Thoshte se është e pakufishme kultura e tij, plot dritë mendja. E cilësonte një nga burrat e shekullit.
Të flasësh për të është një ndërmarrje sa emocionante aq dhe e pamundur. Përpiqesh të jesh e saktë, por pikërisht kur kujton se e gjete fillin që të çon tek ai, të ka rrëshqitur krejt nga duart. Është normale kjo, do të thosha. Sepse përmasat e poetit të madh janë të tilla që nuk mund t’i rrokësh me një vrojtim të shpejtë, ka shkruar Elena
Elena Kadare kur fliste për burrat e shekullit në vitin 2012, vinte në dukje se “për mua njeriu i shekullit është Lasgush Poradeci”.
Një gjë megjithatë mbetet e pandryshueshme.
Thoshte se “ne brezi i viteve ’60, ishim të shënjuar prej vargjeve të tij. Lasgush Poradeci ishte për ne liria, dashuria, sfida e gjithkujt. Edhe pse studentë letërsie, në leksionet tona emri i tij mungonte dramatikisht. Me mënyrat e fshehta të asaj kohe (më të fshehta se fshehtësia, do të thoshte ai), ia gjenim poezitë, i mësonim përmendësh e ia kalonim njeri-tjetrit, kur ndiheshim të dashuruar, të trishtë apo të çoroditur. Ishte kjo një lloj rezistence për atë që na ndalohej”.
Për Elena Kadarenë, gjendjet e tij të trazuara shpirtërore, ne i përvetësonim sakaq, sepse i quanim tonat. “Meqenëse nuk dinim ku ta kërkonim, me atë status enigmatik e të pangjashëm me askënd, për ca i vdekur, për ca i gjallë, dinim veç që ishte i padashur nga shteti, dhe bash për këtë na dukej se bënim sfidën e madhe, duke e ruajtur çdo fjalë të tij, siç ruhet kandili i ndezur, që kërcënohet nga fikja. Ky ishte Lasgushi për ne. Kam pasur fatin ta kapërcej atë prag të ëndërruar, që të çonte tek ai. Ishte Ismail Kadare, në atë kohë i njohuri im intim, më pas burri i ardhshëm, që më krijoi këtë mundësi” , ka rrëfyer Elena në vitin 2012 në një shkrim në Mapo.
Shënonte se mundësinë të “dëgjoja nga goja e poetit mendimet më brilante dhe më ekstravagante, që do linin gojë hapur shumë mëndje të ndritura. E pakufishme ishte kultura që zotëronte, e hapur e plot dritë mëndja e tij. Fliste bukur dhe lirshëm, plot figura, me shkujdesjen e një princi, që nuk e njeh kufizimin. Diku ironik, i vrerët dhe i patrajtueshëm, diku i ëmbël si vetë poezia që krijonte, kur largoheshe prej tij, ndjenje se ishe bërë më i lirë si njeri dhe se në zemrën tënde kishte lindur shpresa për një botë më të mirë”.