Nga Flutura Açka
Ishte natë e vonë mbrëmë, kur mora lajmin e hidhur për ty, Arlindë, dhe ngaqë jam mësuar të të gjej gjithmonë kah drita, nuk desha të shkruaja natën. Edhe më vonë, një mesazh i shkurtër i tët bije nëpër natë, thirrja e fikur e saj “Ah, ç’ë bëri!”, m’i bëjnë edhe më të vështirë këto rreshta.
Liria për të cilën ke shkruar shpesh edhe ti, liria për të cilën ke luftuar edhe ti, nuk më jep të drejtën të të gjykoj në vendimin tënd, por të gjykoj një Shqipëri që ka ajër gjithnjë e më pak për gra si ti. Nëpër median shqiptare, ku je vërtitur shpesh mes pasionit dhe pasigurisë, këmbënguljes dhe drojës, dashurisë dhe hezitimit, ti ishe një specie e veçantë, ti dije vetëm të punoje, jo të shiteshe. Ka plot gra si ty, por kemi nevojë t’i njohim, sepse ato kurrë nuk bërtasin, ato vetem i japim Shqipërisë dhe kurrë nuk i marrin.
Ty kurrë nuk të vinin ftesa për koktejle ministrore, për shëtitje turistike shoqëruese të tipit escort girl, nuk psherëtive kurrë për ndonjë çantë Hermes, as nuk u ankove se Tirana t’I thyente këmbë për të mbijetuar tu dhe familja jote, nuk bëre zhurmë kurrë për romanet e tu, edhe pse ishte një vajzë e talentuar, që nuk pati kohë – prej kësaj jete që po shpjegoj – as t’i ribotonte, nuk u përqave kurrë edhe pse e dite bukur mire se sa e vështirë është të rezistosh e papërlyer në kohë si tonat.
Ti dije të falje bujarisht, aq sa ndonjëherë kam mendur se kjo ishte një e “metë” e jotja. E lumja ti! Por si ia dole e vetme, e pandotur, pritëse, përjetësisht e qeshur, pranuese, e pafjalë, e painat, e pamërzi, që të mbetesh ti, vetvetja, në kohën e tjetërsimit të madh që jetojmë? Gati pesëmbëdhjetë vjet të shkuara, kur botuam bashkë romanin tënd të parë “Dashuri bjonde”, që u shit marramendthi, kemi qeshur shumë me faktin se do ta çudisnim dynjanë me titullin. Disa herë pata këmbëngulur ta merrje seriozisht talentin tënd, por ti nuk kishe kohë për të, nuk të tepruan kurrë minuta të mendoje për të. Ti, takëngrëna nga vrapi, ti mirësia Arlindë, je në paqen tënde tani, atje ku as moti, as stina, as koha, as fryma, as paraja nuk bëjnë sens, dhe mbase qesh me baladat e të gjallëve që kanë vendosur të vazhdojnë. Por ata duhet të vazhdojnë, për të bërë një mjedis ku Arlindat të mos ndjehen të vetmuara, dhe ku bijat dhe bijtë e Arlindjave të mos ndjehen të braktisur nga fati, dhe shoqëria. Pushofsh në paqe!