Sot është një ditë e veçantë për të gjithë dashamirësit e letërsisë ruse. Në këtë ditë në vitin 1860 ka lindur shkrimtari i madh rus, i cili me veprat e tij ka sjellë një transformim rrënjësor të traditave të artit dramaturgjik, Anton Çehov.
Djali i një shitësi dhe i një tregtareje, Anton Çehovi studio mjekësi për pesë vjet. I lindur në Taganrog, në Rusi, në një familje që vuajti gjatë nga problemet ekonomike, i ri ëndërronte vetëm t’i ikte skamjes në të cilën ndodhej familja e tij, ndërkohë që kishte vuajtur abuzimet e vazhdueshme të një babai të sertë me nënën e tij. Një vizitë në Moskë e bën që ai të dashurohet pas këtij qyteti. Bën gjithçka për të shkuar atje, duke marrë një bursë studimi në mjekësi. Por ndonëse në profesion ishte mjek, ai u bë një ndër shkrimtarët dhe dramaturgët kryesorë rusë.
Pjesët e famshme të Çehovit “Pulëbardha”, “Xhaxha Vanja”, “Tri motrat”, “Kopshti i qershive” e të tjera edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të vihen në skenë në teatro të ndryshme të botës, përfshirë këtu Teatrin Kombëtar të Shqipërisë.
Jo më pak të vlefshme janë tregimet dhe novelat e Çehovit, në të cilat u shfaq talenti i jashtëzakonshëm i autorit dhe të cilat kanë pasuruar shumë thesarin e letërsisë botërore. Për fat të mirë, shumë nga veprat e Çehovit janë përkthyer edhe në gjuhën shqipe.
“Mjekësia është gruaja ime, ndërsa letërsia dashnorja”, është kjo një ndër shprehjet më të njohura të tij.
Anton Pavlloviç Çehov lindi 155- vite më parë, më 29 janar të vitit 1860. Ai që do të diplomohej për mjekësi, sot njihet si dramaturgu më i madh të shekullit të XIX-të dhe i fillimit të atij të XX, por edhe si shkrimtari më i suksesshëm i tregimeve të shkurtra, autori gjenial, vëzhguesi skrupuloz, mendjehapuri dhe komunikuesi ëmbëlak. Që nga koha e vdekjes së Çehovit, që daton më 15 korrik i vitit 1905, reputacioni i tij u rrrit.
Arkivat
Sipas një libri të vitit 1997, bazuar në letrat e lëshuara nga arkivi rus, dramaturgu ishte, ndër të tjera, edhe një frekuentues i shtëpive publike.
Anton Çehov, ishte nipi i një bujkrobi, që arriti të blinte lirinë e tij dhe biri i një shitësi ushqimesh. “Ndër gjërat më të shenjta janë trupi njerëzor, shëndeti, inteligjenca, talenti, dashuria dhe liria nga dhuna, nga gënjeshtrat. Ky është programi që do të doja të ndiqja nëse do të isha një artist i madh” ka thënë Çehovi.
Dashuria
Lidia Alekseevna Avilova ka jetuar mes viteve 1864 dhe 1943. Lidia lindi në Tula, një qytet i njohur për kallashnikovët dhe vodkën, një vend që ndodhet pranë Jasnaja Poljana, aty ku Tosltoi kaloi një pjesë të mirë të jetës së tij dhe ku shkroi kryeveprat. Vdiq në Moskë duke përqafuar varrin e Anton Çehovit. Nga ajo kanë mbetur qindra dëshmi, por në veçanti “Autobiografia”. Ky botim, mban si nëntitull: “Çehovi në jetën time”. Studiuesit e letrave të saj, mendojnë se në fazën parapërgatitore të kësaj autobiografike, Lidia mund t’i ketë vënë edhe titullin “Historia e dashurisë e jetës sime”, gjë që do ta kthente në një rrëfim, që do të zbulonte të vërteta. Për më tepër, mjafton të hapësh veprën dhe të lexosh frazën e fillimit: “Historia e dashurisë që nuk e mësoi askush, por që zgjati plot dhjetë vjet…”. Po në këtë fletë Lidia flet edhe për njohjet e miqësinë e saj me Tolstoin, Gorkin, Buninin. A ka pasur dashuri mes tyre?
“Autobiografia” që Lidia la të shkruar edhe sot ngjall debate mes kritikëve.
Mes dorëshkrimeve të kësaj zonje, të ruajtur në Arkivin Qendror të Lidhjes së Shkrimtarëve, gjenden letra “për Antonin” që nga viti 1892. Letrat mbajnë shënime të shkrimtarit të njohur.
Lidia ishte e martuar dhe kishte fëmijë, por kjo nuk e pengonte të ishte e pranishme në takime sekrete.
Ndërkaq, me Olga Kniper, aktore ai u njoh kur vihej në skenë një nga shfaqjet e tij. “I dashur shkrimtar. E dashur aktore” titullohet libri me letrat e tyre të dashurisë. Derisa u martuan shkëmbyen letra fshehurazi ndërsa ai gjendej ne Jalte e ajo ne Rusi.
Ai ishte shkrimtari më i madh rus. Ajo aktorja kryesore e Teatrit të Moskës. Por ata qenë më shumë se bashlëpunëtorë. Prej vitit 1899 deri në vdekjen e tij më 1904, Anton Cehov dhe Olga Knipper ishin miq, të dashur e më në fund bashkëshortë. Puna e saj e shëndeti i tij i ka mbajtur larg njëri-tjetrit për diatanca të gjata kohore. Marrëdhënia e tyre kuptohet përmes letrash, dhe ato mes tyre tregojnë një histori të veçantë dashurie në historinë e teatrit.