VIDEO/ “Tajlanda” shqiptare në lumin Shalë tërheq qindra aventurierë

Nga Ivana Dervishi, Birn

Grykëderdhja e lumit të Shalës në liqenin e Komanit është kthyer në dy vitet e fundit në një nga destinacionet më tërheqëse lumore të Alpeve Shqiptare. Izoluar nga majat e larta, rrjedha e vrullshme e ujit të kaltër të Shalës i ofron aventurierëve një panoramë nga ato që ngjajnë me Tajlandën e largët.

Rruga për të shkuar deri në këtë panoramë të mrekullueshme megjithatë është e gjatë dhe e larmishme. Nisja nga Tirana bëhet ende pa lindur dielli, në 5 të mëngjesit dhe ha rreth 2 orë deri në Vaun e Dejës dhe rreth 1 orë tjetër në rrugë të pashtruar për në pikën e nisjes së trageteve dhe varkave në liqenin e Komanit.

Oraret e tragetit janë 6 dhe 9 e mëngjesit. Megjithatë, për 90 euro në total (5 euro personi) varka me rreth 20 vende vihen në dispozicion të vizitorëve për të shijuar nga afër pikat interesante të liqenit të Komanit dhe të lumit të Shalës.

Lugina e Shalës, një zonë e virgjër lumore e cila vetëm së fundmi është futur në guidat e agjencive turistike po tërheq një vëmendje të jashtëzakonshme, për shkak të natyrës së paprekur dhe mundësive të shumta që ofron.

Aventurierët mund të shijojnë eksplorimin e zonës me varkë, ngjitjen në majat përreth me pamje spektakolare, si dhe zhytjen në ujin e freskët të lumit të Shalës.

Megjithatë, izolimi dhe mungesa e vizitorëve deri më tani ofron ende kapacitete të kufizuara akomodimi, ndërsa fluksi i të ardhurve nga qytete të ndryshme ka nënvijëzuar shërbimin e dobët dhe ushqimin që lë për të dëshiruar.

Ata më aventurierët, arrijnë të shijojnë këtë destinacion të ri duke ngulur çadrat e kampingut për një eksperiencë plotësisht individuale rrethuar nga majat e larta, për të cilat vendasit tregojnë legjenda mesjetare.

Sipas gojëdhënave, princi Lekë Dukagjini, prijësi i dytë më i rëndësishëm i shqiptarëve pas heroit Gjergj Kastriot Skënderbeu i kaloi vitet e fundit të jetës në këtë zonë, ku gjen emërtime të tij si për shembull Guri i Lekës, një pikë strategjike që sheh luginën, nga ku mendohej që Dukagjini ruante vendin nga ardhja e turqve.

“Lumi i Shalës është një atraksion i ri, i cili ka pak kohë që ka filluar të frekuentohet. Ai i tërheq vizitorët me ujin e kristaltë dhe natyrën e mrekullueshme,” tha për BIRN Eduard Kocli, guidë e agjencisë Albania Alpine Adventure.

Ai shton se ky bum turistësh në dy vitet e fundit, i ka nxitur vendasit e përfshirë në industrinë e shërbimit dhe akomodimit të kërkojnë mundësi zhvillimi me nisma që do të financojnë bujqësinë e zonës, në mënyrë që vizitorët të shijojnë prodhime vendase.

Donald Balla, një i ri nga Tirana i është bashkuar një prej guidave të agjencive aventuriere për të eksploruar këtë destinacion të ri të Alpeve. Pas disa zhytjeve në ujin e akullt të lumit të Shalës, ai shprehet mjaft optimist për të ardhmen e këtij vendi.

“Për lumin e Shalës u informova në Facebook dhe vendosa ta vizitoj. U kënaqa shumë këtu dhe do t’jua rekomandoja të gjithëve. Është një natyrë e paeksploruar dhe shumë e bukur,” tha ai për BIRN.

Pas disa orëve plazh dhe një dreke të konsumuar në qetësinë e natyrës së gjelbër, vizitorët e qeshur i hipin sërish varkave të vogla për të shijuar rrugën e kthimit e cila gjarpëron nëpër liqenin e Komanit.

 

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *