“Tristia” poezi e Osip Mandelshtam për Ana Ahmatovën pas ndarjes

 

TRISTIA

Shkencën e ndarjes mirë e pata njohur
Flokëshprishur netësh ankestare.
Mbllaçiten buajt, pritja s’ka të sosur,
Të mbramen orë vigjiljesh qytetare,
Nderoj at’ rit të natës këndezore
Kur, teksa ngre të rëndën brengë rrugash –
Kundronin larg sytë përlotur prore
Dhe kuj’ e grave shkrihej këngë muzash.

Kush mund ta dijë ç’fsheh fjala – ndarje,
Dhe çfarë lamtumire ne na pret,
Ç’na parathotë këndezi tej dritarje
Kur në akropol zjarri kërcet,
Dhe në agshol të ndonjë jete të re
Kur kau përtyp prâjshëm bar e gjeth,
Përse o gjel, tellall’ i jetës së re
Mbi murin e qytetit krahët rreh?

Dhe gjej hare në t’rëndomtën tjerrje:
Kur druga sillet, boshti kërkëllin.
Kundro, karshi, porsi push mjellme
Zbathur rend Delija n’përqafim.
O, i cekët shtrat’ i jetës sonë,
O sa e mjerë gjuha ndër gëzime!
Gjithë si qëmoti, rishmi kthen gjithmonë,
Veç grim’ e njohjes ne na mbush galdime.

Shkruar qoftë: figurëz e tejdukshme
Prehet një pjate – larë deltinë,
E hapur si gëzof i një ketrushje
Përkulur sheh mbi dyll një çupëlinë.
S’e duam fallin për Erebin grek,
I grave dyll – për burrat – tunxh i gjallë.
Betejash shorti neve na hap shteg,
Atyre – vdekjen, duke shtirë fall.

1918
_______
_______
“Tristia” – Largimit të Mandelshtamit nga Petërburgu në Moskë i paraprinte ndarja me Anna Ahmatovën, çka pasqyrohet në poezinë “Tristia”. Vargu “E hapur si gëzof i një ketrushje” – është pothuajse citat i fjalëpërfjalshëm nga një poezi e Ahmatovës, gjithshtu mbi ndarjen). Vargu i parë është nga Ovidi (“Elegji të pikëlluara”), veçanërisht I, 3, për ndarjen nga roma para syrgjynit; fjalët shkencën e ndarjes të kujtojnë “Shkencën e dashurisë” së Ovidit). Por syzheti është prej Tibulit, I, 3, nën një përkthim të lirë të Batjushkovit: ndarja me të dashurën Delija, falli i saj për një takim të sërishëm, mendimi mbi vdekjen larg saj (Erebi – mbretëria e të vdekurve) dhe ëndrra për një kthim të papritur, kur ajo, këmbëzbathur, ç’prej veglave të tjerrjes, do vrapojë t’i lëshohet n’përqafim heroit. Shtirja fall me dyll të ndërmend “Svjetllanën” e Zhukovskijt, vigjiljet – katër pjesët e natës) – të ndërmend Brjusovin, klithma këndezore, shenjë që u jepet dashnorëve të ndahen, – reminishencë nga “Elegjitë e dashurisë” të Ovidit, dhe e premtuara jetë e re – nga Dante; rrotullimi i drugës – simbolizon mendimin kryesor rrethqarkullimin e kohës (kthimi i përjetshëm) i përsëritjeve dhe njohjeve.

@Përkthimi dhe komenti nga Agron Tufa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *