që 14-vjeçarit iu ngulit në mendje”, vë në dukje studiuesi.
Statuja e Lirisë paraqet një grua, një femër, pra nuk është për t’u habitur që interesi i parë i parizianëve ishte të zbulonin se kë vallë kishte përdorur për model skulptori, shkruan Plasari.
Një pjesë e identifikuan me një të quajtur Irma, format skulpturore të së cilës i kishin shijuar shumë klientë të Grand Seize-s, një “cabinet particulier” nate i pasunarëve të Parisit. Të tjerë ishin të bindur që për model i kishte pozuar Celina, një prostitutë e famshme nga Ohio, që në atë kohë punonte nëpër Pigal. Skulptori u mbrojt duke thënë që për model kishte përdorur… t’ëmën, d.m.th. nënën e vet.
Nuk janë pa interes përmasat e “Lirisë”. Beli: 8 m. Vithet: 10 m. Gjoksi: 12 m. Dora: 5.50 m. Hunda (shkabonjë): 1.12 m. Veshi: 0.90 m.
Vepra iu dorëzua zyrtarisht qeverisë amerikane më 4 korrik 1884, thotë Plasari, e mbas një viti, më 15 maj 1885, u bart në luftanijen “Isère” e çmontuar në pjesë dhe e ndarë në 210 arka. Më 12 korrik 1886 në ShBA filloi montimi. Më 28 tetor të po atij viti u motua edhe pjesa e fundit dhe u bë përurimi zyrtar në prani të presidentit Cleveland.
Mirëpo edhe në Paris kishte një koloni amerikane dhe ajo, si shpërblim, i dhuroi Parisit një kopje të Statujës së Lirisë në miniaturë, që u ngrit në urën e Grenelle-s. Një kopje e dytë, po në miniaturë, sot vizitohet nga turistët në kishëzën e Muzeut të Arteve dhe Mjeshtërive në Paris. Madje një kopje tjetër, sigurisht po në miniaturë, mund të vizitohet “falas” në Kopshtin e Luksemburgut, nga ana e rrugës Guynemer. Edhe kopje të tjera numërohen dhe jo vetëm në Francë.