
Cate Blanchett do të jetë presidente e jurisë së festivalit kinematografik të Kanë 2018.
Lajmi bëhet i ditur nga France Press, që citon organizatorët e festivalit. Aktorja australiane , fituese e çmimeve Oscar do të jetë gruaja e dymbëdhjetë që do të kryesojë jurinë e festivalit prestigjioz francez, që do të nisë në 8 maj.
“Jemi shumë të nderuar t’i japim mirëseardhjen një artisteje unike dhe plot talent”, bëjnë të ditur në një komunikatë të përbashkët presidenti i festivalit, Pierre Lescure dhe delegati i përgjithshëm Thierry Fremaux.
“Unë kam ardhur në Kanë vite me radhë si një aktore, si producente, për mbrëmje gala dhe seanca konkurruese, por asgjë nuk mund të krahasohet me gëzimin që do të më japë ky festival i madh dhe filmat e shumtë që do të shikoj në maj. Është një privilegj që unë e pranoj me përulësi: ky festival do të ketë një rol themelor në kremtimin e historisë. Me të vërtetë e sjell të gjithë botën së bashku, është një vend ku të gjithë popujt ndajnë dhe aspironin të njëjtën gjë”, përgjigjet ylli australian në një deklaratë.
Blanchett ka qenë së fundmi një nga promovueset e iniciativës “Time’s Up”, të lançuar pas skandalit Weinstein për të mbështetur viktimat e abuzimeve në botën e spektakleve./Tgcom24/ATSH