Katër poetet e përzgjedhura janë Ledia Dushi, Belfjore Qose, Trëndafile Visha dhe Ardita Jatru. Qëllimi i këtij botimi është të njohë lexuesit me poezinë shqipe bashkëkohore, por edhe me traditën, për këtë arsye çdo libërth do shoqërohet prej një eseje prezantuese mbi historinë dhe letërsinë shqiptare. Siç do të thoshte edhe albanologu shumë i njohur, i ndjeri Robert Elsie, në krahasim me letërsitë e tjera të Ballkanit, shumë pak letra shqipe janë përkthyer anglisht. Për këtë mungesë ka arsye të ndryshme. Në shumë universitete të Evropës Perëndimore dhe të Amerikës Veriore mësohet gjuhë-letërsi sllave dhe romake. Edhe letërsia neogreke trajtohet shpeshherë në kuadrin e studimit të filologjisë klasike apo bizantine. Shqipja, përkundrazi, një gjuhë pa lidhje të ngushta me këto grupe gjuhësore të studiuara, mbetet përjashtim, një lëndë e panjohur. I këtillë është edhe fati i letërsisë shqiptare në tërësi. Katër poeteshat, pjesë e kësaj përzgjedhjeje janë përfaqësuese të letërsisë së re shqipe, e cila pas gjysmës së parë të viteve ’90 njohu edhe zhvillimin e saj, shoqëruar nga një frymë shumë e veçantë eksperimentale dhe bashkëkohore, sidomos nën penën poetike femërore. Ky projekt botimi do të jetë një mundësi e mirë për ta bërë të njohur edhe më tej letërsinë e re shqipe.