Yje largësie

Nga Liarda Kondakçiu

Sonte po du me jetu në Shkodër…
Dëshiroj të shikoj hënën nga ky qytet
teksa gllabëron buzëqeshjet e shumë shpirtrave.
Dëshiroj të eci rrugëve këmbëzbathur
duke ndjerë ftohtësinë e natës.
Të largoj trishtimin
që ka mbuluar yjet me perden e qiellit.
Dua vonë të qëndroj zgjuar,
të gjej pafundësinë dhe me të,
të luaj kukafshehtasi,
Ajo duke u fshehur nga “fundet e lumtura”
dhe unë duke u fshehur nga ty.
Dua të ndjej këtë errësirë pa dritë,
ato duar, me ftohtësinë e maleve
të mbuluara nga dëbora.
Kam një kënaqësi të madhe për të zbuluar
labirinthet e këtij qyteti,
të pushtuara nga ushtria e pushtetit tënd.
Jam mësuar tash me këto ëndrra
dhe kam filluar të ëndërroj edhe më tepër,
dashnija jeme.
Mijëra e mijëra yje largësie na ndajnë
dhe unë prap…
Sonte po du me jetu në Shkodër.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *