…të etur për një dorë ”shpëtimi”

ATSH-Zina Tosku/ – Me një palë rroba në ngjyrë blu, gati-gati të grisura e të lagura, fytyra e një foshnjeje dymuajshe herë mbulohej nga uji dhe herë dilte në sipërfaqen e detit Egje.

Ndërsa nëna e tij, klithte me ulërima në një gjuhë të panjohur, ajo përpiqej e shpërfytyruar mes detit, të shpëtonte fëmijën e saj nga fundosja.

Teksa luftonte me dallgët për veten dhe foshnjen e saj, bashkë me burra, gra e fëmijë të tjerë me të cilët po ndante të njëjtin fat, në përpjekje për të sfiduar vdekjen duke ndjerë thellë shijen e hidhur të saj, dëgjohej tingulli i tmerrshëm e kumbues që lëshonte përplasja e trupave të tyre me dallgët.

Tokë nuk shihnin asgjëkundi.

Papritur, si një dritë në fund të tunelit, shfaqet anija shqiptare “Oriku”, me kapitenin e rangut III, Silvan Boni që ndodhej në një patrullim të rastësishëm.

Pas evidentimit të fundosjes së gomones dhe klithmave të refugjatëve për ndihmë, nga ujërat e Egjeut ekuipazhi shqiptar sinjalizoi efektivat greke dhe turke, që mbërritën menjëherë në vendngjarje.

Atë të dielë, ora shënonte 14:35.

Data nuk do të thoshte asgjë, por ajo ditë do të shënonte ditën më të rëndësishme për ata refugjatë sirianë. Ajo ditë do të ndante viktimat nga fitimtarët, detin e etur për njerëz nga forca e madhe e zemrës njerëzore. Në gomone ishin 51 refugjatë, nga të cilët 29 burra, 10 gra dhe 12 fëmijë.

Paradoksi më i madh i historisë shqiptare, mes eksodit të viteve 1990-91 dhe eksodit kosovar në vitin 1999 ku shqiptarë u dëbuan me forcë prej serbëve, dora e shpëtimit për këta refugjatë, pas disa dekadash, do të bëhej një anije shqiptare.

Mes kujtimeve dhe klimthave të grave e fëmijëve në det, lotët shpëtojnë nga faqet e togeres shqiptare, Aurela Bala, e cila ishte ”aktore” në atë skenar filmi real, të pashkruar më parë.

“Ishte një skenë e tmerrshme. Ajo foshnje dymuajshe goditi zemrën time mes lëvizjes së shpejtë për ta shpëtuar dhe përjetimit të dhimbshëm. Vetëm sekondat ndanin jetën nga vdekja. Mes të qarave të atij dhe klithmave rrënqethëse, para syve m’u shfaq anija Tirana” e “Iliria e marsit të 1991. Nuk di si ta përshkruaj…”, shpërthen mes emocioneve togerja shqiptare, një ndër dy gratë e para, pjesë e misionit ndërkombëtar.

“Arsyet që detyrojnë sirianët apo afganët për të lënë atdheun e tyre mund të jenë më të ndryshmet. Nuk ka rëndësi kjo. Misioni Ndërkombëtar i “NATO”-s për shpëtimin e jetës së refugjatëve që tentojnë të kalojnë brigjet turke në ato greke me gomone, është i paçmueshëm. Kriza e refugjatëve nuk është problem vetëm i Lindjes së Mesme apo i Afrikës, është problem evropian, është problem amerikan, por edhe shqiptar”, thotë togerja.

”Do të doja shumë që ta takoja atë foshnje dymuajshe, pas shumë vitesh. Do doja të njihesha me jetën e tij, për të parë nëse familja e tij do t’i kishte plotësuar çka kërkonin. Kjo mbetet një ëndërr e imja…”, shton Aurela.

Pas afro një vit qëndrimi në detin Egje, anija e Flotës Luftarake Shqiptare “Oriku” shpëtoi 1 000 jetë njerëzish.

Misioni ishte tepër i veçantë për këtë ekuipazh, që ka qenë pjesë e misionit “Sea Gurdian”./

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *