Rrezikoi shkrirjen/ Miratohet kalendari i reformës së Akademisë së Shkencave

Asambleja e Akademisë së Shkencave e mbledhur sot më datën 22 dhjetor 2017, aprovoi kalendarin e reformës institucionale!

Akademik Vasil S. Tole në emër të Këshillit Ekzekutiv, në mbledhjen e Asamblesë së ASH-së bëri me dije sa vijon:

Pas përcaktimit të natyrës dhe funksioneve të reja që mendohet të kryejë Akademia jonë e Shkencave në të ardhmen, këto të parashikuara në dokumentin e hartuar nga Komisioni Ad Hoc dhe i aprovuar unanimisht nga Asambleja, konkluduar pas një procesi të gjatë reflektimi dhe gjithëpërfshirës aktorësh dhe faktorësh, mendojmë se ka ardhur momenti që të kalojmë në fazën e konkretizimit të parimeve e propozimeve të përfshira në atë dokument dhe jo vetëm, kjo përmes aprovimit të hapave të reformës.

Konkluzionet tona të shprehura në dokumentin e reformimit, përputhen tërësisht me atë ҫka tha edhe z. Kryeministër Rama në takimin me akademikët më datë 22 nëntor 2017 se (citoj) :
…. Akademia vetë si e tillë nuk mund të jetë ajo vetë që bën shkencën, por është kuvendi i atyre që e bëjnë shkencën në sektorët përkatës dhe që garantojnë autoritetin e një gjykate, llogarie mund të themi, të gjithë jetës akademike dhe shkencore të vendit, ku ndikimi mbi autoritetet, mbi opinionin është, vjen si rezultat i cilësisë përfaqësimit në këtë kuvend të shkencës… Ne mund të bëjmë një kuvend të shkencës dhe të dijes që t’i japë mundësinë gjithë atyre që kanë dëshirë, pasion dhe ndjenjë detyrimi për të dhënë për shkencën dhe për dijen në këtë vend, që të jenë të përfaqësuar dhe të jenë në shoqërinë e tyre (mbyllet citimi).

Pikërisht, sot jemi mbledhur që të konkretizojmë hedhjen e disa hapave të domosdoshëm për përcaktimin dhe hartimin e dokumenteve ligjorë dhe nënligjorë, të cilat do të formalizojnë dhe sjellin si rrjedhojë ristrukturimin e Akademisë së Shkencave, si një akademi që më së pari do ti përgjigjet nevojave të zhvillimit të vendit.
Ritheksoj se në këtë fazë që jemi, procesi është i dyanshëm: mes institucionit që reformohet dhe politikës që e mundëson përmes mekanizmave vendimmarrëse.

Pas takimit me z. Kryeministër Rama, në të cilin u la si afat fundor muaji mars 2017 për përfundimin e kësaj reforme, më poshtë po ju paraqes në emër të Këshillit Ekzekutiv të Akademisë, hapat dhe veprimet që mendojmë të ndërmarrim për të konkretizuar platformën reformuese të Akademisë në mënyrë që ta realizojmë atë në afat.

Kalendari i reformës, për tu përmbushur deri në muajin mars 2018:

• Ngritja e “Komisionit të përbashkët të mirëbesimit, për ndjekjen dhe monitorimin e procesit të reformimit”, midis Akademisë së Shkencave dhe Ministrisë së Arsimit, Sportit e Rinisë”.
• Hartimi i draft ligjit “Për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë”.
• Hartimin e draftit të VKM “Për organikën e “Akademisë së Shkencave të Shqipërisë”
• Hartimi i draftit të “Statutit” të ASh-së dhe i dokumenteve:
• “Kritere dhe standardet e pranimeve të reja si “Akademik” dhe “Akademik i asociuar” dhe
• “Kriteret dhe standardet e konkurrimit në pozicionet drejtuese të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë”.
• Hartimi i draftit të “KODIT AKADEMIK TË SJELLJES PËR INTEGRITET NË KËRKIMIN SHKENCOR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *