Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, ka qenë e ftuara e kësaj të mërkure në emisionin e mëngjesit “Vila 24” në News24.
Në intervistën e saj, Ministrja Kumbaro, njëherësh nënëa e dy fëmijëve dhe bashkëshortja e gazetarit Aleksandër Furxhi, rrëfeu se politikën nuk e kishte plan të jetës, por ishte kryeministri Edi Rama ai i cili e ftoi dhe e bëri pjesë të qeverisjes.
Ajo tregon se pas marrjes së ftesës nga Kryeministri Rama, ishte ajo vetë që bashkë me familjen vendosi t’i hyjë një tjetër rrugëtimi në jetën e saj.
“Ministre u bëra shumë vonë në jetë, atëhere kur është konsoliduar ajo që quhet shtylla e ekzistencën intelektuale e emocionale e njeriut. Është një investim shumë i gjatë, një pjesë e të cilit është bërë nga familja ime dhe pastaj investimi im personal apo i rrethit shoqëror. Ç’ka është forcë e mendjes është pjesë e investimit tim të përjetshëm. Vendimi për t’u futur në politik ishte vendim i imi dhe i familjes, me pëlqimin e fëmijëve që kanë qenë pjesë e cdo vendimi. Nëse jeta është private duhet të mbetet private. Fëmijët janë pjesë e jetës sime, por pjesa publike ndërtohet me instuitucionet, publikun, parlamentin, opozitën… në këtë kontekst nuk është e lehtë, me mediet sociale kjo është shumë e vështirë. Presioni është shumë i madh.
U futa në politikë pa e patur plan të jetës sime. Unë nuk u futa nga politika e mirëfilltë, u futa nga ekzekutivi.
Kapiteni i skuadrës, kryeministri Edi Rama, që ka të drejtën të zgjedhë është ai që bën ofertën për të qenë pjesë e kabinetit. Kaq e thjeshtë është. Nëse i kthehem vetes para vitit 2013, unë kam qenë shumë aktive”, u shpreh Kumbaro.
Me tej ministrja e Kultures tha se vendimi për përfshirjen në politikë nuk ishte vetëm i saji, por i gjithë familjarëve të saj, bashkëshortit të saj, gazetarit Aleksandër Furxhi, dhe dy fëmijëve. Por jo e babait të saj. Kumbaro deklaroi se babai i saj ka qenë kundër përfshirjes së Mirelës në politikë.
“Babai im ishte kundër përfshirjes sime në politikë. Sot ai nuk jeton më.
Prindërit e mi kanë qenë të dy arsimtarë, shumë të përkushtuar. Por mënyra sesi diktatura i trajton njerëzit e ndershëm dhe të drejtë është e dhimbshme, u heq të drejtën e fjalës dhe shprehjes së mendimit të lirë.
Dhe kjo bën që të krijohet një mendim ndryshe për politikën. Ndaj im atë ishte kundër”, shprehet Mirela Kumbaro
Ministrja u ndal edhe tek një detyrë tjetër e rëndësishme, ajo e të qënurit nënë e dy fëmijëve.
Kumbaro tha se gjatë edukimit të fëmijëve, është përpjekur gjithnjë që t’i lërë fëmijët të zgjedhin atë që ata duan, dhe të mos u imponojë asgjë.
“Unë kam vetëm 5 vjet që jam në politikë, fëmijët e mi tashmë janë shumë të rritur. I kam përkushtuar pjesën më të madhe të jetës familjes, punës, edukimit dhe profesionit tim. Kur arrin disa objektiva, vjen momenti kur njeriu ndjen se ka shumë energji dhe ka shumë për të dhënë. Është një kohë e ekuilibruar mes rolit të nënës që e kam kryer në themelet e veta. Ata janë duke studiuar në fushën e drejtësisë. Mënyra si unë e kam bërë nënën, e kam hequr të drejtën e vetes për t’ju imponuar, sikurse askush s’më ka imponuar mua. Është një formë demokratike. Dëshirat e mia i kam që ata të jenë të zotët e vetes, të zgjedhin të bëjnë atë që dinë të bëjnë mirë”, tha Kumbaro.