Nga Edon Qesari
Një prej kujtimeve më të bukura, e aspak të vagullta, që ruaj nga fëmijëria – më saktë, nga netët e fëmijërisë sime përgjatë fillimit të viteve ‘90 – janë dramatizimet që Radio Tirana transmetonte rregullisht përgjatë mbrëmjeve të vona. Radiodramatizimet, siç dhe quheshin, qenë asgjë më shumë se regjistrime zanore të pjesëve dramatike, shpesh të shfaqura në skenën e atij që deri atëherë quhej Teatër Popullor (sot Kombëtar), përmes zërit të aktorëve të vënë enkas në shërbim të dëgjuesve radiofonikë, duke u shtuar dhe me ca shpjegime të përmbledhura veprimesh jashtë thelbit bisedues të veprës. Herë të tjera, radiodramatizimet sillnin lexime të sendërtuara enkas për publikun në formë dialogësh të pjesëve letrare të njohura, që nga letërsia klasike ruse deri tek Remarque-u dhe Kadareja. Tingujt shoqërues në sfond, të cilët natyrisht ishin pjesë përbërëse e gjurmës artistike që pjesa e zgjedhur shënjonte në vëmendjen e dëgjuesve, por dhe dhuntia përcjellëse e aktorëve të përzgjedhur për të kryer rolin zëdhënës të personazheve, përbëjnë një kujtim të largët tashmë, të kohërave kur radioja mbartte peshë të pazëvendësueshme në sendërtimin e një përfytyrimi ende të pa rrudhosur.
Bëhet fjalë për kohë në të cilat radioja, si mjet mediatik, ruante ende me këmbëngulje një copë aspak të vogël të ndikimit komunikues në shoqëri. Nuk ishte vetëm një dritare përhapëse e risive apo brengave nostalgjike muzikore – e as vetëm përcjellëse ngjarjesh politike zulmëmëdha – por diçka më shumë se ndjellëse. Radiodramatizimet, meqë me to e nisa, ishin dhe një endje e bekuar në errësirë. Të paktën në kujtesën time të hershme fëmijërore të atyre netëve anash-kaluese të tranzicionit, shpesh pa energji elektrike.
E kjo s’kishte të bënte vetëm me radiodramatizimet, të cilat ishin veç një pjesë përbërëse e ndikimit që ky mjet i komunikimit masiv, pikërisht radioja, ende ushtronte mbi shoqëri. Unë isha pjesë e një familjeje e cila, për nga vetë përkushtimi profesional i prindërve të mi, zotëroja një pleksje të pazgjidhshme me gjithçka që kishte të bënte me teatrin apo kinematografinë. Qe pikërisht zëvendësimi i vetive pamore që përcaktojnë trajtat e këtyre dy gjinive artistike të fundit, nëpërmjet përcjelljes vetëm zanore të brendisë së tyre, që sot ushton një lloj malli – asfare manierist – për një kohë kur, bashkërisht si shoqëri, i kushtonim një vëmendje më cilësore zërit, të biseduarit, aftësisë për të shqyrtuar/dalluar përmes të folurit atë çka gjendej përtej tij. Gjë që më ushqen bindjen se fashitja e radios nga jetët tona të përbashkëta, apo zhdukja e të lexuarit nëpërmjet shqisës së dëgjimit – tjetër formë “zhytëse” e imagjinatës që përcjell një tekst jo detyrimisht i përvetësuar nëpërmjet leximit – përbën një humbje tragjike dhe aspak për t’u shpërfillur në tërësinë e marrëdhënieve tona me njëri-tjetrin.