Sadik Spahija kërkon ti shohë ndryshe makineritë industriale të përdorura gjatë komunizmit, duke i dhënë një tjetër jetë. ““Vox Machina” quhet ekspozita personale e cila e rikthen artistin në një komunikim ndryshe me publikun, nën kurimin e Edi Mukës e logon e Fondacionit MAM.
”Ky Projekt konsiston në realizimin e një ekspozite personale të artistit, në ambientin e hapur të sheshit Nene Tereza në Tiranë, duke e prezantuar si një akt urban me përmasa relativisht të mëdha në relacion me hapësirën e sipërmendur”, thotë Klod Dedja kurator i MAM.
Prej 3 vitesh artisti ka përpunuar idenë dhe realizuar disa nga veprat strukturale në materiale kryesisht të mbeturinave industriale të marra nga ish-fabrika apo makineri me funksine të ndryshme në të kaluarën e periudhës komuniste tashmë në gjendje amorfe. “Duke u nisur nga koncepti i Spahisë mbi ri dhënien e këtyre objekteve një ridimensionim urban përzier me tinguj apo lëvizje koreografike të figurës njerëzore.
Një miks strukturash që alternohen me kontrastin e urbanes aktuale. Shfrytëzimi i hapësirave të hapura është një mënyre direkte që raporton me publikun përtej strukturave konvencionale, duke ofruar një stil bashkëkohor të konfrontimit: artist-veper-publik-hapësirë urbane”, thotë Dedja.” Për Edi Mukën,“Vox Machina” është një projekt skulpturor.
”Një numër makinerish industriale janë shkëputur nga konteksti dhe funksioni i tyre fillestar pranë fabrikave të ndërtuara ndër vitet e regjimit komunist në Shqipëri. Objektet kanë përftuar trajta animiste, përmes ndërhyrjeve të artistit. Ato nuk janë thjesht ready-made (objekte të gjetura) por objekte të shndërruara në mbartëse të një kumti në kohë. Të vendosura jashtë hapësirës së galerisë objektet përftojnë cilësi monumentesh, por ndërsa monumentet përgjithësisht ngjizen si përkujtimore të një ngjarjeje, epoke apo personi, objektet e paraqitura nga Spahia shkojnë përtej castit të përkujtimit.
Ato janë kthyer në qenie me gjymtyrë të kalcifikuara e zë hungëritës, një Vox Machina që na zhvendos në kohë përmes ideologjive të vjetra e të reja, që kontrolluan dhe kontrollojnë destinin tonë nga e shkuara komunistenë të tashmen globale, të mjegullt dhe pa trajta”, thotë Muka. Pwr vetw artistin “vox machina” është konceptuar si një ekspo-strukturash industriale, apo objektesh sa konkrete aq dhe të abstraguara që mbartin më vete procese të tjetërsimit.
Ekspozita shtron pyetje mbi impaktin e industrializimit mbi qënien dhe emocionet tona, dhe mbi mënyrën se si ne e prezantojmë këtë në sjelljen ndaj produktit tonë . Një bashkëjetesë reciprokisht e programuar si një kompozante esenciale e konceptimit tonë ekonomik dhe social që influencon reciprokisht në spektrin emocional njerëzor duke humbur apo ndryshuar sjelljen tone dhe logjikën e të jetuarit në hapësirën e përbashkët.
Të shfaqura dukshëm me atribute psikologjike, të ngarkuara me memorje si vektor përvojash të kaluara dhe të tashme, të ngarkuara me emocione dhe llojshmëri pikash përjetimi ato reflektojnë modelimin e imagjinatës tonë dhe evokojnë pasqyrimin e qenies tonë në produktin e përbashkët si një tregues I sjelljeve tona sociale. Objekte dimensionale vendosen në një kontekst dhe funksion të ripozicionuar të trajtuara estetikisht dhe funksionalisht ndaj një qasje të re, si një ansambël orkestral që provokon dhe nxit spektatorin drejt reflektimit dhe integrimit të tij si pjesë e vet veprës.
Njëkohësisht pranija njerëzore e një trupe performuesish në një sfond akustik të këtij instalacioni monumental, nxit sensibilitete të reja në zbulimin e marrëdhënieve të padukshme të objekteve me njeriun duke mbështjellë një fluks të objektesh plastik me një atmosfere sonore dhe me provokimin e trupit njerëzor.
Projekti është konceptuar jo si një punë individuale e një artisti, por bashkëveprim i shumë faktorëve njerëzor ku integrohen jo vetëm eksperienca profesionale por dhe përvoja njerëzore . Pjesëmarrja e artistëve dhe specialistëve të zhanreve dhe zejeve të ndryshme të studentëve dhe kolegëve afron qasje te reja në frymëmarrjen e veprës