Ditëlindja Kadare, tri ditë dasmë pa dhëndërr

kadare foto

Ditëlindja Kadare, si bëjmë ne tri ditë dasmë pa dhëndërr

Nga Entela Hoxha

Udhëheqës të lartë të vendit, vendosën ta kalojnë fundjavën në jug këtë herë. Për të përmbuhsur edhe detyrat patriotike në shërbim të Nënës Shqipëri, ata shkuan për vizitë në shtëpinë e Kadaresë në Gjirokastër, ku ishte shumë kush i pranishëm, përveç të zotit të shtëpisë, Kadaresë. Prej tri ditësh, populli shqiptar po feston ditëlindjen e tij, me këngë, valle, mbledhje, takime, dreka, darka, fotografi e postime. Vetë Kadaresë, do i ketë dalë nga mendja që kish ditëlindjen këto ditë, por jo shqiptarëve. Populli, trim, heroik, e i paepur, rron me ‘kujtesën’ dhe për të tjerët. E si një popull që jeton për të tjerët, gjithë çfarë bëri për Kadarenë, e bëri publikisht, e mediatikisht. Ç’ironi!

Kronika e tri ditë ditëve është qesharake. Panairi i kotësive ishte ‘mallëngjyes’ dhe befasues. Dalldia dhe efekti turmë, po ashtu.

Në fillim, një tortë qarkulloi në media e në rrjete sociale. Ish bërë për 80-vjetorin e Kadaresë nga bashkia e qytetit të gurtë. Vetë Kadare nuk ish. Ne nuk do e mësojmë ndonjëherë kush i ndezi qirinjtë, as kush i shoi. Në fakt nuk ka rëndësi, për aq kohë sa ai burri i datëlindjes, tortën as se preku, as e pa. Kur do ia kenë thënë, me gjasa ai i ka vënë duart kokës, ndaj po i lëmë mënjanë dëshirat që zakonisht i mërmëriten tortës ndër dhëmbë.

Sot, pas tri ditësh, kur desh e morëm veten nga datëlindja, desh u liruam e çliruam nga emocionet që na përfshinë në një dalldi kolektive, dikush u kujtua t’ia behte në Gjirokastër, për Kadarenë, por pa Kadarenë. Qindra foto, qindra urime, qindra postime, qindra citime, pra mijëra urime në rrjetet sociale për të- e të mendosh se ai nuk as facebook as tuiter. Për kë u harxhuan ato dy gisht hapësira nëpër servera?

Fshati ynë gjet arsye të bënte dasmë. “Qokat” nuk munguan, që nga njerëzit e thjeshtë që ai si ka takuar kurrë e as do ti takojë ndonjëherë deri tek qokat e qeveritarëve. Fshati bënte garë se kush mundej më shumë ta uronte e ta përkëdhelte, për së largu, në eter e pa ia thënë se mijëra duar ishin shtrirë drejt tij, kilemotra larg.

Ndërsa dita mbaronte dhe nata vinte, nga Parisi ku i vajti lajmi i histerisë kolektive, Kadare shqeu sytë: nuk ishte kujtuar kështu, as Skënderbeu.

Në të njëjtën kohë, Tirana shtronte një darkë. Edhe kjo, një darkë për ditëlindjen e Kadaresë. As aty, Kadare nuk ish. Ai ish në Paris, siç ishte kur Gjirokastra ndante tortën, siç është sot kur i kanë shkuar për vizitë në shtëpi. Po ç’rëndësi ka, ne jemi mësuar të bëjmë dasëm pa dhëndërr, mjafton të dimë që kemi dasëm e kemi pse shtrojmë gosti. Ne jemi mësuar të jemi sipërfaqësorë, të bëjmë sikur duam, njohim, e dimë. Ndaj rrjetet sociale, torta e darka, janë adetet tona- në tri ditë dasmë pa dhëndërr. Ne kemi një qeveri fasadash se jemi popull fasadash. Parë nga ky këndvështrim, ne kemi atë që meritojmë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *