Uria, 10% e shqiptarëve nuk hanë vaktet e plota, më keq se rajoni

Të paktën 290 mijë shqiptarë kategorizohen në grupin e atyre me vakte të reduktuara për shkak se nuk kanë arritur të sigurojnë ushqim të mjaftueshëm. Raporti i Organizatës së Ushqimit dhe Agrikulturës (FAO), për urinë, i vitit 2017 vlerëson se në Shqipëri prevalenca e pasigurisë së lartë ushqimore prek 10% të popullsisë totale. Kjo matje bëhet në kuadër të raportimeve që bëjnë shtetet anëtare, por edhe si pjesë e programit të Kombeve të Bashkuara për t’i dhënë fund urisë deri në vitin 2030, përmes objektivit 2 (t’i jepet fund urisë, të arrihet siguri ushqimore dhe përmirësim i ushqyerjes si dhe promovimi i agrikulturës së qëndrueshme).

Treguesi i FAO-s i referohet shifrave të raportuara nga të gjitha vendet në harkun kohor 2014-2016 dhe shifra prej 10% raportuar nga Shqipëria është më e larta në Europë. Në raport me mesataren e Europës Jugore që këtë tregues e ka sa 1.6% e popullsisë diferenca duket të jetë e lartë. Të njëjtin tregues, Bosnja e ka 1.4% të popullsisë, Mali i Zi 1.8%, kurse Serbia 4.1%. Kurse Europa e zhvilluar as që i diskuton më tregues të tillë.

Por çfarë nënkupton prevalenca ekstreme e pasigurisë ushqimore. Referuar shpjegimit që bëjnë Kombet e Bashkuara kemi ndarjen e treguesit në dy kategori. Pasiguri e lehtë dhe pasiguri ekstreme. E lehta ka të bëjë me faktin se individët arrijnë të sigurojnë ushqim të mjaftueshëm, por cilësia dhe vlerat ushqyese që mbart ai janë poshtë standardeve. Kurse pasiguria e lartë ushqimore do të thotë marrje të ushqimit në nivele më të ulëta sesa kërkohet për të jetuar sipas një standardi të konsideruar normal. Pra individi në këtë rast nuk arrin të konsumojë aq ushqim sa do dhe vlerat ushqimore nuk janë çështje diskutimi.

Nga ana tjetër, prevalenca e kequshqyerjes në vend është sa 4.9% e popullsisë totale. Ky tregues jep të dhënat sesa individë nuk arrijnë që të kenë një dietë të balancuar, që u garanton atyre një jetesë të shëndetshme. Edhe kjo shihet në kontekstin e pamundësisë. Pra individët nuk kanë mundësi për të siguruar dietë më të shëndetshme dhe nuk është zgjedhje e tyre.

FAO

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *