Fatmira NIKOLLI
Bota e librit në Shqipëri vuan. Vuan nga përkthimi shkel e shko, vuan nga librat e dobët, vuan nga mungesa e lexuesve, vuan nga çmimet e larta, vuan nga mungesa e financave, vuan për vëmendje, vuan edhe për librofilë. Por bota e librit është- edhe panairi i çelur dje, mes gjithë këtyre vuajtjeve është një festë libri, e mes shumë dobësive ka botime të mira, përkthime të mira, autorë të mirë në zë, nobelistë, autorë shqiptarë, studime, libra për fëmijë e të rritur. Për të gjitha këto arsye dhe për librin, si portë drejt të tjera botësh, panairi është një festë që nuk duhet humbur. “GSH” iu është drejtuar disa shtëpive botuese për të marrë prej tyre, titujt e rinj që vijnë në panair.
ONUFRI
“Onufri” ka në panair monografinë e Aleksandër Meksit, “Shën Kolli, Mesopotam, Sarandë”, një libër studimor mbi një prej kishave më të rëndësishme në Shqipëri. Profesor Meksi i ka kushtuar tërë jetën studimit të monumenteve të kultit në vendin tonë dhe është një prej të paktëve njohës deri në detaje.
Nga e njëjta shtëpi botuese vjen edhe një autor i ri, por mjaft i talentuar, Saimir Muzhaka, me romanin e tij të parë nën titullin “Qyteti plak”. Ky libër u cilësua më i miri nga Ministria e Kulturës, e cila mbështet autorët shqiptarë, përmes projektit “Fondi në mbështetje të krijimtarisë letrare”. Në Panairin e Librit Tiranë, prezantohet edhe vëllimi i ri poetik i Skënder Buçpapaj “Jubileu i shiut të çmendur” ndërkohë, si gjithnjë Onufri paraqet gjithë korpusin letrat të Ismail Kadaresë.
BOTIMET IDK
Vjen në shqip fituesi i çmimit “Nobel” Günter Grass me romanin “Me hapin e gaforres”, përkthyer nga Afrim Koçi. Është romani i fundit që ai shkroi dhe, padyshim, një prej romaneve më të bujshëm të letërsisë gjermane. Në fokus është sërish historia e trazuar e Gjermanisë. Por jo më ajo e ‘fajit gjerman’. Romani ka në qendër mbytjen në detin Baltik të anijes ‘Wilhelm Gustloff’, me 9000 refugjatë gjermanë, kryesisht gra dhe fëmijë. Bëhet fjalë për katastrofën më të madhe të historisë detare, ku humbën katër herë më shumë jetë njerëzore se sa në rastin e Titanikut, që për shumë dekada me radhë askush s’e përmendte. ‘Me hapin e gaforres’, mesazhi i Gunter Grass-it është se të gjithë gjermanët, por sidomos e majta liberale, duhet të tregohen më të ndjeshëm jo vetëm ndaj krimeve të kryera, por dhe ndaj viktimave të historisë gjermane.
BOTIMET PEGI
Ka jo pak tituj të rinj, për të gjitha moshat. Pegi sjell “Histori arratie dhe qëndrese”, të Elena Ferrantes, vëllimi i tretë i sagës së “Mikeshës Gjeniale”.
– “Posta”, Charles Bukowski: libri i parë i tij, një gur themelor ne botëkuptimin e këtij shkrimtari kontrovers. “Posta”, romani i parë i Charles Bukowski-t, një ish-nëpunësi të rëndomtë poste, u botua më 1971 dhe tronditi fort Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Siç do të ndodhte për pothuajse gjithë prozën e tij, protagonisti është alteregoja legjendare e Bukowski-t, Henri Çinaski. Gjithashtu, në panair është edhe një version i redaktuar i librit të tij ikonik “Femrat”.
“Dhunë e dhunti” e Enit Karafilit, është romani shqiptar i panairit. Është një histori emigrantesh shqiptarë në ShBA, plot zemërthyerje, ëndrra dhe romantizëm. Të lidhur ngushtë, jo vetëm përmes kapilarëve të hollë të gjakut, fëmijërisë dhe ëndrrave të tyre, përjetësisht të pandashme, mes tyre futet shpirti i një gruaje. Tesa, “e marra mish e thua e të vëllait”, do të tronditë marrëdhënien e tyre, duke i larguar, por edhe duke i ngërthyer keqas me njëri-tjetrin.
“Zemra vërtitëse” e Donal Ryan përkthyer nga Sokol Çunga është një roman me shumë zëra mbi efektet e një krize ekonomike në një komunitet të vogël, duket i shkruar enkas për Shqipërinë, me gjithë se ngjarjet ndodhin në Irlandë. “Zemra vërtitëse” ka tërhequr vëmendjen e kritikës dhe ka fituar The Guardian First Book Award, (2013) çmimin “Libri i Vitit” në Çmimet e Librit Irlandez; ka qenë konkurrent në Dublin IMPAC Literary Award dhe në Man Booker Prize (2013). Në vitin 2015, fitoi Çmimin Europian për Letërsinë.
Një rrëfenjë me një thjeshtësi mashtruese do të zbulojë pak nga pak një thellësi emocionale të jashtëzakonshme: një nga veprat më të mprehta të Kazuo Ishiguros. Në panair, do të jetë ribotimi i përmirësuar i romanit “Mos më lër të shkoj”, të Kazuo Ishiguros (përkthyer nga Rudi Erebara), Nobelistit të saposhpallur, ndërkohë që Pegi ka marrë të drejtat e autorit edhe për 4 vepra të tjera të këtij nobelisti.
ALBAS
“Nëse ty të ka dalë nga mendja, zotëri i nderuar, po ta kujtoj unë: jam jot shoqe.” Kështu hapet letra që Vanda i shkruan të shoqit, i cili është larguar nga shtëpia, duke e lënë me një barrë pikëpyetjesh pa përgjigje dhe një lëmsh dufi që pret të shpërthejë. “Lidhëse” titullohet libri i Domenico Starnone përkthyer nga Mimoza Hysa. Ai ka dhuruar historinë e një arratie, e një kthimi, historinë e të gjitha dështimeve, të atyre që na duken të pakapërcyeshme dhe të atyre që na shoqërojnë për gjithë jetën.
Pas kryeveprës së Magrisit, “Danub”, të botuar një vit më parë, “Historia e një kordhe” është titulli i dytë i këtij autori që vjen në shqip nga shtëpia botuese ALBAS, përkthyer nga Alma Hafizi. I bazuar në një fakt historik, tregon si gjermanët pushtuan Karninë, me ndihmën e aleatëve të tyre kozakë, të cilëve u kishin premtuar një truall, ku të ndërtonin atdheun e pavarur kozak. Kozakët zbuluan se ishin përdorur dhe mashtruar, e zgjodhën vetëvrasjen kolektive në lumin Dravë. Claudio Magris nxitet të shkruajë një ese prekëse mbi fatin dhe tragjedinë e jetës, ku protagonisti është gjenerali i vjetër i kozakëve, Krasnovi.
“Të qetë në kohë lufte” nga Cristian Crusat përkthyer nga Bajram Karabolli, është një libër personazhesh, më shumë se intrigash.
“Ju shkruaj në errësirë”, Jean-Luc Seigle, përkthyer nga Rina Çela Grasset dhe Luan Rama. 1961. Polinë Dybuison arratiset nga Franca drejt Marokut, me një emër të rremë, për t’i shpëtuar së shkuarës së saj. Kur i dashuri i saj, Zhani, i kërkon të martohen, ai nuk e di se cila është ajo në të vërtetë. Për ironi të fatit, ai e njeh shumë mirë historinë e saj, sepse të rrallë janë ata që nuk e kanë parë filmin e famshëm me Brixhidë Bardonë, të frymëzuar drejtpërdrejt nga jeta e Polinës, që bëri kaq bujë në Francë. “Histori e shkurtër e rrëmujës” i Loer Kumes, është një pikturë e madhe sferike e vështirë për t’u përfshirë në një vështrim të vetëm. Deani, në bashkëpunim me mikun e tij matematikan, krijon një Parim Shkencor mbi të Drejtën. Me këtë armë në dorë ai niset që të vendosë drejtësi në botë, me një plan të madh real. “Martin Camaj ende i pazbuluem” (shkrime, kujtime, intervista) nga Hans-Joachim Lanksch.
DUDAJ
Shkrimtari i shquar Salman Rushdie vjen me librin “Klouni Shalimar” një roman i shkruar në mënyrën e tij, ngacmuese, stilistike, të një mjeshtri të padiskutueshëm të letërsisë moderne. Ngjarjet zhvillohen, në Nju Jork, po emrat e personazheve janë indianë, historitë aty brenda të përbotshme. Një histori që nis me një vrasje, një vajzë që quhet India vritet nga një personazh i çuditshëm i mbiquajtur Klouni Shalimar. Teksa historia lidhet me babanë e saj duket një vrasje politike, por, në fakt, është një vrasje pasioni, dhe rrënjët gjenden shumë thellë. Salman Rushdie i lidh aq bukur me një mënyrë super të sofistikuar shkrimi që është veç e tij. Isabel Allende shkrimtarja aq e dashur për shqiptarët, shkrimtarja që na mësoi të shijojmë realizmin magjik dhe historitë e saj të mrekullueshme, vjen me një libër që nuk është roman, edhe pse ajo çdo libër e shkruan si roman- “Vendi im i imagjinuar-një udhëtim nostalgjik nëpër Kili”. Ken Follett vjen me librin e tij më të rëndësishëm “Shtyllat e Tokës”, ku është në qendër ndërtimi i një katedraleje, ngjarjet zhvillohen në mesjetë, por luftërat që zhvillohen për pushtet, pasion, dashuri i duket se i përshtaten fare mirë edhe ditëve tona. Norvegjezi Jo Nesbo, një zbulim për ata që adhurojnë trillerin. Historia tërheqëse është vetëm grepi që të zhyt në leximin e librit “Gushëkuqi” aty brenda ka kaq shumë ftohtësi Norvegjie, një mënyrë të veçantë të të menduari, një figurë e dashur e detektivit Harri Hole me gjithë kompleksitetin e një njeriu të turbulluar, po të drejtë. Spanjolli i famshëm Javier Cercas vjen me një roman-jo roman i titulluar “Mashtruesi”. Një njeri i quajtur Enrike Marko ka manipuluar krejt të shkuarën e tij duke e quajtur veten një të mbijetuar të Holokaustit. Por këtë gjë e ka bërë kaq mirë, sa perfekte aq edhe naive, duke arritur të bëhet edhe kryetar i shoqatës të të mbijetuarve. Barrington Moore me kryeveprën e tij “Origjinat shoqërore të diktaturës dhe të demokracisë”, analizon dhe iu jep përgjigje pyetjeve të tilla si: përse disa vende ecën dhe u zhvilluan drejt demokracisë dhe përse disa të tjera drejt totalitarizmit dhe diktaturave?
TOENA
Nga letërsia e huaj, sjell të përkthyer në gjuhën shqipe, autorë nga më të vlerësuarit dhe më të lexuarit, si: nga letërsia braziliane Paulo Coelho “Spiunia” me përkthim të Erion Gjatollit; nga letërsia franceze Eric Faye “Nagasaki” – romani që u vlerësua me çmimin e madh për romanin nga Akademia Franceze në 2010 me përkthim të Blerta Hyskës; Albert Cohen “Libri i nënës sime” me përkthim të Amantia Kapos; Eric Emmanuel Schmitt “Helmi i dashurisë” me përkthim të Amantia Kapos; Yasmina Reza “Zoti i masakrës”, me përkthim të Nasi Lerës. Nga letërsia angleze Rosamunde Pilcher “Solstici dimëror” me përkthim të Shpresa Osmeni; Robert Wilton “Merimanga e Sarajevës” me përkthim të Diana Çulit; nga letërsia greke Lena Manda “Theanoja, ujkonja e Stambollit”, me përkthim të Kristo Pullës. Nga letërsia shqipe Besnik Mustafaj “Biri i Adamit” është libri më i ri me poezi i tij që do prezantohet për herë të parë në këtë Panair; Sadik Bejko me “Këngë të Solomonit” , poezi – një befasi tjetër e këndshme për ne dhe lexuesit; Namik Dokle troket për herë të dytë me një roman të ri “Lulet e skajbotës”. Botimet Toena kanë dy të ftuar specialë në këtë Panair: shkrimtarin francez Eric Faye që do të promovojë romanin e tij “Nagasaki” në shqip – roman për të cilin Akademia Franceze e vlerësoi me Çmimin e Madh të Romanit 2010 dhe shkrimtaren greke Lena Manda që do të promovojë në shqip romanin e saj “Theanoja, ujkonja e Stambollit” – Historia e një gruaje që përjetoi si dashurinë, ashtu dhe urrejtjen dhe që rrethanat e shndërruan në egërsirë… për hir të njerëzve të saj të dashur. Lena Manda është autorja absolutisht më e lexuar e dhjetë viteve të fundit në greqisht, me mbi 1,700,000 kopje të shitura.