Filmat që garuan e fituan në “DokuFest” janë nominuar në çmimet “Bafta”. Lajmi është bërë i ditur nga “Koha ditore”, e cila shkruan se kjo tregon edhe njëherë që programi i “DokuFestit” është i kualitetit të lartë dhe me të drejtë konsiderohet si një prej festivaleve më të rëndësishëm të filmit dokumentar e të shkurtër në Evropë. Këtij perceptimi, i shtohet si dëshmi publikimi i nominimeve për çmimin prestigjioz britanik në kinematografi.
Filmi i shkurtër fitues e dokumentari që ishte pjesë e konkurimit zyrtar të edicionit të vitit të kaluar të festivalit që mbahet në Prizren, janë nominuar për çmimin “Bafta”. “A Drowning Man”, i Mahdi Fleifel, që në “DokuFestin” e vitit 2017 u shpërblye me çmimin për filmin më të mirë të shkurtër, është nominuar për filmin më të mirë britanik.
Këtë çmim vitin e kaluar e mori bashkëprodhimi britaniko-kosovar “Home”, nën regji të Daniel Mulloyt, duke sjellë trofeun e parë “Bafta” në Kosovë. E në kategorinë e dokumentarit më të mirë është përfshirë “City of Ghosts” i Mathew Heineman, që në “DokuFest” ishte pjesë e garës ndërkombëtare. Në kategorinë e filmit më të mirë britanik janë në garë edhe “Aamir”, “Cowboy Dave”, “Work” dhe “Wren Bors”. Ndërsa për çmimin e dokumentarit më të mirë, në garë me “City…” janë “I am not your Negro”, “Icarus”, “An Inconvinent Sequel” dhe “Jane”.
Eroll Bilibani, drejtor ekzekutiv i festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentarë e të shkurtër “DokuFest”, ka thënë se pasi që vitin e kaluar “Home” si bashkëprodhim i festivalit me dy kompani britanike mori çmim, është i lumtur që në kategorinë e njëjtë e sheh të nominuar “A Drowning Man” të autorit danez me prejardhje palestineze, Mahdi Fleifel.