Filozofia dhe arti letrar

Filozofia dhe arti letrar, siç dihet, konsiderohen gjithmonë si dy sfera shumë të afërta dhe të rëndësishme në historinë e mendimit njerëzor, që do të thotë se, ato u lindën dhe u zhvilluan bashkë .

Nga Islam Balaj

Do theksuar se studimet e para filozofike u shfaqen midis shek. VII dhe V-të, para Krishtit, si rezultat i kryqëzimit të traditave të civilizimit të lashtë të Egjeut dhe atij të krijuar në Persi, Babiloni dhe Egjipt.

Autoriteti dhe ndikimi i poetit të madh, Homerit, kanë qenë rezultat jo vetëm i asaj që ai u këndoi heronjve akejanë, por gjithashtu edhe i asaj që në epopetë e tij ekziston një vizion mjaft intensiv mbi fuqitë dhe fenomenet kozmike.

Edhe poeti tjetër i madh grek-Hesiodi, në frymën e ngjashme e ka krijuar veprën e tij “Teogonia”, vepër në të cilën gjenealogjia mitike e perëndive, njëkohësisht paraqet krijimin e botës që na rrethon.

Kjo do të thotë se për krijimtarinë letrare, është e domosdoshme forca gjeniale e krijuesit, si diçka hyjnore, e ngjashme me forcën krijuese të vetë natyrës.

 “Bota ideore e artit letrar dhe bota reale janë padyshim produkt i të njejtës veprimtari…” thotë W. J. Schelling.   Grekët e lashtë, siç dihet, janë shërbyer me konceptet: aisthesis  dhe noesis, ndërkohë që në mesjetë, ekuivalentë të këtyre koncepteve, u bënë konceptet: sensatio  dhe intelectus, të cilët shërbenin për të bërë dallimin në mes të ndijimit shqisor  dhe mendimit. Mirëpo e veçanta e këtyre koncepteve, është se ata nuk kanë shërbyer për të shqyrtuar të bukurën, artin apo përjetimin e të bukurës. Ndonëse koncepti i të bukurës në filozofinë mbi artet, në antikë  dhe në mesjetë, ka qenë tema bosht. Kështu, për Platonin për shembull, vetëm ideja e të bukurës , ka qenë vërtet e bukur. Ndërsa në filozofinë mesjetare (nën ndikimin e neoplatonistëve), mbi të bukurën, mbi Hyun dhe gjërat tjera ideale, flitej si mbi të vërtetat më të larta. Empiristët, e hedhin poshtë idenë, sipas së cilës ekzistojnë standarde universale mbi të bukurën. Ndërkaq Kant-i, në veprën e tij: “Kritik der urteilskraft “(Kritika e fuqisë së të gjykuarit), ku vendin qendror e zë e bukura, niset nga qëndrimi se një gjë e quajmë të bukur, vetëm nëse vlerësohet përmes gjykimit të shijes. Mirëpo kthesë në këtë drejtim ka bërë Alexander Baumgarten-i. Ai njohjen ndijore (cognitio sensitiva)  e konsideron: njohje e të bukurës, ndërsa këtë pjesë të shkencës, gjegjësisht, të filoozofisë, e cila merret me këtë fushë të njohjeve njerëzore (njohjen ndijore-shqisore), e quan: estetikëQë do të thotë se A. Baumgarten-i, parimin e të përsosurit, jo vetëm që e zbaton në estetikë, por njëkohësisht dhe e modifikon. E bukura, sipas tij, është përsosje e njohurive ndijimore (shqisore). Ndërkohë që më herët mendohej se përsosja mund të kuptohet vetëm përmes arsyes.

Pra, A. Baumgarten-i qe i pari i cili theksoi se e bukura, mund të jetë një përsosje  të cilën vetëm shqisat mund ta vërejnë, dhe atë, në mënyrë të pakuptueshme dhe konfuze.

Alexander G. Baumgarten-i, (themeluaes i estetikës moderne), apo siç e quajnë ndryshe, mbretëria e të bukurës, të shëmtuarës, të madhërishmes dhe elegancës; mbretëria e shijes dhe kritikë e arteve të bukura, shkon edhe më larg, kur thotë se estetika, është art, jo shkencë.  Sado që estetika njihet si disiplinë e rëndësishme e filozofisë, sipas tij: “ Poet, ashtu si edhe estet, lindësh, nuk bëhesh”. Edhe pse, prapë sipas tij, artet e veçanta ndryshojnë, ashtu siç mund të ndryshojnë dhe aftësitë e veçanta si psh.: ndjenja, imagjinata, shija apo edhe gjenia etj. Që do të thotë se në këto fenomene, operojnë parimet (principet) e përbashkëta, të cilët duhet kuptuar dhe si faktorë që i paraprijnë interesit të përbashkët. S’do mend se A. Baumgarten-i, ngul këmbë në përkufizimin edhe të të ashtuquajtures “ Filozofi poetike”, si “kompleks i rregullave“, sipas të cilave duhet të shkruhet poema. Ndërsa “poema” është përkufizuar si: “ oratio sensitiva perfecta”.

Pra, filozofia dhe arti letrar, si dy sfera të rëndësishme të vetëdijës shoqërore, (njerëzore), kanë qenë dhe janë të lidhura ngusht mes vete, sepse ato njëra-tjetrën e ushqejnë, për të mos thënë, përbëhen nga e njejta lëndë; i njejti brum. Në këtë kontekst, si njëra, ashtu edhe tjetra, janë prirje që nuk kundërshtohen në mes veti. Përkundrazi…

Ndërsa Cavalcanti  në vargjet e veta ka bërë një rivënie të filozofisë me poezinë. Pra, në fund fare, nga gjithë kjo që u theksua më lart lidhur me këtë çështje, del se filozofia dhe arti letrar, janë të ndërlidhura ngushtë mes vete, për sa i përket një aftësie të veçantë të njeriut si subjekt.

 

One comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *