Mes bretkut, bishës dhe princit, kë të dashurojmë sot?

Nga Iva Tiço

“Nga gjithë princeshat, më shumë dua Anën”, më tregon vajza dy vjeç e gjysmë e mikeshës sime. Si gjithë nënat e reja, por jo të dhëna pas filmave të animuar (nga të cilët unë s’di pse dreqin nuk heq dorë, edhe pse nuk kam fëmijë në shtëpi) ajo i ka blerë të voglës “Frozen” dhe ndërsa ka pritur që e bija të nisë e të kërkojë nga ata aksesorët gjithëfarësh me princeshën flokëverdhë, që quhet Elsa, ka dëgjuar që ajo do Anën. Për dreq, nëpër dyqane xhinglat me Anën nuk janë dhe aq popullore, ndërsa edhe pse aq e vogël, vajza për këmbëngulje i ngjan fiks së ëmës: ajo do Anën dhe pikë!

Unë, ekspertja e fushës, krenohem: edhe mua më pëlqen Ana. Dhe nis t’i shpjegoj shoqes sime se, edhe pse “Frozen” duket sikur ndërtohet rreth Elsës, personazhi i vërtetë aty është Ana, se ky është një film vizatimor ndryshe nga të tjerët, ku nuk ka princ që të shpëton, të merr me kalë të bardhë e pastaj jetoni të lumtur deri në fund të jetës, por se dashuria e vërtetë është ajo për familjen tënde, atë të gjakut, në këtë rast, dashuria e dy motrave. Dhe më kryesorja fare, kjo Ana është si të jetë shoqja jonë e vjetër: dashurohet vërtet me princin në fillim të filmit, por ja që rrugës ndërron mendje dhe dashurohet me karrocierin e varfër… “Pra, vajza ime, dy vjeç e gjysmë, ka qejf këtë që ndërron të dashurin?!”, më thotë shoqja në fund të analizës sime… Për pak mund të thoshim “çfarë brezi po rritet…”, dhe të shndërroheshim përfundimisht në mamatë tona. Por jo, në fund mbahemi me thonj te brezi jonë, në fund të fundit ne jemi Ana, edhe pse jemi rritur me Hirushe dhe Borëbardhë.

Bota ka ndryshuar, nuk kishte si të mos ndryshonin dhe përrallat. A mund të rriten vajzat e sotme me princat e dikurshëm? Si mund të ëndërrojnë ato një “happy end” me modelet e vjetra? Si mund të ndërtojnë lidhje me dikë nën shembullin e princeshave? Çfarë mund të bënim po të ishim si ato?

Ja, për shembull, po të ishim Borëbardha: ajo e takoi princin shkarazi dhe ai i premtoi që do jetonin bashkë. Dhe ç‘bëri ajo ndërkohë? Shkoi jetoi me shtatë burra të panjohur, që vetëm se ishin trupvegjël na u bënë për të menjëherë si vëllezër? Pastaj ishte aq bibë, sa kur një plakë e shëmtuar dhe këllirë, që askush nga ne nuk do guxonte t’i afrohej, i dha një mollë, ajo e kafshoi direkt, pa i ardhur fare pështirë. Dhe pastaj u shtri si e vdekur dhe priti që princi të shkonte e ta puthte për ta shpëtuar.

Jo shumë larg saj është dhe Aurora, “Bukuroshja e fjetur”: edhe ajo nuk bën asgjë, as për të ndërtuar marrëdhënien, as për ta mbajtur atë. Edhe kjo ia fut me gjumë për njëqind vite rresht. Në ditët e sotme ne e dimë shumë mirë që këto punë nuk bëhen fare me gjumë, përkundrazi, bëhen duke prishur gjumin e natës dhe të ditës, duke u dergjur nëpër klube nate, nëpër tavolina me shokët e atij, përpara ekranit të televizorit, ku bën sikur të pëlqen futbolli, duke duruar mamin e tij dhe gjithë ankesat e gjithë familjes për sëmundjet e shumë e shumë sakrifica të tilla. Vetëm gjumë nuk ka! Borëbardha dhe Aurora e ditëve të sotme zgjohen pa gdhirë, shkojnë në palestër dhe në punë, pastaj i mbajnë sytë hapur gjithë ditën, se edhe hapur dhe bërë katërsh, princi gjithsesi mund të rrëshkasë drejt një tjetre, që mund të ketë më shumë takat dhe mund të rrijë më shumë pa gjumë klubeve të natës.

Edhe shoqja e tyre, Hirushja, ishte mirë me gjumin. Sapo mundej, edhe ajo mbështetej dhe e merrte një sy gjumë pranë vatrës. Por gjithsesi, princin e meritonte njëçikë më shumë sesa dy të parat: së paku ka larë male me pjata dhe ka kruar dysheme të tëra përpara se t’i dilte fati i mirë.

Por nga ajo përsëri nuk kemi çfarë të mësojmë: nëse i ikim “princit” në mesnatë ndërsa na bien këpucët shkallëve, e vetmja gjë që ai do mendojë është që jemi komplet tapë. Dhe askush nuk kërkon të martohet me një vajzë që bëhet tapë dhe humbet këpucët rrugëve. Le pastaj të të kërkojë gjithandej me këpucë në dorë dhe ajo dreq këpuce me një numër allasoj në gjithë mbretërinë nuk na i bëka asnjë vajze tjetër… Le pastaj, por edhe pse me pamje ndryshe nga ajo e festës, princi gjithsesi të merrr për grua. Shkoni e dilini në takimin e dytë dikujt në ditët e sotme pa make up dhe me pamjen e një pastrueseje, se keni për ta parë me dylbi më princin.

Me dylbi e shihte princin dhe Arieli, “Sirena e Vogël”. Ajo i kishte të gjitha gjërat që mund të dojë një vajzë e vogël dhe nuk i duhej fare një princ që t’i ndryshonte jetën. Po ku i rrihej asaj llastice pa e koklavitur njëçikë jetën?! Shkoi, këmbeu në treg të zi zërin me një palë këmbë të bukura dhe e komplikoi gjithçka më shumë. Dhe në fund fare, del prapë babai në skenë dhe rregullon gjithçka dhe çifti martohet. Pra, ne të tjerat, që nuk jemi vajzat e mbretit Triton, nuk kemi ç‘e fusin veten në ngatërresa, se nuk ka njeri të na shpëtojë.

As Belës tek e “Bukura dhe bisha” i ati nuk i plotësonte dot tekat, përkundrazi, ajo e shkreta u nis ta zbuste bishën vetëm për të shpëtuar babanë. Nuk e kishte llogaritur fare këtë punën e princit, ky ishte shpërblim si tip bonusi në fund: pasi kishte duruar mbllaçitjet e tij (mendo ne që nuk durojmë dot as mamin kur vjen të hajë një shegë afër në divan), ulërimat nëpër kështjellë, erën e tmerrshme, dhe pasi i kishte lexuar disa vandakë me libra. Fiks gjëra të shekullit të kaluar: shko e thuaji një çuni sot që nuk di të hajë siç duhet dhe ik e bëji muhabet librash se do e shohësh, edhe princ të ishte do shndrrohej menjëherë në bishë, nga ato që ia mbathin me vrap.

Mesa duket, edhe në Disney e kanë kuptuar se kohët kanë ndryshuar dhe dashuria e vërtetë nuk është më si njëherë e një kohë. As lidhjet. Vajzat sot nuk mund të puthin një bretk për ta parë të shndërrohet në princ. E para, sepse do duhej të puthnin një pellg plot me bretkë derisa të gjenin bretkun e duhur. Dhe së dyti, dhe më e rëndësishmja, sepse e dinë që asnjë bretk nuk shndërrohet në princ. Burrat nuk ndryshojnë kur futen në një lidhje, ose ndryshojnë për keq, mund të kthehen nga princër në bretkë. Prandaj dhe gocat e sotme e dinë se nëse duan një bretk, e duan sepse është bretk dhe nuk kanë më asnjë pritshmëri. Ose, nëse dashurojnë një bishë, e duan si të tillë, madje mund t’u duket dhe shumë e bukur ajo mbllaçitja në tryezë. Dhe në fund fare, nuk ëndërrojnë për dashurinë e përjetshme me princin, por janë si Ana. E dinë që dashuria e vërtetë, ajo deri në fund të jetës, është vetëm ajo me gjakun tënd. Dhe se mund të ndërrosh mendje. E kush tha që për të jetuar të lumtur duhet të martohemi me princin? Ka shumë gjëra të bukura rrugës!/Tiranapost.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *