Revista Archaeology, e cila botohet nga Instituti Arkeologjik Amerikan, sjell zbulimet më të mëdha arkeologjike që ndodhën gjatë vitit që lamë pas.Sipas hulumtuesve të cilët shkruajnë për këtë revistë shkencore, disa prej zbulimet më të rëndësishme ishin kafkat e gjetura në lokalitetin Gobejkli Tepe në Turqi, të cilat i takojnë periudhës ndërmjet mijëvjeçarit të dhjetë dhe të tetë para erës sonë, anija luftarake amerikane Indianapolis dhe ujku i varrosur në Piramidën e Madhe Asteke në Meksikë, transmeton KosovaPress.
Lokaliteti Gobejkli Tepe në Turqi përbëhet nga rrethe të mëdha shkëmbore, të cilat i kanë mbledhur banorët e asaj ane për shkak të ceremonive dhe ngjarjeve shoqërore ose fetare.
Arkeologët këtë vit gjetën pjesë të vogla të kafkave të cilat u takonin njerëzve, të cilat vareshin në shtylla në të cilat ishin ngritur gurë monoliti. Ata konstatuan se kafkat, nga të cilat kishin rënë pjesët e vogla, ishin të prera dhe të ndryshuara pak pas vdekjes së të ndjerit.
Ky është një tregues i parë në lidhje me mënyrën se si banorët e Neolitit janë sjellë me të afërmit e tyre ose armiqtë.Sipas tyre, ky kompleks monolite mund të jetë një vend i kultit të kafkave. Zbulimi tregon për mundësinë e një rituali që është mbajtur në këtë lokalitet.
Gjurmët e kafkave tregojnë se ishin të pastruara nga mishi, ishin gdhendur, mdaje edhe ishin ngjyrosur.Prerjet e thella në kafka krijuan shtrirjen e kanaleve të cilat, sipas mendimit të arkeologëve nga Gjermania, shkonin nga balli në kokë. Sipër kokës ishte një vrimë e vogël përmes së cilës mund të kalonte litari për të lidhur kafkat.
“Ky është zbulimi i parë i këtij lloji për periudhën e neolitit të hershëm dhe na tregon për marrëdhënien e pazakontë të të gjallëve me të vdekurit”, thotë arkeologu Julius Gresk nga Instituti Arkeologjik Gjerman.
Zbulimi i dytë më i madh këtë vit ishte anija luftarake amerikane Indianapolis, e cila ishte fundosur gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe njëherësh konsiderohet si katastrofa më e madhe në historinë e luftës së marinës së SHBA-së.
Anija i takonte klasës Portland. Ajo ishte nisur nga San Francisko më 16 korrik 1945 me 1.196 anëtarë të ekuipazhit, me detyrën që në kohë sa më të shkurtër të dërgojë disa komponentë për bombën atomike, e cila do të hidhej në Hiroshima.
Gjatë rrugës ajo u godit nga nëndetëset japoneze dhe për më pak se 15 minuta u fundos. Disa marinarë të mbijetuar nuk ishin në gjendje të shpjegojnë saktë vendin e fundosjes së anijes.
Ajo pas 72 vjetësh u gjet në fund të Paqësorit në thellësi prej rreth 6.000 metrash.
Në sajë të një nëndetëseje pa ekuipazh, ekspertët detarë bazuar në dëshminë e anëtarëve të ekuipazhit të mbijetuar përafërsisht përcaktuan zonën ku anija mund të vendoset dhe tani Indianapolis është gati të tërhiqet në sipërfaqe.
Zbulimi i tretë është një kek me fruta të ëmbla, i cili u gjet në gjendje të mirë në Polin e Jugut nga shkencëtarët e Zelandës së Re.
Ëmbëlsira e bërë nga pastiçerët britanikë të Huntley &Palmers, ishte ende e mbështjellë me letër, në një kasolle të largët në Antarktik. Ai i përkiste ekspeditës së Robert Falcon Scott të vitit 1911.
Zbulimi tjetër është ujku i varrosur në piramidën e madhe asteke në Meksikë sikur të ishte një luftëtar i madh lufte.Skeleti i ujkut të ri ishte mbuluar me gjëra të arit, të cilat nuk janë parë deri më tash.Arkeologu Leonardo Lopez Lujan shpjegon se ujku ishte varrosur me të gjitha nderimet sikur të ishte njeri, pasi koka i ishte kthyer kah perëndimi.
Ujku është varrosur gjatë kohës së mbretit Ahuicotla (1486-1502) kur shteti astek ishte në ekspansion të madh.Zbulimi i ardhshëm që fitoi të drejtën të jetë ndër më të rëndësishmit në vitin 2017, është nga Egjipti, ku u gjet një mbishkrim i gdhendur që tregonte se si ka evoluar shkrimi hieroglifik egjiptian. Ky është shënimi më i hershëm publik hieroglifik. Egjiptianët e konsiderojnë atë si pjesë të një mesazhi publik të faraonit.
Një ekip i udhëhequr nga egjiptologu John Darnell nga Universitetit Yale e gjeti këtë mbishkrim në anën e një muri dhe daton nga viti 3,255 para erës sonë, e cila ishte koha e dinastisë zero, kur Lugina e Nilit u nda në dy shtetet konfliktuoze.
Mbishkrimet e mëhershme nga periudha e dinastisë zero janë të rralla dhe kanë të bëjnë me të dhënat administrative, derisa ky mbishkrim është rreth gjysmë metër i lartë dhe 300 vjet më i vjetër se sa mbishkrimet e mëhershme të gjetura nga ajo periudhë.
Artefaktet më të vjetra të arit në Britani të Madhe janë gjetur në Leacroft dhe datojnë nga periudha e viteve 400-250 para erës së re.
Në bazë të stilit ato ishin dedikuar për zbukurimin e femrave, ndërsa në pyetje janë gjërat më të vjetra të arit nga koha e hekurit, kur ishin ndërprerë rrugët tregtare ndërmjet tokës britanike dhe ishujve britanikë, ku ende nuk dihej si përpunohej ari.
Stolitë me siguri janë krijuar në Evropë dhe janë sjellë si dhuratë nga ndonjë evropiane.
Zbulimi i radhës është në Romë, ku gjatë ndërtimit të linjës së re të metrosë punëtorët gjetën ujësjellësin më të vjetër që daton nga viti 312 para erës së re. Mbetjet e ujësjellësit u gjetën në afërsi të Koloseumit, në thellësi prej 20 metrash nën sheshin Celimontana.
Në mes të rrethit monolit pranë Stonehage në Angli, u gjet një shesh i përbërë nga të njëjtat monolite. Ky rreth prej gurëve monolitë është më i madhi nga të gjitha ndërtimet e njohura të këtij lloji në Britani.
Një hapësirë katrore e rrethuar nga gurë monolitë arkeologët ia atribuojnë themelit të ndonjë ndërtese të ndërtuar para më shumë se 5.000 vjetësh, qëllimi i së cilës nuk mund të përcaktohet. Më parë besohej se qarqet prej guri në Avebury u vendosën nga jashtë drejt qendrës, dhe tani, me zbulimin e themelit të disa ndërtimeve, arkeologët besojnë se procesi mund të jetë i kundërt dhe se qarqet e gurit përhapeshin nga qendra drejt skajeve të fushës.
Zbulimi i ardhshëm, i fundit në listën e revistës, ndryshon datën e shfaqjes së paraardhësit të njeriut- homosapiens. Gjatë gërmimeve në vendin Jebel Irhoud pranë bregut maroken, u gjetën kockat e homosapiens, mosha e të cilëve ishte 300.000 vjet dhe janë eshtrat më të hershme të paraardhësve të njeriut.
Mbetjet e hominideve nga Maroku janë më të rinj se mbetjet e Neandertalit për të paktën 50,000 vjet, por në të njëjtën kohë u zhvilluan dy lloje të hominideve. Njëra kishte një fytyrë të sheshtë dhe më të shkurtër, të ngjashme me homosapiens modern, dhe tjetra kishte një fytyrë të zgjatur, dhëmbë më të mëdhenj, dhe kështu dukej më shumë si neandertalët, përgatiti Koha.