Janar 1622, imzot Pjetër Budi dhuratë Vatikanit

Doktrina e krishterë

Doktrina e krishterë

Me 29 janar të vitit 1622, imzot Pjetër Budi i dhuron “Doktrinën e Kërshtenë” Bibliotekës së Vatikanit

Më 29 janar të vitit 1622, ipeshkvi katolik e shkrimtari shquar shqiptar, imzot Pjetër Budi i dhuroi Bibliotekës Apostolike të Vatikanit kopjen origjinale të veprës së parë të tij “Doktrina  e Kërshtenë “ (Dottrina Christiana), përkthim i katekizmit të shën Robert Belarminit, që u botua në Romë në vitin 1618. Në fund të faqes së veprës shkruan “Autor dono dedit Bibliothecae Vaticanae. 29 Januari 1622” (Autori ia dha [këtë kopje] dhuratë Bibliotekës së Vatikanit. 29 Janar 1622.

Veprat e ipeshkvit të jashtëzakonshëm imzot Pjetër Budit (1618-1621)

 Dy breza pas dom Gjon Buzukut, vjen figura e dytë më e madhe e letërsisë së hershme brenda Shqipërisë, ajo e Imzot Pjetër Budit (1566-1622), autorit të katër veprave fetare, me përmbajtje të doktrinës së krishterë, në gjuhën shqipe.

Imzot Pjetër Budi lindi në fshatin Gur i Bardhë, në krahinën e Matit. Vajti e mësoi për prift në Kolegjin Ilirik të Loretos (Collegium Illyricum ), afër Ankonës, në Itali, ku studiuan shumë të rinj e priftërinj shqiptarë, si të viseve tjera të Ballkanit e të Evropës Qendrore. Në moshën njëzetenjëvjeçare Pjetër Budi shugurohet meshtar katolik, dhe dërgohet menjëherë me shërbim në Maqedoni e Kosovë. Më 1610 përmendet si ‘kapelan i të krihsterëve’ në Shkup’, kurse më 1617 si kapelan në Prokuple, në Serbinë jugore.
Një vit më parë, mu në Prokuple, ishte mbajtur një mbledhje e lëvizjeve të ndryshme kombëtare kryengritëse për të organizuar një mësymje të madhe kundër turqve. Në Kosovë, dom Pjetër Budi erdhi në kontakt me katolikë françeskanë nga Bosnja, kontakte që në vitet e mëvonshme dhanë frytet e veta, sepse ndihmuan që të rritej mbështetja për qëndresën shqiptare kundër pushtuesve otoman.
Më 1599 Dom Pjetër Budi u emërua Vikar i Përgjithshëm (vicario generale) i Kishës katolike në Serbi, vend që e mbajti për shtatëmbëdhjetë vjet. Si përfaqësues i Kishës katolike në Ballkanin e pushtuar nga turqit, dom Pjetër Budi jetoi dhe punoi në një atmosferë politike pa dyshim të nderë. Misioni i tij kishtar ishte nga shumë anë një veprimtari e jashtëzakonshme, për përforcimin e jetës shpirtërore të grigjës besimtare, që kishte në udhëheqje e nën mbrojtje, si dhe për kultivimin e vetëdijes kombëtare e të vlerave etnike e kulturore të popullit shqiptar.
Imzot Pjetër Budi digjej nga dëshira e zjarrtë për ta parë popullin e vet të lirë nga zgjedha turke dhe punoi pa pushim për arritjen e këtij qëllimi. Dihet se në këtë periudhë ai ka pasur kontakte me figura që u dëgjohej fjala si Françesko Antonio Bertuçi (Francesco Antonio Bertucci) dhe me kryengritës shqiptarë që luftonin për të përmbysur sundimin osman. Por ipeshkvi imzot Pjetër Budi nuk ishte kurrsesi nacionalist mendjengushtë. Me sa mund të gjykohet, veprimtaria e tij, atëherë e më vonë, synonte një kryengritje të përgjithshme të të gjithë popujve të Ballkanit, përfshirë edhe bashkatdhetarët myslimanë.

Më 1616 imzot Pjetër Budi shkoi në Romë ku qëndroi deri 1618 për të mbikëqyrur botimin e veprave të veta.  Nga marsi 1618 e deri aty nga shtatori 1619 ai vajti për një shtegtim tetëmbëdhjetëmujor në Santiago de Kompostela në Spanjë, te shenjtërorja e njohur e Shën Jakut Apostull. Kur u kthye në Romë në vjeshtën e vitit 1619, ai u përpoq të tërhiqte vëmendjen e Kuries Romake, çka do të thotë të Selisë së Shenjtë të Romës kundrejt  gjendjes së mjerueshme të të krishterëve shqiptarë dhe të siguronte mbështetje për qëndresë.

Më 20 korrik 1621 u emërua ipeshkëv i Sapës dhe Sardës (Episcopus Sapatensis et Sardensis), do të thotë i krahinës së Zadrimës, dhe u kthye në Shqipëri një vit më pas. Puna e tij atje qe njëkohësisht fetare e Kishtare dhe e natyrës kombëtare e politike


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *