Një shënim peng për Agim Fajën
Një javë më parë, siç më ndodh shpesh kur jam jashtë, nga shkujdesja ndaj telefonit, e kisha humbur një telefonatë nga miku im Agim Faja. E pashë shumë më vonë se ora 10.28 kur ai kishte telefonuar. Ndaj i shkrova një sms: “I dashur Agim… “ dhe mes te tjerash i kërkoja lejë nëse mund ta botoj një foto nga të fundit që bëra me të, bashkë me një shënim të vogël të dashurisë dhe admirimit tim për të, dhe se do të vija ta takoja së shpejti. Nuk mora përgjigjje, dhe kam një peng të madh se nuk do ta marr më përgjigjjen. E kisha bërë rutinë të shkoja shpesh dhe ta takoja në studion e tij. Më telefononte shpesh, më shume ai me atë kujdesin e tij të patëdytë, thjesht për t’ia dëgjuar zërin njërit-tjetrit.
Me Agim Fajën jam takuar shpesh në studion e tij në Shijak dhe gjithnjë e kam vërejtur se edhe pse baritja ime nëpër hapësirë më të gjerë se ç’ishte studioja a tij e vogël, ai ishte përherë më i informuar se unë mbi botën e madhe, mund të flisje gjithçka, për politikë më pak se për gjithçka. Rrethuar nga shënime të pafundme të radhuar tashmë në fashikuj të lidhur bukur si ai dinte, mes pikturave të tij, ca edhe nudo të fshehura dikur në të ritë e tij, mes një dashurie dhe përkushtimi të rrallë si e bijve të tij dhe mes kujtimeve që di si t’i mbrojë dhe çmojë, Agim Fajën e gjeje në punë, edhe pse të tetëdhjetat e tij e kufizonin. Dhe në çast, në tryezën e tij të mbushur me botën e tij pikturike, një tryezë pune që i ngjante një koleksioni të çuditshëm me përmasën e një minibote, Durria, e shoqja e tij sa ishte gjallë, dhe më vonë i biri, Arditi, ia behnin gjithfarë pijesh, ëmbësirash e frutash mikpritjeje, që e sfidonin për ca çaste shtrëngesën qe i ka shoqëruar gjithë jetën artistët e vërtetë shqiptarë. Në jetë më ka ndodhur rrallë të takoj njerëz që të kenë një respekt të tillë për kulturën dhe historinë shqiptare si ai. Agim Faja ishte një piktor i mrekullueshëm, por dhe një njeri aq i dashur. Por ishte edhe një muze i gjallë. Dhe ka lënë pas një muze të vyer.
Agim Faja nuk kishte kompjuter që të të habiste me virtualitetin e ftohtë dhe fantazmagorik të dizajnit të sotëm, vazhdonte ashtu me penë e bojëra shkollën e tij “të vjetër” për të cilën botën do ta zërë gjithmonë malli, dhe edhe pse me shkëlqimin e tyre që zë pluhur ndonjëherë në këndin e relikteve, na ndjell një emocion akut kur e ndeshim dhe na bën të na kalojnë një grimherë sindromën e Stendalit, siç më bënin nudot dhe pikturat e hershme në studion e Agim Fajës, që nuk kishin vetëm peshën e dikurshme të emocioneve të tij, por të secilit prej nesh kur jemi tërësisht vetvetja.
Unë nuk e di nëse i kam të sakta shënimet e takimeve me Agim Fajën, por di që Agim Faja mbante me kujdes çdo detaj të jetës së tij, pasi për të çdo çast kishte vlerën që i jep vetë njeriu, dhe një punëtori të madh si ai çdo çast kishte një peshë specifike të tillë, të pazakontë mes shqiptarësh. Do të më mungosh miku im, tani kthesën për Shijak do ta marr më rrallë, por ajo studio e vogël në shtëpinë e vjetër në Shijak, është ndër gjërash që do ta vizitoj përherë me mall.
U prehsh në paqe miku im, Agim Faja!
Utrecht, 28 qershor 2017