Më 25 shtator 2007, në spitalin Gemelli-Romë, pushoi së rrahuri zemra e At Zef Pllumit, fratit françeskan, publicistit dhe rrëmtarit penëhollë, atij që “rrnoi për me tregue” ferrin komunist, dikaturën më të egër në Shqipëri.
At Zef Pllumi është nga mendjet e ndritura të kombit, njeriu që duroi mbi trupin dhe shpirtin e vet kalvarin e mundimshëm, mbi 26 vite në burgjet më të egra të komunizmit.
Vëmendja ndaj Atit u shtua më shumë pas botimit të trilogjisë së tij “Rrno për me tregue”. Persekutimi i klerit në Shqipëri, dhe veçanërisht i atij katolik ishte i tmerrshëm. Si një nga dëshmitarët okularë, falë Zotit, jetoi dhe mbijetoi e gjithçka e bëri në shërbim të jetës, duke duruar torturat, fyerjet më çnjerëzore, për t’i lënë Shqipërisë një dëshmi nga Ferri komunist.
Ky prelat i Kishës katolike, ky shërbestar i devotshëm i fjalës së shenjtë dhe dijes së hyjshme, do të ishte i fundit i një dinastie zelltarësh të pashoq, mendjesh të shumëdijshme dhe vullnetmirë që mundi me mbajtë në gjinin e vet Urdhni Françeskan, shkolla prej nga u ngjizën themelet e vetëdijes tonë kombëtare. Miqësia me shkrimtarin Ismail Kadare, në vitit e fundit të jetës së tij, erdhi si një bekim dhe vullnet dypalësh. “At Zef Pllumi ka qenë një nga ata personazhe, që pati fatin e keq të binte në ato hulli, e që pati fatin e mirë të
dilte që andej”, ka kumtuar Ismail Kadare në parathënien e veprës monumentale “Rrno për me tregue”, parathënie që Kadare e bëri me gjithë fuqinë e penës së tij, i tronditur dhe i frymëzuar nga rrëmi i pashoq i At Zef Pllumit. Bisedat dhe vizitat e ndërsjellta mes dy personaliteteve kanë qenë të shpeshta.
At Zef Pllumi u vlerësua dhe nderua, sa ishte gjallë, maksimalisht. Presidenti Moisiu e vlerësoi me urdhrin “Nderi i Kombit” në vitin 2006. Po në atë vit, Atë Zef Pllumi mori nga Ministria e Kulturës çmimin letrar “Penda e Artë” për trilogjinë e tij me kujtime “Rrno për me tregue”. Komuna Shëngjin akordoi për disa vjet çmimin letrar kombëtar ‘At Zef Pllumi’.