Filmi “Shok” në OSCAR, shqiponjat fluturojnë drejt Los Angelos. Aktorët dhe stafi i filmit kosovar ka postuar një foto ku bën shqiponjën me duar
I bazuar në ngjarje të vërteta. Kosovë 1998″. Ky është prezantimi i filmit “Shok” tashmë një prej filmave të nominuar në ‘Oscar 2016’.
“Petrit, na, s’asht dashtë më kan ktu hiq. -Mshele gojën…. Ti je hajdut, ti je rrens, po ma e keqja- ti je tradhtar”, këto janë vetëm disa prej frazave të filmit që është vendosur në kohën e luftës në Kosovë, kohë kur Kosova gjendej nën Serbinë. Xhirimet e filmit janë realizuar gjatë vitit të kaluar në qytetin e Mitrovicës, ndërkohë, producenti i tij, Eshref Durmishi, i cili e portretizon rolin e Dushanit, ka theksuar se përmes pamjeve në këtë film shfaqet një pjesë e rrugëtimit të shqiptarëve gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Në prodhimin kinematografik sprovohen kufijtë e miqësisë mes dy fëmijëve të cilët luftojnë për të mbijetuar gjatë luftës në Kosovë e kjo luftë tashmë del nga Ballkani dhe mësyn SHBA-në, mbasi festohet nominimi i parë në Akademinë “OSCARS” të këtij viti në Live Action Short Film. Janë tri histori të vërteta, rrëqethëse dhe që vijnë nga gjenocidi serb që ndodhi në Kosovë në vitet 1998-1999. Filmi sjell Petritin dhe Okin, dy shokë të ngushtë të cilët gjenden në situata të vështira në kohën e luftës së Kosovës. Trauma, drama, saga para së cilës ndodhen, është e vështirë për një diapazon si ai i tyre. “Andi dhe Lumi janë dy djem të rinj të cilët më kanë ndihmuar shumë gjatë filmit, plus anglishtja e tyre është shumë më e mirë sesa shqipja ime. Ka qenë një kohë shumë cilësore dhe shumë profesionale të punoja me një ekip të tillë”, pati thënë më herët Donoghue.
Me skenar dhe regji nga Jamie Donoughue, filmi ‘Shok’ u nominua bashkë me 4 filma të tjerë për çmimin ‘Best Live Action Short Film’ në edicionin e 88-të të ‘OSCARS’. ‘Shok’ është i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës me producent Eshref Durmishi dhe Harvey Ascott. Kjo është arritja më e madhe e kinematografisë kosovare deri tani dhe ‘Shok’ tashmë i ka hapur dyert filmave kosovarë që të jenë pjesë në ngjarjet më të mëdha të filmit në botë.
“Shok” bën pjesë në kategorinë e filmave të metrazhit të shkurtër dhe do të garojë me filmat “Ave Maria”, “Day One”, “Everything Will Be Ok”, “Stutterer”. Filmi “Shok”, me regji të regjisorit anglez, Jamie Donoughue, ka për fokus jetën e dy fëmijëve, të cilët gjatë periudhës së luftës ishin të persekutuar nga ana e forcave serbe në Kosovë, ndërkohë që ky çmim për këtë film është i njëmbëdhjeti deri më tani. Ai është shpërblyer edhe në shumë festivale të tjera të filmit.
Filmi është i vendosur gjatë periudhës së luftës në Kosovë, kur vendi ishte nën okupimin e Serbisë. Këtu sprovohen kufijtë e miqësisë mes dy fëmijëve të cilët luftojnë për të mbijetuar gjatë luftës në Kosovë. Në këtë film luajnë: Lum Veseli, Andi Bajgora, Melihate Qena, Aurita Agushi, Eni Cani, Armond Morina, Eshref Durmishi, Sunaj Raca, Luan Kryeziu, Astrit Kabashi, Xhevdet Jashari, Kushtrim Sheremeti, Fisnik Ademi, Besnik Krapi etj. Asistent regjisore është regjisorja kosovare Blerta Basholli ndërsa drejtor i fotografisë është skocezi Philip Robertson.